Opozita vazhdon me protesta
Subjektet opozitare në vend, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, kanë ripërsëritur të shtunën qëndrimin se nuk do të ndalen me protesta deri në largimin nga pushteti të Qeverisë “Mustafa”.
Krerët e tri subjekteve opozitare në një tubim mobilizues me struktura të këtyre partive kanë thënë se do të vazhdojnë me protesta deri në largimin e Qeverisë, që, sipas tyre, ka shkelur Kushtetutën e vendit, me nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin.
Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka thënë se opozita do të vazhdojë me protesta e kundërshtime me të njëjtin intensitet, pasi, sipas tij, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, po vazhdojnë rrënimin e Kosovës.
“Sa më pak zaptues që ka shteti, aq më i lirë do të jetë qytetari i këtij shteti dhe kësaj Republike. Sa më larg Beogradit, aq më sovrane do të jetë Republika e Kosovës. Që i bie për të mbledhur shkurt, se sa më shkurt Mustafa e Thaçi në pushtet, aq më shumë dhe aq më shpejt do të kemi shtet dhe sovranitet. Dhe këtë do ta arrijmë bashkë, ne, në rrugët dhe sheshet e Prishtinës dhe të qyteteve tjera, për sa kohë ky pushtet vazhdon ta mbajë të uzurpuar Republikën tonë”, ka theksuar Ymeri.
Ndërsa, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se liderët e partive të koalicionit qeverisës, kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, janë mashtrues. Sipas tij, të njëjtit kanë armiqësuar popullin ndërmjet vete./zeri/


