Fundamenti

Nxënësit shqiptarë nga Suedia vizitojnë Gjilanin

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Komunën e Gjilanit e kanë vizituar një grup i nxënësve dhe studentëve shqiptarë që jetojnë në shtetin e Suedisë të shoqëruar edhe nga dy mësues e atjeshëm, Sylejman Berisha dhe Faik Abdyli nën përcjelljen e zyrtares së ministrisë për Diasporë znj.Shpresa Shasivari, me ç’rast kanë vizituar Drejtorinë Komunale të Arsimit, ku janë pritur nga drejtori i kësaj drejtorie. Grupi i nxënësve nga Suedia më pas kanë vizituar edhe shkollën e mesme të Gjimnazit “Zenel Hajdini” si dhe Fakultetin e Edukimit.

Gjatë vizitës në DKA, drejtori i kësaj Drejtorie, Bujar Nevzati, i ka falënderuar për vizitën duke i informuar për të arriturat e arsimit gjilanas për këtë periudhë të shkurtër pas çlirimit të vendit. Poashtu ai tha se gjatë qeverisjes së kryetarit të Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa janë ndërtuar shtatë shkolla, katër anekse shkollore, dy salla sportive, investime të shumta në arsim si në oborret sportive, infrastrukturë tjetër përcjellëse, furnizime të ndryshme me teknologji informative etj.

Gjithashtu Nevzati ka thënë se së bashku me punëtorët e arsimit dhe me nxënësit është krijuar një atmosferë e mirë brenda shkollave tona, është ngritur niveli i disiplinës, pastërtia është në nivelin e duhur, shkollat më nuk janë të ndikuara nga politika, pranimi i kuadrit mësimor por edhe regjistrimi i nxënësve bëhet në përpikëri nga rregullat e krijuara së bashku. Edhe sa i përket sukseseve të tjera jemi në mesin e Komunave të para të Kosovës me sukses të mirë. Në mënyrë telegrafike drejtori Nevzati i njoftoi ata edhe me numrin e banorëve, me të arriturat, sfidat si dhe me ambiciet që ka komuna e Gjilanit për të ardhmen, por edhe për gjendjen në kohën e luftës dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës etj.

Mobi Casa

Një vizitë i kanë bërë edhe shkollës së mesme të gjimnazit “Zenel Hajdini”, ku nxënësit u pritën nga drejtori i shkollës Sami Hoxha, duke ju dëshiruar mirëseardhje i ka informuar nxënësit me historikun e shkollës dhe të arriturat e saj në fusha të ndryshme. Ai ka falënderuar të gjithë që janë në diasporë edhe për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare atje.

Poashtu një vizitë ata kanë bërë edhe në Fakultetin e Edukimit ku janë pritur nga prodekani Zeqir Shaqiri dhe stafi akademik i fakultetit./rajonipress/