Eko Higjiena

Opozita e zbehur në Gjilan dhe një pushtet pa kundërshtim serioz

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Në një demokraci funksionale, opozita konsiderohet zëri kritik që mban në ekuilibër pushtetin dhe e detyron atë të japë llogari për çdo vendim. Mirëpo në Gjilan, për shumë qytetarë, ky rol duket se është zbehur ndjeshëm. Heshtja e opozitës ndaj zhvillimeve në komunë po ngre pikëpyetje të shumta mbi funksionimin real të debatit politik lokal.

Edhe pse zhvillimet në qeverisjen komunale nuk janë të pakta, reagimet e opozitës kanë qenë sporadike dhe kryesisht të kufizuara brenda sallës së Kuvendit Komunal apo në disa paraqitje të rralla mediatike. Kjo ka krijuar perceptimin tek qytetarët se opozita po tregohet e tërhequr dhe pa energjinë e nevojshme për të ushtruar presion politik ndaj pushtetit lokal.

Kryetari i komunës, Alban Hyseni, i cili shpesh është etiketuar nga kritikët si një “administrator i qytetit”, po vazhdon mandatin e tij të dytë në një klimë relativisht të qetë politike. Sipas disa vëzhguesve lokalë, mungesa e reagimeve të forta opozitare ka krijuar një situatë ku kritika publike ndaj qeverisjes mbetet e zbehtë.

Ndërkohë, qytetarët shprehin shqetësime për mungesën e zhvillimit dhe projekteve të dukshme në qytet.

Hidromorava

Dauti, një banor i vjetër i Gjilanit, vlerëson se heshtja e opozitës në fakt po e forcon pozitën e pushtetit lokal.
“Me këtë qasje, opozita rrezikon të mbetet në të njëjtin rol edhe për shumë vite të tjera”, thotë ai me një dozë ironie.

Edhe Mensuri, një tjetër qytetar, shprehet i zhgënjyer me situatën politike në qytet. Sipas tij, përgjegjësia për gjendjen aktuale nuk bie vetëm mbi pushtetin.

“Nuk e kuptoj këtë heshtje të opozitës. Kur problemet janë të dukshme dhe investimet minimale, edhe opozita mban një pjesë të përgjegjësisë për këtë situatë”, thekson ai.

Në këtë klimë politike, shumë qytetarë presin një opozitë më aktive dhe më të zëshme, e cila do të artikulojë qartë shqetësimet e komunitetit dhe do të rikthejë debatin publik për zhvillimin dhe të ardhmen e qytetit./rajonipress/