Opozita i përgjigjet Kadri Veselit, për 1 shtatorin!

Ani pse Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në një intervistë për media ka thënë se Marrëveshja e Demarkacionit do të kalojë më 1 shtator, opozita vazhdon ta mohojë këtë gjë, shkruan Gazeta Blic.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, ka thënë se Veseli, Thaçi e Mustafa duhet të japin përgjegjësi ligjore, historike për tradhtinë që po ia bëjnë shetetit.
Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj ka thënë për Gazetën Blic se Veseli më mirë se kushdo tjetër e di arsyen se pse nuk duhet të kalojë Marrveshja e Demarkacionit.
“Marrëveshja as me 1 shtator e as kurdo që të vjen për përgjigjen e Kuvendit nuk do të duhet ta ketë pozitive. Arsyen pse, e di më mirë se kushdo tjetër edhe Kadri Veseli. Andaj mos t`i bëjmë lojëra të rrezikshme vendit, për interesa ditore. Do të jesh mirë me krejt botën kur je mirë dhe në vijë me popullin tënd. Kryetarit të Kuvendit i bëjë thirrje që ai të fol me të vërtetën e qytetarëve të Junikut, Deçanit, Pejës e Istogut. Sepse, nesër na duhet të jemi bashkë për ta ruajtur tërë kufirin me Serbinë. Nëse sot lëshojmë pe me Malin e Zi, do të rriten apetitet e Serbisë, siç ka ndodhur në çdo epokë”, tha Lekaj, transmeton Gazeta Blic.
Deklaratën e tij më tej, Krasniqi e ka vazhduar duke thënë se nëse vazhdon insistimi për kalimin e Demarkacionit, situata do të del jashtë kontrollit.
“Z. Veseli, bashkë me Hashim Thaçin e Isa Mustafën duhet të japin përgjegjësi ligjore e historike për tradhtinë që po ia bëjnë shtetit dhe kombit tonë. Z. Veseli duhet të japë llogari bashkë me shokët e tij për aferat kriminale që po dalin përditë në publik. E nëse z. Veseli bashkë me Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin insistojnë me çdo kusht ta kalojnë demarkacionin që Kosovën e lë me mbi 8000 hektarë më pakë, atëherë situata do të dal nga kontrolli dhe përgjegjësinë për këtë do ta mbajë vetë z. Veseli” tha Krasniqi.
Veseli ka theksuar se më 1 shtator do të bëhet një vendimmarrje historike për vendin. /Gazeta Blic