RCCOLA

Optimistë për Provimin

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Drejtorët e shkollave të mesme të Kamenicës, janë shprehur optimistë për rezultatet e provimit shtetëror të maturës.

680 maturantë të gjimnazit “Ismail Qemali” dhe shkollës teknike “Andrea Durrsaku”, do t’i nënshtrohen provimit, këtë të shtunë.

Drejtori i Gjimnazit, Agim Shkodra, konfirmoi për radion Premiera, se shkolla që udhëheq ai, ka bërë të gjitha përgatitjet teknike për mbarëvajtjen e këtij provimi.
“Janë bërë të gjitha përgatitjet në objektin shkollor. Testi do të mbahet në lokalet e gjimnazit, shkollës Fan Noli dhe në shkollën e Roganës.

Jemi optimistë për rezultate edhe më të mira se vitet e kaluara, sepse është punuar jashtëzakonisht shumë me nxënësit”, tha Shkodra.

Mobi Casa

Ndërsa, drejtori i shkollës teknike, Qamil Qehaja, theksoi se tri javët e fundit, personeli i kësaj shkolle është përqëndruar shumë në testin e maturës.

“Që nga gjysmëvjetori i dytë, ne me një kapacitet të lartë, kemi punuar me maturantët për këtë test. Kemi organizuar orë shtesë në lëndët kryesore, gjuhë shqipe, matematike e anglisht. Jemi optimistë se gjërat do të shkojnë mirë dhe mundi të na kurorëzohet me rezultate pozitive, tash të shohim”, është shprehur Qehaja.

Matura, sivjet organizohet në dy ditë. Më 9 qershor, do të përfshihen 120 pyetjet nga lëndët e përgjithshme, gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë. Ndërsa më 23 qershor do të mbahet vazhdimi i provimit, ku do të ketë një test me 80 pyetje. Testi i sivjetmë në total do të përmbajë gjithsej 200 pyetje./rajonipress/