Opozita kërkon seancë për ndaljen e dialogut

Subjektet opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën” kanë dalë me qëndrime të përbashkëta kundër vazhdimit të dialogut me Serbinë, me ç’rast kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.
Përfaqësuesit e këtyre tri subjekteve kanë thënë se është e pakuptimtë të vazhdohet dialogu në kohën kur Serbia mban në fuqi urdhërarrestet kundër figurave kryesore politike të Kosovës, kur ndërton mure ndarëse në Mitrovicë dhe kur nis trena ilegalë në drejtim të Kosovës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Këto qëndrime i kanë shprehur të martën shefat e grupeve parlamentare të këtyre tri partive në një konferencë të përbashkët për medie.
Shefja e Grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Bajrami, ka thënë se pas provokimeve të fundit nga ana e Serbisë dhe pas shkuarjes së kryeministrit dhe presidentit për bisedime në Bruksel, subjektet opozitare kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.
“Shkuarja në dialog është një nënshtrim i ri. Mustafa e Thaçi kanë humbur legjitimitetin, pasi është dashur që të marrin leje nga Kuvendi për të shkuar në bisedime. Ne kërkojmë që ky dialog të pezullohet dhe të rishqyrtohet”, është shprehur Bajrami.
Më tej, ajo ka thënë se deri tani kanë mbledhur vetëm 31 nënshkrime, ndërsa për thirrjen e seancës duhen 40.
“U bëjmë thirrje deputetëve që ta nënshkruajnë këtë iniciativë, sepse ky dialog po i shkakton vetëm dëme Kosovës dhe për këtë e dimë që pajtohen edhe shumë deputetë të pozitës”, ka shtuar deputetja e “Nismës” duke thënë se duhet mbajtur zgjedhje të reja dhe më pas Qeveria e re duhet të marrë drejtimin e dialogut.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca ka thënë se asnjëri nga të tria premtimet e dhëna para fillimit të dialogut nuk janë realizuar./zeri/