Nxënësit e alarmuar në Luginë, “Duam tekste shqip”
“Duam tekste shqip” është motoja e protestës të nxënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme në në Bujanoce Preshevë, të cilët të ulur të bankat e tyre kanë shprehur shqetësimin për mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.
Kjo protestë po bëhet pas konfiskimit të mbi pesëmijë librave nga ana e policisë serbe në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Raincë të komunës së Preshevës.
Përderisa në shkollat fillore shqipe në Luginë ekziston një numër i teksteve të lejuar nga Ministria e Arsimit të Serbisë, në shkollat e mesme nuk ka asnjë lloj teksti në gjuhën shqipe, raporton Titulli.
Sipas drejtorit të shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, Zejni Fejzullahu kjo ndodh si pasoj e neglizhencës së ministrisë së Arsimit që edhe nxënësit shqiptar të jenë të barabartë me të gjithë nxënësit e tjerë në Serbi.
“Qëllimi i kësaj proteste është që të sensibilizohet opinioni i brendshëm dhe ai i jashtëm në mënyrë që të marri ndonjë hap Ministria e Arsimit dhe shkencës që edhe për nxënësit shqiptar të filloi të siguroi së paku tekstet më mësim në gjuhën shqipe sepse pa tekste në shekullin 21 as nuk mund të paramendohet të gjithë i kanë tekstet përveç nxënësit shqiptar”, potencon Zejni Fejzullahu.
Nxënësit e shkollës së mesme shprehen të lodhur me marrjen e shënimeve për cdo lëndë mësimore që sipas tyre ja kujton kohën e shkollës fillore kur mësohen metodat e diktimit.
Besjana e cila vazhdon vitin e katër në shkollë të mesme thotë se përmes kësaj proteste ne synojmë të kemi libra sepse jemi lodhur më duke shënuar dhe kërkojmë ndihmë nga gjithë
faktori shqiptar që tekstet të sigurohen në gjuhën shqipe.
Arsimtari i biologjisë në shkollën fillore “Naim Frashëri”, në Bujanoc Esat Maliqi thotë se prej viteve 1990 libra të biologjisë në gjuhën shqipe nuk kemi dhe ne punojmë me libra të fotokopjuara”.
Kjo protestë e mungesës së teksteve në gjuhën shqipe është realizuar sot në shumëicën e shkollave shqipe në Luginë dhe është përkrahur nga faktori politik shqiptarë i këtij rajoni./Titulli.com/


