Objekti fetar nuk do “të prejë” pare

Xhamia e re që do të ndërtohet në lagjen “Ulpiana” nuk do t’i ngjasojë “Albi Mall”-it, sikurse është shkruar në njërën nga mediat kosovare, ka thënë sekretari i Bashkësisë Islame, Resul Rexhepi, i cili, këtë kundërshtim e referon në konkursin ndërkombëtar për planin ideor që është hapur para disa ditëve nga Bashkësia Islame në Kosovë, pikërisht për ndërtimin e kësaj xhamie.
Sipas tij, ky krahasim është fyerje për Bashkësinë Islame, edhe pse, nuk e kundërshton idenë se kjo xhami do të ketë edhe objekte përcjellëse, të cilat do t’i krijonin mirëqenie objektit fetar, që deri në një masë të hyrat që do të qarkullonin do të reflektonin në kryerjen e disa obligimeve të shërbimeve komunale.
“Nuk është e vërtetë se do të jenë 200 objekte afariste në kuadër të xhamisë, kjo nuk është paraparë as në kornizat e Bashkësisë Islame, të cilës duhet t’u referohen arkitektët që duan të konkurrojnë për këtë objekt fetar”, ka thënë Rexhepi, edhe pse, sipas tij, nuk e di përmendësh numrin e objekteve përcjellëse të kësaj xhamie.
“Objekte afariste që janë quajtur objektet përcjellëse të xhamisë së re në ‘Ulpianë’, dedikohen si objekte kulturore që do të jenë pjesë e xhamisë. Nuk është objekt afarist një dhomë e konferencave apo një dhomë për kompjuterë”, ka thënë Rexhepi.
Mirëpo, sipas tij, pashmangshëm duhet të ekzistojë një restorant brenda këtij objekti, apo ndonjë lokal i tipit të çajtores, ku një pjesë e familjes mund të kryejë obligimet fetare, kurse pjesa tjetër, në këtë rast, sikurse janë fëmijët mund të qëndrojnë në njërin nga këto lokalet, ka shpjeguar Rexhepi. Po ashtu, ai ka marrë shembull edhe ekzistimin e filialeve bankare në kuadër të këtij objekti, të cilat besimtarëve do t’u mundësonin edhe kryerjen e ndonjë shërbimi bankar.
Ndërkaq, se sa lejohet krijimi i një biznesi brenda një objekti fetar, Rexhepi ka thënë se me Sheriat lejohet një gjë e tillë, pasi që me ekzistimin e një biznesi krijohen edhe të ardhurat që janë në të mirë të Shtëpisë së Zotit.
“Objekti kërkon shpenzime, andaj këto shpenzime është mirë që të hiqen edhe nga qarkullimi i brendshëm”, ka thënë Rexhepi.
Në anën tjetër, për konkursin ndërkombëtar që është hapur gjatë këtyre ditëve dhe fituesi do të dihet më 22 mars të vitit tjetër, sipas Rexhepit, është një periudhë optimale. Konkursi ka përfshirë tri vende: vendi i parë shpërblehet me 25 mijë euro, vendi i dytë me 15 mijë euro dhe vend i tretë me 10 mijë euro.
Pa mbylljen e konkursit të planit ideor, sipas Rexhepit, nuk dihet edhe kostoja e ndërtimit të objektit. “Jemi në fazën e parë, pas mbylljes së konkursit, do t’i kemi më të qarta hapat e mëtutjeshëm”, ka thënë Rexhepi, duke mos specifikuar as periudhën e fillimit të punës.
“Jemi në kërkim të ndërtimit të një xhamie me standarde shumë të mira. Shpresojmë që do të kemi një objekt ku do të gërshetohen elementet islame, osmane me ato shqiptare. Me këtë ide bëjmë gërshetimin e kulturave”, ka thënë Rexhepi.
Në anën tjetër, Fuad Ramiqi, nga lëvizja “Bashkohu”, duke kujtuar për gazetë se meritat për ndërtimin e këtij objekti fetar, i ka pikërisht lëvizja “Bashkohu”, idenë e ekzistimit të objekteve afariste brenda një objekti fetar e kundërshton fuqishëm, pasi që, sipas tij, lëvizja e tij e kundërshton dhe do të vazhdojë të kundërshtojë çdo aktivitet të biznesit që i sjell përfitime materiale xhamisë.
Se nëse nuk është hallall sipas aspektit fetar ekzistimi i objekteve afariste brenda një objekti fetar, Ramiqi ka thënë se nuk është aq profesionist sa të gjykojë në këtë pikë. Mirëpo ai ka thënë se ai është për objekte përcjellëse në kuadër të xhamisë, por për objekte të domosdoshme që do të shërbejnë objektit fetar.(zeri)