O me hatër, o me zor!

Anëtarësimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar pritet t’ia shohin hairin edhe futbolli dhe basketbolli kosovar. Kosova pritet ta shfrytëzojë të drejtën e saj që të kërkojë nga UEFA e FIFA, si dhe nga FIBA që t’i harmonizojnë statutet e tyre me Kartën Olimpike, dhe si rrjedhojë e kësaj, këto organizata mund ta njohin Kosovën
Viti 2014 ishte superior për sportin kosovar, i cili me të madhe e theu izolimin. Një numër i konsiderueshëm i Federata sportive të Kosovës u anëtarësua në Federatat përkatëse ndërkombëtare, por vlen të theksohet anëtarësimi i plotë i Komitetit Olimpik i Kosovës (KOK) në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON), me ç’rast filluan të ndërkombëtarizohen edhe sportet tjera kosovare, që kishin ngecur në këtë proces.
Por, udhëheqësit e sportit në vend janë të bindur se gjatë vitit që po vjen do të ndërkombëtarizohen të gjitha sportet kosovare, të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Madje, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, është i bindur se edhe futbolli dhe basketbolli kosovar do të ndërkombëtarizohen gjatë vitit 2015, ndonëse deri më tani ishin sportet që ballafaqoheshin me vështirësitë më të mëdha dhe të papërballueshme në këtë proces, që ka nisur qe shumë vjet.
“Jam i sigurt se basketbolli do të pranohet ndërkombëtarisht pas vitit të ri. Për këtë kam marrë premtime. Ndoshta një herë me të drejta të përkohshme, por shumë shpejt do të pranohet edhe me të drejta të plota”, ka deklaruar për “Zërin” Hasani.
Ai thekson se edhe UEFA e FIFA do të detyrohen ta njohin Kosovën gjatë vitit që po vjen, pasi në të kundërtën do ta dëmtojnë kredibilitetin e KON-it, i cili tashmë e njeh Kosovën, dhe do të ishte e pakuptimtë nëse të njëjtën gjë nuk do ta bëjnë edhe këto dy organizata të futbollit.
“Edhe futbolli do të pranohet në vitin 2015. Pasi ne si Komitet Olimpik jemi pranuar në KON, të
gjitha sportet në Kosovë do të pranohen ndërkombëtarisht. S’ka se si të veprojë as futbolli ndryshe”, thotë Hasani.
“FIFA e UEFA duhet ta gjejnë një zgjidhje, nëse është nevoja edhe t’i ndryshojnë statutet e tyre, nëse arrihen 2/3-at e votave, pasi statuti aktual i këtyre dy institucioneve nuk përputhet me Kartën Olimpike”, nënvizoi ai.
Nëse këtë nuk e bëjnë UEFA e FIFA, atëherë ndryshimet statusore të tyre do të kërkohen prej anëtares më të re të KON-it, Kosovës. “Si kryetar i KOK-ut, unë kam të drejtë të kërkoj harmonizimin e statutit të federatave të ndryshme me Kartën Olimpike. Këtu e shoh mundësinë që të përfitojnë Federata e Futbollit e Kosovës dhe Federata e Basketbollit e Kosovës”, u shpreh Hasani./zeri/