Eko Higjiena

Ora e zemrës

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Nga Mehmetali Rexhepi – Si rëndom e shikoi orën e murit. Ishte e qetë. Tak-taket e akrepave ishin shurdhuar. Kishin shënuar kohën vetëm deri aty ku kishte ndaluar rrotullimi. Dita kish vajtur në shfaqjen e vet… Si kurdo herë ajo merrte me vete disa fragmente të dritës dhe, linte ca nuanca të hijeve, që sillnin përgjumjen.

E pa qartë lajthitjen e pozitës tij të shtrirë kundruall ditës. Duhej ta kurdiste orën e heshtur, ngase edhe ai kishte mbetur i pakurdisur. Atij i lypej ta shënonte ditën me diçka; sepse diçkaje duhej t`i shërbente… Po nuk i shërbeu një diçkaje, dita gjësendet e shpalosura i merrte me vete dhe i mbështillte me ngjyrën e natës e i hidhte tutje… Ku? Gjithsesi, diku, tek dikush? Tek kush? Atje ku mund të arrinte pakës më parë, por copat e dhuntive zhbëheshin menjëherë…

  • Ku, si? – i doli një shtytje…
  • Atje ku nuk je, ku nuk ke vrapuar të jesh, t`i kapësh diçka, aq sa mund të shënonte ora jote…
  • Ora e shpirtit tënd të është kurdisur… – I shkreptiu rrezja që shqeu retë e një vete të pa njohur. Pohimi e shkundi habinë në pamjet e amullta të Motit. Ishte i përgjithësuar konstatimi i rrezes reflektuese të asaj vete, që ndonjëherë i fshehkej autoritetit tij të këmbëngultë. Ajo nuk dukej, nuk paraqitej, vëzhgonte e heshtur… Përse? Ndoshta për shkakun e mospërfilljeve të shpeshta, ose përfilljes së përciptë, të mangët, të pjesshme, të vetë-mjaftueshme?…
  • Më pohove se ora e shpirtit tënd të është kurdisur…?
  • A më thua nga kush më kurdisej kjo orë e paralizuar?!
  • Lype dhe gjeje vet kurdisjen! – i tha veta, hija pa diell.
  • Pra, si t`ia bëj?
  • Dil në rreze dhe, do t`i kesh shkëlqimin e hijen…
    Ishte një këshillë e rëndomtë që, nuk i mbushi mendjen për asgjë; madje iu duk cinike.

Kësaj të diele i jepte pak më tepër liri shtrirjes. Mos lëvizja i aludoi paralizën, gjendje të palëvizshme!

Fundamenti
  • Sa shpejt më përplasen mendimet e liga!- pohoi.
  • Paralizë!Të bëhesh barrë e shtratit, barrë e të tjerëve… Trup i prerë, trup pa dinamikë, lis pa gjethe, që nuk i fëshfërijnë pa degë, as u matet gjatësia me hije, cung i kalbur, i flashkët për qëndresë shtrëngatash, as për mbajtje çerdhesh për lejlekë, as…
    Iu kujtua, ia përmendën zorrët, se darkën e kishte ngrënë si duke grabitur, pa i përtypur kafshatat, sikur të ndiqej nga dikush që ka për ta kapur e ndëshkuar padhembshëm.
  • Për çfarë do të më ndiqte ai ose akëcili sish?
    Sërish i mbushte mendjen vetës se nuk kishte shkak për t`u ndjekur nga askush…
  • Por, fijen e dyshimit po ma bën tra! – iu drejtua dytëshorit në prapavijë.
    Mirëpo, do ta ketë goditur ndokënd publikisht me diskurset e tij për fëlliqje virtytesh… Mbase?… Thuajse vetëm atij i paskan mbetur në dorë frerët e drejtimit të qerres me politi-kuaj të azdisur?… Por, duhej tia mprehte tehun kosës për ferrat e së keqes. Gjasa ia drejtonte gishtin, që edhe këtij ti kthehej kosa e mprehtë deri në asht. E thoshte dendur: mendoj se ora ime është e kurdisur nga dikush: kur duhet të bie, kur të fle, kur të zgjohem dhe, padëshirueshëm zë pusi në ëndrra! E lidhur pazgjidhshëm me ndonjë kipc, që të mos mbetej kopje e dytë, ndaj kipci do të mëtojë ngufatjen e së parës, sikurse mbrëmë ngufatja e zorrëve me të ngrëna, aq sa të pëlcisnin
    ato si tullumbace festash… Sapo ngrehte kokë veta nën ëndjen e tij, i jepte një të shtyrë mënjanimit me diskursin e përshtatjes për ëndjen. Kush e kishte kurdisur të gllabëronte aq shumë? Çfarë iu ofrua e nuk e sprapsi në darkën e mbrëmshme? Fijezave të lukthit iu pamundësohej thithja e lëndës së mbingarkuar. Tretja përmes rrotullimeve të shpeshta e trazonte Lumoren e qetë.

