Opozita kërkon dialog të riformatuar me Qeveri tjetër

Bisedimet Kosovë-Serbi, të kushtëzuara nga situata politike
. Koalicioni antikushtetues e ka humbur të drejtën e negocimit
“Konsiderojmë se dialogu duhet të jetë në format tjetër, me një Qeveri që e gëzon autoritetin e popullit të Kosovës dhe, po ashtu, një Qeveri që i mbron interesat e Kosovës”, tha nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi
Bashkimi Evropian tashmë e ka konfirmuar se në pjesën e dytë të muajit janar do t’i ftojë të takohen dy kryeministrat, Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Federica Mogherini, e ka konfirmuar këtë takim. Mogherini ka përzgjedhur dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë në mesin e 15-të të arriturave më të mëdha të cekura në blogun e saj.
Ajo i vlerëson lart marrëveshjet e arritura në mes Kosovës dhe Serbisë në procesin negociues për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Megjithatë, kriza politike në Kosovë dhe kundërshtimi i marrëveshjeve me Serbinë, mund të ndikojë në shtyrjen e procesit të dialogut.
Ndryshe nga Mogherini, e sheh opozita procesin negociues, dhe sidomos marrëveshjen e dalë nga ky proces për krijimin e Asociacionit apo të ashtuquajturës “Zajednicë”. Reagimet janë ashpërsuar, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konfirmoi se marrëveshja në fjalë nuk është në frymën e Kushtetutës së Kosovës./kosova sot/