FIDANISHTJA

Nxënësit janë mirë

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Është rrokullisur një autobus me 65 nxënës të Shkollës së Mesme të Muzikës “Prenk Jakova”. Aksidenti ka ndodhur në Shtërpcë, derisa nxënësit po shkonin nga Prishtina për në Prevallë. Përveç disa lëndimeve të lehta trupore, gjendja e nxënësve raportohet të jetë e mirë. E pos autobusit, policia raporton se në gjithë Kosovën kanë ndodhur edhe shumë aksidente të tjera për shkak të reshjeve të vazhdueshme të borës.

U nisën për të kaluar një vikend në qendrën turistike të Prevallës, por nuk arritën atje. 65 nxënësit e Shkollës së Mesme të Muzikës “Prenk Jakova” u ballafaquan me një aksident. Autobusi me të cilin ata morën rrugë prej Prishtinës për në Prevallë u rrokullis në Shtërpcë. Por, për fat të mirë nuk u lëndua askush, përveç që morën disa lëndime të lehta trupore.

Lajmin e ka konfirmuar për Express edhe policia e cila menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes.

Togeri Xhavit Xhokli, përgjegjës për trafikun rrugor, i ka thënë gazetës se ngjarja ka ndodhur rreth orës 11 të ditës së shtunë. “Kemi marrë një informatë se një autobus që po bartte disa udhëtarë ka rrëshqitur si pasojë e akullit që ndodhet nëpër rrugë dhe është rrokullisur nga ana e djathtë e rrugë duke dalë në anën e kundërt të saj”, ka konfirmuar Xhokli të shtunën për Express.

Ai thotë se policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. “Sapo kemi dalë atje, kemi parë që bëhet fjalë për një grup nxënësish që ishin nisur për në Prevallë”, sqaron Xhokli. Ai tha se të gjithë nxënësit e lënduar janë transportuar me tri autoambulanca në drejtim të Shtëpisë së Shëndetit të Shtërpcë dhe gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. “Nxënësit me ndihmën e banorëve dhe të policisë janë dërguar nga aty për në shtëpinë e shëndetit në Shtërpcë”.

Disa prej nxënësve, sipas togerit Xhokli, janë ndaluar aty, disa të tjerë janë dërguar për në spitalin e Ferizajt, derisa shumica sipas tij janë liruar menjëherë për në shtëpi. “20 nxënës kanë vazhduar të trajtohen në Shtërpcë, 30 të tjerë i kemi dërguan në spitalin e Ferizajt, kurse të tjerët pas trajtimit mjekësor janë liruar për në shtëpi”, vlerëson Xhavit Xhokli. “Por, sipas informacioneve që kemi marrë prej mjekëve, nuk ka vend për shqetësim. Të gjithë nxënësit që ndodheshin në autobus kur ka ndodhur aksidenti, janë në gjendje të mirë shëndetësore. Disa kanë marrë lëndime të lehta e disa të tjerë janë shumë mirë”, pohon ai.

UBT

Sipas Xhoklit, dyshimi kryesor i shkakut që shkaktoi këtë aksident është bora dhe akulli në rrugë. Megjithatë, sipas tij, në vendin e aksidentit tashmë kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse policore, të cilat po merren me rastin dhe “rrethanat e aksidentit po hetohen. Në vendngjarje menjëherë ka mbërritur policia, e cila po punon për zbardhjen e plotë të aksidentit”, pohon ai.

E përveç policisë, rastin e ka konfirmuar edhe njerëzit që ndodheshin aty në momentin kur autobusi ka rrëshqitur duke dalë nga njëra pjesë e rrugës tek ana tjetër, e më pas është rrokullisur. Një person i pranishëm në vendin e ngjarjes, i cili kishte dalë për t’u ofruar ndihmë, ka thënë për Kosovapress se autobusi me 65 nxënës është rrokullisur derisa po shkonte në Prevallë. Sipas tij, nxënësit të cilët gjendeshin në autobus kanë marrë lëndime, mirëpo janë jashtë rrezikut për jetë. Ky dëshmitar ka thënë se autobusi që po barte nxënësit ka rrëshqitur nga rruga në një kthesë.

Sidoqoftë ky nuk është aksidenti i vetëm që ka ndodhur në Kosovë si pasojë e borës. Bora që po bie në Kosovë e ka vështirësuar dukshëm komunikacionin rrugor. Vetëm gjatë mbrëmjes të premtes kur edhe kanë nisur të reshurat e borës e deri të shtënën kanë ndodhur më shumë se 10 aksidente. Të premten në mbrëmje kanë ndodhur rreth 15 aksidente vetëm në Sllatinë derisa Të shtunën në magjistralen Prishtinë-Podujevë , një veturë është rrokullisur dhe dy tjera janë përplasur. Nga këto dy aksidente thuhet se kana pësuar lëndime të lehta trupore disa persona. Situatë e njëjtë, sipas Policisë, po mbretëron edhe në magjistralet tjera në tërë vendin, pasi që kompanitë që kujdesen për mirëmbajtjen e rrugëve nuk po e kryejnë punën e tyre si duhet.

E situatë e njëjtë, me të reshura bore pritet edhe për dy ditët në vijim. Drejtori i Institutit Hidrometeorologjik, Sylë Tahirsylaj, ka thënë se deri të hënën do të këtë reshje të vazhdueshme të borës si dhe moti do të jetë i ftohtë me temperatura që do të sillën nga minus 1 gradë deri në minus 8 gradë. “Gjatë vikendit do të kemi temperature të ulëta, të cilat do të sillën nga minus 1 gradë deri në minus 8 gradë, moti do të jetë i ndryshueshëm dhe do të këtë reshje të borës gjatë vikendit”, ka thënë Tahyrsylaj. Ai ka shtuar se nga e hëna pritet ndalja e reshjeve të borës dhe ngritje e temperaturave, ku sipas tij deri të premten moti do të jetë I mirë.

MASHT viziton nxënësit e aksidentuar

Zëvendësministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Usmen Baldzi, ka vizituar qendrën e spitalit rajonal në Ferizaj për t’u informuar për gjendjen shëndetësore të nxënësve të shkollës “Prenk Jakova” të Prishtinës, të cilët pësuan lëndime gjatë rrokullisjes së autobusit që po bartte nxënësit për në Prevallë. Baldzi është njoftuar nga mjekët për gjendjen e tyre. Mjekët e kanë informuar zëvendësministrin e Arsimit se të gjithë nxënësit e lënduari kanë marrë ndihmën e parë dhe janë jashtë rrezikut për jetë dhe se ata janë lëshuar tashmë në shtëpi, përveç dy nxënësve që janë dërguar për mjekim në QKUK. Me këtë rast, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, të gjithë nxënësve që kanë pësuar lëndime në këtë aksident u uron shërim sa më të shpejtë. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kërkon nga të gjitha shkollat, që të kenë kujdes në organizimin e ekskursioneve, kur kushtet atmosferike nuk janë të përshtatshme.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.