Pas shumë rrotullimesh arriti në një xhungël të papërcaktuar… I ngjante Amazonës?… Në stomin e një pellgu filluan t`i ngrohen këmbët brenda dy nofullave vigane; pastaj nën butësinë e mesit anash me thepa të rëndë shkëmborë, një tërheqje fryme e jargësh prej lymi, ia paloste krahët me shtrëngim të dyanshëm drejt një kanali gjembor, rrethuar me rrëshirë të trashë acidi…Një forcë tërheqëse, gjithnjë e më shtrënguese e gllabëronte deri te koka, së cilës po i merrej edhe fryma e fundit dhe, errësohej shikimi!… Çdo lëvizje për dalje nga ato darë e tërhiqte, e shtrëngonte më fort, e fuste më thellë, thellë e më thellë!… As britma, as klithje… Zot o Zot çfarë tërhiqje kishte kjo baltë e gjallë, me zhguall të stolisur me arabeska në tërë gjatësinë e vijës saj rrotulluese, elastike, përdredhëse, lëmsh mbështjellës!… Shpejt ajo baltë lëvizëse mori trajtën e një litari anijesh, sakaq litari u shndërrua në përbindësh, në anakondë!… Britmat treteshin nën mure jargësh e zhgualli të trashë…
Inserti i këtillë i kishte përpirë të tjerat inserte, kur zgjimi ia zgjidhi litarin ankthit të tij.
Djersë dhe lirim gazrash…


Në qoshen vertikale të dhomës, një merimangë zbriste dhe ngjitej drejt trekëndëshit të tavanit, nëpërmjet fijes së perit që e prodhonte vet. Fijen e zgjaste dhe e shkurtonte, sipas strategjisë të cilën ia lypte pikë-caku. Një mënyrë jete e pa vënë re gjithaq, por e spikatur për strategji kurthesh! Ja çfarë dhuntie i kushtëzoi evolucioni një insekti ngjyre të zezë! Mënyrë jetese me kurthe ose me viktima kurthesh! Krejtësisht e rëndomtë për evolucionin, por e pa rëndomtë për karakterin e njeriut. Kurthet e tilla njerëzore brenda llojit intriguan drama dhe dramat tragjedi; tragjedi fronesh e karrigesh… Kush kujt i modeloi kurthin: insekti njeriut a njeriu insektit? Insekti ka shtytje instiktive ekzistenciale… Po njeriu? Njeriu ka mësymjen e pangopur të lakmisë… Padyshim qytetërimi i përsosi kurthet dhe, pikërisht mbi kurthe të kurdisura u kurthua mijëvjeçarëve! Kësisoj ka për të ndodhur përderisa mënjanohet Zoti i Vërtetë; përderisa njeriu mëton të bëhet Zot vetë; përderisa e thërret Zotin veçse çasteve të apokalipsit, madje i prinë mëtimit, që evolucionit t`i shartojë çfarëdo vullnetesh të veta?!…

