Uji Dea

Komandanti i KFOR-it, Ulutas: Krenar për përkushtimin e kombit tim për ruajtjen e paqes dhe mbështetjen misionit të NATO-s në Kosovë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori Ozkan Ulutas, ka qëndruar në selinë e NATO-s në Bruksel, ku ka informuar ambasadorët e të gjithë aleatëve të NATO-s, si dhe partnerët që kontribuojnë me trupa në misionin e KFOR-it.

Komandanti në largim ka thanë se KFOR-i është operacioni më i madh i NATO-s sot dhe më i gjati në historinë e Aleancës.

“Mandati im si Komandant i Forcës Paqeruajtëse në Kosovë po përfundon. Do të doja të shfrytëzoj rastin për të reflektuar për atë që ka qenë një vit plot ngjarje, për mua personalisht si komandant i parë turk i një misioni të NATO-s dhe për situatën e sigurisë në Kosovë, të cilën KFOR-i vazhdon ta mbështesë”, ka thënë Ulutas.

Gjenerali turk ka thënë se në muajt e kaluar, ka parë qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e popullit të Kosovës përtej historisë së tyre komplekse.

“Pavarësisht dallimeve të tyre, të gjitha komunitetet në Kosovë ndajnë një shpresë të përbashkët për një të ardhme paqësore dhe prosperuese”, ka thënë gjenerali Ulutas, transmeton Telegrafi.

Më tej ai ka thënë se “kam pasur privilegjin të punojë së bashku me burrat dhe gratë e përkushtuara të KFOR-it nga 29 vende – duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s, të cilët mishërojnë profesionalizëm dhe një ndjenjë të thellë përkushtimi ndaj misionit tonë”.

“Fatkeqësisht, shumë sfida mbeten. Tensionet ende ziejnë dhe mosbesimi midis komuniteteve pengon përparimin. Dialogu politik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës vazhdon të përballet me pengesa. Në këtë drejtim, NATO dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizë për një zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e pazgjidhura”, ka thënë Ulutas.

Komandanti i KFOR-it tha se mbetet optimist se – me durim, këmbëngulje dhe qëndrim konstruktiv nga të gjitha anët – këto pengesa mund të kapërcehen.

Uji Dea

“Gjatë komandës sime, KFOR-i ka ruajtur me sukses paqen dhe sigurinë në mbarë Kosovën, në përputhje me mandatin tonë të gjatë të OKB-së. Nëpërmjet një qëndrimi të dukshëm, fleksibil dhe të adaptueshëm, ne kemi parandaluar rreziqet për dhunë të përtërirë dhe kemi kontrolluar me shpejtësi situata që mund të çojnë në incidente ose përshkallëzime të tjera”, ka thënë ai.

Tutje Ulutas ka deklaruar se “ne kemi përforcuar më tej misionin dhe kemi vazhduar rolin tonë si një forcë e paanshme, duke punuar me të gjitha komunitetet për të nxitur sigurinë dhe sigurinë, për të gjithë njerëzit. Dhe ne kemi vazhduar të ofrojmë mjedisin e sigurt të nevojshëm për përpjekjet diplomatike për të ecur përpara”.

“Një pikë kryesore e mandatit tim ishte mbikëqyrja e koordinimit të KFOR-it me një gamë të gjerë homologësh: BE-në, OSBE-në, OKB-në, institucionet në Kosovë, komunitetin diplomatik në përgjithësi dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe. Ky bashkëpunim mbetet kritik, për të mirën e sigurisë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal. Ndërsa largohem nga Kosova, marr me vete përvoja të jashtëzakonshme – profesionale dhe personale”.

“Si gjeneral turk, jam krenar për përkushtimin e gjatë të kombit tim për ruajtjen e paqes dhe mbështetjen që i kemi dhënë misionit të NATO-s në Kosovë”, tha ai.

Tutje gjenerali Ultas tha se “kjo përvojë më ka thelluar të kuptuarit se sa kritik janë bashkëpunimi dhe besimi ndërkombëtar për ruajtjen e paqes në mjedise komplekse. Për të gjitha komunitetet në Kosovë, mesazhi im është mesazhi i shpresës dhe këmbënguljes. I bëj thirrje të gjitha komuniteteve që të vazhdojnë përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim”.

“Zhvillimi i dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbetet vendimtar dhe besoj fuqimisht se është e mundur. Megjithatë, kjo kërkon guxim dhe përkushtim të vërtetë nga të dyja palët. Ky dialog nuk është vetëm një domosdoshmëri politike, por edhe një imperativ moral për hir të brezave të ardhshëm”, ka thënë ai.

Në mbyllje të fjalës së tij ai ka shprehur mirënjohjen për gjithë popullin e Kosovës dhe komunitetin e KFOR-it, për mbështetjen gjatë mandatit të tij si komandant i misionit.

“E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja dhe besoj se kjo e ardhme mund të jetë e ndritur”, ka thënë ai. /Telegrafi/