Opozita vazhdon me bojkot!

Partitë opozitare nuk do të marrin pjesë as në seancën e nesërme të Kuvendit.
Anëtari i Kryesisë së AAK-së, dhe njëherësh zëdhënësi i kësaj partie, Muharrem Nitaj i ka thënë Gazetës Blic se nuk do të marrin pjesë në seancë.
“Nuk do të marrim pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë shkurt Nitaj për Gazetën Blic.
Edhe sekretari i përgjithshëm i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi ka bërë të ditur se do të vazhdoj bojkoti i opozitës.
“Do të vazhdojmë me bojkot të punës së Kuvendit të Kosovës, derisa kjo qeveri të jap dorëheqje”, ka thënë Sherifi.
Ai ka theksuar për Gazetën Blic, se zgjidhja e vetme për situatën në të cilën është futur vendi, janë zgjedhjet e parakohshme.
Partitë opozitare kanë vendosur bojkotin si formë, përmes së cilës po shprehin pakënaqësitë me qeverisjen PDK- LDK dhe kundërshtimin e dy marrëveshjeve, atë për Asociacionin e nënshkruar me Serbinë dhe atë për Demarkacionin e nënshkruar me Malin e Zi.
Ndryshe, në seancën e nesërme një nga pikat e rendit të ditës, do të jetë e zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili dështoi në seancën e fundit, për shkak se partnerët e koalicionit u përplasën për emrat që do ta përbëjnë këtë institucion të rëndësishëm. / Gazeta Blic