  • Çfarë janë ato vullnete? – pyeti sikur të kishte përballë një bashkëbisedues.
    Aty për aty reflektoi se kjo pyetje ishte naive dhe, nuk duhej t`i drejtohej askujt. Megjithatë, përgjigja nuk i mungoi prej dytëshorit:
  • Janë vullnete të asisoj, të cilat nuk mund t`i bartë as kurrizi, as shpirti i jetës… – dhe vijoi:
  • Aso, aso vullnetesh, që e çartin evolucionin dhe, ajo natyrë e çartur paparashikueshëm egërson ose robotizon njeriun?!
    U rrotullua në krahun tjetër dhe u mbulua me jorganin e heshtjes.

Kur pa orën e ndalur moria e reflektimeve iu dendësua dhe, po i silleshin në kokë sikurse plima e sorrave grindavece drejt një caku pa marrëveshje. E kishte lënë ditën vetëm, pa pjesëmarrjen e tij, për ti dhuruar së bashku me të copat e dhuntive verës... Çka mund ti merrte stinës? Me përsiatjet e tija nuk i merrte asgjësend. Enigma e kurdisjes është universale… Si e tillë doemos është gllabëruese… Megjithatë, kjo e diel i dukej e gjatë, nata e kishte torturuar; ëndja kafshërore ia kishte fryrë zorrët tej mase. Një refleks i mënjanoi reflektimet tjera dhe i përmendi ëndjen. Si duket kjo qenka imja, e brendshme, askush nuk ma paska kurdisur… Shija… Deshi ta plotësonte konstatimin për shijen, por iu ngatërrua perceptimi i pa saktësuar për masën; mandej pozita e shtrirë i sillte vrushkuj të përzier: muzg-drite. Jashtë dritores tij rridhnin ndodhitë, ngjarjet, gjësendet, ngjyrat, intrigat, përballjet, epshet për shuarje, trajtat e pandemisë, sherret, kërkimet e të urtëve të globit për ti frenuar numrat e shuarjes të jetëve dhe, tjetërsimi i dhimbjes në numra... Mbulesën e kredhjeve të thella ia shkundi thirrja e Lumores për pirjen e vonuar të kafesë. Para se të zbriste në katin e parë deshi ti dëftonte dytëshorit për shijen dhe krupën e vet, por ndoshta do të përhapej renditja për ta kategorizuar tek të pangopurit dhe tha:

  • Lëre mos e nga!
  • Si më gatoi Zoti i evolucionit të mos më ngopen as shqisat e të parit?
    Zoti e përsosi njeriun, duke i dhënë gjithçka nga pak prej të bukurës dhe të shijshmes…
  • Domethënë më la mundësinë veçse t`i provoj nga pak të mirat, të bukurën, të këndshmen, të shijshmen, por pa u ngopur me to… – këtë përsiatje nuk ia shpërfaqi Lumores.
    Tërë perceptimet e sotme i lidheshin për orën e prapa ngelur. Jashtë sferës së përsiatjeve të tij shkëlqimi dritësor ishte lëbyrës.

  • Lumore sot e kam vënë re se sa paskam qenë i lidhur për orën e murit të dhomës tonë!
  • Ti ke dhe orën e dorës, celularin, çka po të lidh kaq ajo farë ore klasike?
  • Nuk e shpjegoj dot… – vazhdoi:
    -Ndoshta ato tak-take akrepash ishin shenjat e fillimit të frymëmarrjeve tona të përbashkëta?…
  • Ti marrtë t ligat! – Po, por… – Lumorja paksa hezitoi:
  • Unë… Unë… U frikësova për atë orën tënde të madhe, ajo të mos ndalet, ajo!… Ora e shtëpisë, pak punë është kjo!
    Për një çast e kaploi habia…
  • Cila mund të ishte ajo orë e madhe e shtëpisë, së cilës mund ti ndaleshin akrepat?! E kuptoi, por thjesht nuk deshi tia tumirte atë parandjenjë të brishtë gruas së kurorës.