Opozita, parkingu e fyerjet
Gjilan – Mëngjesi i sotëm në shkollën e muzikës (aty ku unë punoj si pedagoge), sa ishte qesharake aq ishte edhe frustruese e degraduese. Ishte fakt i gjallë që edhe njëherë shumë individë janë përmbi ligjin, e ky i fundit favorizon individë të caktuar.
Siç e dini të gjithë ju qytetarë Gjilanas, parkingu i shkollës është ekskluzivisht për të punësuarit. Madje, për ata që kinse harrojnë këtë fakt, është një tabelë e madhe që rikujton këtë.
Më vjen keq që po i bëj reklamë disa individëve, por kështu e do rendi.
Asambleisti i PDK-së z. Riad Rashiti, përpos që nuk respekton shenjat, rregullat bazë, por ai është edhe impulsiv( po e zbus pak termin, se me gjasë është shumë më shumë se i paedukuar, mos përfillës e injorant).
“Kuçkë e vogël”, “Ec shtyju”, madje arriti të vlerësonte edhe gjendjen time emocionale, duke u shprehur “paske probleme emocionale, personale”. Për më shumë pati guxim që të godiste me qëllim veturën time.
Këto ishin disa nga fyerjet e tij që më bëri tek parkingu I shkollës, përderisa kërkonte nga unë që të heqja veturën time prej aty, në mënyrë që ai ta parkonte të tijen.
Neglizhenca, vrazhdësia dhe fyerjet e tij janë tregues të qartë që z. Rashiti mund të ketë edhe pushtet mbi ligjin, por një gjë le të jetë e qartë, ai nuk ka të drejtë të jetë pasqyrë e qytetarëve, dhe ta shfrytëzojë pozitën e asambleistit për të tilla gjëra.
Për më shumë afërsia e tij me drejtorin e shkollës së muzikës, z. Kushtrim Jakupi, e mbi të gjitha afërsia akoma më e madhe me sekretarin e shkollës z. Emin Rahimi, bëri që akoma më shumë fyerjet e tij të gjenin mbështetje, madje unë të akuzohesha se pse kisha lajmëruar policinë.
E çuditshme, me ta kuptuar drejtori i shkollës që bëhej fjalë për zotin Rashiti, heshtja u bë akoma më e fuqishme, dukë u dëshmuar kështu edhe njëherë që fuqia e pushtetit të manipulimit, frikës dhe padrejtësisë e veçmas njohjeve personale, është më e fortë se ligji, se edukata e veçmas më e fortë se çdo dialog i mirëfilltë njerëzor.
A.I. pedagoge e shkollës së muzikës


