Mobi Casa

“Opinione I”, libër që i referohet aktualitetit dhe sfidave shtetformuese

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Libri përmbledhës “Opinione I” i autorëve Flamur Hyseni dhe Burim Haliti i ofrohet lexuesit si përmbledhje e punimeve të përbashkëta dhe individuale të cilat janë publikuar në revista mujore, gazeta ditore dhe portale brenda periudhës kohore prill 2008 – prill 2012.

“Opinione I” me të drejtë mund të quhet si një libër publicistik që i referohet aktualitetit dhe sfidave shtetformuese. Tashmë libri ka dalur nga shtypi ku dy autorët e librit me një profesionalizëm të madh dhe me një përkushtim kanë trajtuar tema nga fusha të ndryshme, por që kanë spikatur jetën aktuale të shtetëndërtimit të Kosovës, e cila ende po ballafaqohet dhe po sfidohet me probleme të natyrave nga më të ndryshmet.

Siç janë shprehur dy autorët në hyrjen e librit punimet e tyre janë të punuara sipas metodave që kërkohen në procesin e shkrimit akademik, duke përdorur metodat analitike, krahasimore, narrative, hulumtuese dhe normative.

Edhe Hyseni edhe Haliti janë shprehur se libri i tyre proklamon frymën dhe bashkëpunimin e tyre të ngushtë duke trajtuar shumë çështje ligjore, ekonomike, politike dhe sociale.

Recensenti i librit Musa Sabedini ka thënë se ajo që e bënë librin të vlefshëm në aspektin kohor, dhe të vlefshëm edhe në aspektin trajtues mbeten temat e shtjelluara jashtëzakonisht me një gjuhë argumentuese. “Duke qenë se dy autorët i përkasin fushës së juridikaturës ata kanë arritur që në opinionet e tyre të ofrojnë argumente,alternativa dhe kritika konstruktive për të gjitha temat tabu që e kanë përcjellur Kosovën gjatë kësaj periudhe” është shprehur Sabedini.

Sipas Sabedinit opinionet e tyre janë më të qëndrueshme edhe për faktin se ana kritike e tyre, që aq kujdesshëm i kanë prezantuar, mbulohet gjithmonë me ide, e propozime konkrete, madje duke ofruar edhe zgjidhje dhe alternativa të sakta e afatgjata për secilën temë që e kanë proklamuar para publikut.

“Vetë fakti se punimet e këtyre dy autorëve janë botuar në mediet më serioze dhe agjencitë e lajmeve tregon se opinionet e tyre kanë pasur pika referente dhe bindëse. Opinionet e Flamur Hysenit dhe Burim Halitit jo vetëm që kanë vlerë në aspektin kohor,por ato shënojnë një zhvillim të ri edhe në fushën e publicistikës moderne. Punimet e tyre janë edhe të guximshme dhe shpeshherë kryeneçe në kuptimin pozitiv” ka thënë gazetari dhe publicisti Sabedini.

Hidromorava

Sabedini ka shtuar se opinionet e paraqitura të këtyre dy autorëve kanë synuar një vetëdijesim të atyre që e udhëheqin shtetin, kanë synuar një sensibilizim dhe një shtytje edhe ndaj atyre që bëjnë ligje, por edhe të atyre që hartojnë projekte kombëtare e vendosin për fatin e një komuniteti apo një shoqërie të tërë.

“Të trajtosh të drejtat e fëmijëve, liritë fetare në Kosovë, trazirat sociale, pastaj të shkruarash për demokratizimin e partive politike, ta trajtosh problemin e Mitrovicës veriore, rëndësinë e tatimeve në Kosovë e tema tjera aktuale, kjo dëshmon se këta dy autor janë në hap me kohën dhe gjeneratave të reja u kanë lënë një dosje të kompletuar edhe për ndërtimin e shtetit , sundimin e ligjit , sovranitetin shtetëror dhe për demokracinë kosovare” ka nënvizuar Sabedini.

Libri përmbledhës “Opinione I” është i strukturuar në tre kapituj dhe ka 265 faqe.

Në kapitullin e parë janë të përmbledhura punimet si bashkëautor, përmes të cilave punime trajtojnë çështje të cilat kanë të bëjnë me aspekte ligjore, politike dhe ekonomike të fushave të ndryshme shoqërore.

Në kapitullin e dytë janë të përmbledhura punimet e autorit Flamur Hyseni, përmes të cilave punime trajtohen çështje ligjore, kushtetuese dhe politike.

Në kapitullin e tretë janë të përmbledhura punimet e autorit Burim Haliti, përmes të cilave punime trajtohen çështje ligjore, financiare dhe politike. /rajonipress/