RCCOLA

Online problemet

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Studentët e UP’së kanë rënë në hall të madh. Disa prej tyre ia panë sherrin paraqitjes së provimeve online. Për shkak të mosfunksionimit të sistemit elektronik, shpesh thonë se u ndodh ta humbin afatin. E zyrtarë të IT’së aty vlerësojnë se sistemi është në rregull. Sipas tyre janë studentët që nuk dinë të punojnë me kompjuter.

Kanë rënë në hall. Reformat e reja dhe avancimi në teknologji veç çka ia ka vështirësuar punën studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Kjo pasi mundësia e re që ata të paraqesin provimet në mënyrën elektronike atyre nuk po u bën hair, por është duke u shkaktuar shumë telashe.

Disa si me zor, e disa prej studentëve ndodh që për shkak të paraqitjes online edhe i humbin afatet e provimeve, përkundër se janë të përgatitur për to, pavarësisht se zyrtarë të UP nuk po e pranojnë një gjë të tillë. Sipas tyre sistemi elektronik është në rregull dhe se ata që ankohen janë studentë që nuk po dinë të punojnë në mënyrën elektronike.

Arbnor Gashi, student i psikologjisë thotë se ka hasu në shumë probleme kur ka dashur t’i paraqesë provimet në mënyrë elektronike, pasi disa herë ka provuar më kot paraqitjen e tyre, duke humbur kështu edhe afatin e provimeve. “Unë sot provova prapë dhe prapë nuk më bëri tamam me i paraqit provimet. Kam dëgjuar dhe prej kolegëve tjerë që probleme po ka ende, por nuk e di pritet me i rregullu”, ka thënë Arbnora. “I kem pa disa lajmërime që na kanë premtuar që ka m’u zgjedh kjo çështje shumë shpejt, edhe na kanë thënë që nuk do të shtyhen afatet e provimeve, por do të provohet te opsioni i dytë nuk e di çfarë është ai opsion, mirëpo kështu na kanë premtuar sipas lajmërimeve”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Merita Gjini, studente në Fakultetin Filozofik është shprehur se ka disa ditë që nuk po funksion sistemi elektronik për të paraqitur provimet, andaj për disa provime edhe është shtyrë afati. “Po në fillim ka qenë pak më e mirë për me muajt m’i paraqit provimet, mirëpo pas disa kohësh është paraqit problemi. Sistemi elektronik për paraqitje të provimeve ka vazhduar një kohë, por po më duket që tash prapë është lëshu. Munden m’i paraqit ata që kanë mbet pa i paraqit provimet. Kjo ka ndikuar që edhe me i shty provimet për një kohë. Ka raste që nuk bën, ama duhet me shku me fol tek referentët ku këta po mundohen me e zgjidh këtë problem”, ka thënë Gjini.

RCCOLA

Edhe për Haxhi Vasajn, student në Fakultetin Filozofik, paraqitja elektronike e provimeve është e mundimshme dhe i merr disa ditë kohë. “Paraqitja e provimeve nuk është në mënyrë perfekte. Duhet sigurisht një ditë, dy ditë për me nejt gjithë kohën për me i paraqit dy-tri provime. Kjo është pak bajate për studentët me prit. Kanë me shku në bibliotekë me msu”, sqaron ai. “Sistemi elektronik dhe administrativ janë të ndërlikuara tepër. Shumë herë ka ndodhur janë shtyrë provimet, s’kemi pas edhe lajmërime, kështu qe s’kemi mujt me i paraqit provimet në mënyrë elektronike me sistemin e kartelave ID-ve”, ka thënë Vasaj.

Ndryshe nga studentët, drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, Isak Shabani, ka thënë se numri i atyre që kanë bërë ankesa, gjegjësisht atyre që nuk kanë mundur t’i paraqesin provimet e tyre në mënyrën elektronike ka qenë i vogël, në krahasim me ata që i kanë paraqitur. Ai pohon se për paraqitje online të provimeve afatet kanë qenë nga data 11 deri më 15 janar në Fakultetin Filozofik, Ekonomik, Teknik, të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

“Për studentët të cilët kanë pasur probleme, ne në kohë kemi plasu manuale. Ne rekomandojmë që ata të lexojnë paraprakisht manualin që mund ta zbresin nga cilado faqe e njësive akademike apo fakultetit përkatës, si dhe i kemi vënë një e-mail adresë, në dispozicion në çfarëdo kohe që shkruajnë shumë shpejt marrin përgjigje për problemet e tyre që kanë”, ka thënë Shabani.

Sipas tij, ata kanë bërë përgatitjet e duhura dhe se sistemi çdoherë është funksional dhe se, si çdo sistemit tjetër, edhe këtij elektronik nuk mund t’i qasesh pa respektuar udhëzimet, të cilat edhe ata studentë që kanë pasur probleme duhet t’i mësojnë, siç i kanë mësuar shumica e studentëve të tjerë.(express)