Fundamenti

N’varfëri, shpenzojnë 3 milion euro për fishekzjarre

/ 6 minuta lexim

Melit Gashi nga Suhareka, për festat e fundvitit, sivjet, nuk do të shpenzojë shumë. Madje, ai, do t’i shfrytëzojë edhe dekorimet dhe bredhin e viteve të kaluara, të cilat i ka ruajtur, pasi thotë se nuk ka mundësi ekonomike të bëjë shpenzime aq sa ka dëshirë për këtë festë.

Gashi, i cili është edhe veteran i luftës në Kosovë, thotë se do ta bëjë një festë ‘tradicionale’, por nuk do të ketë diçka të jashtëzakonshme për natën më të gjatë të vitit.

“Kështu tradicionalisht e kemi bërë familja, rrethi i ngushtë pastaj dalim nga pak te familjarët, te miqtë, por problemin e kemi energjinë elektrike se na ndalet, po e kemi ftoftë kështu që pak kemi vështirësi. Unë po flas për këtë vit që jemi është pak krizë, po shihet në përgjithësi kështu që në përgjithësi në Kosovë është vështirë me festu ashtu qysh duhet, pa e lënë një zbrazëti diku është pak problem. Jo shumë , i kam trashëguar nga viti i kaluar për fëmijë, përndryshe nuk kam shpenzuar shumë sivjet sepse pak dobët kushtet”, është shprehur ai.

Mirëpo, jo të gjithë qytetarët e kanë të njëjtin problem.

Fehmi Jupolli thotë se ka mundësi sa të dojë të shpenzojë për festën e Vitit të Ri, nëse edhe ajo ndodh çdo ditë, por shprehet i zhgënjyer me gjendjen ekonomike të popullatës në përgjithësi në Kosovë.

“Valla unë çdo ditë Vit të Ri e kam, për çdo ditë festë e kam, i papunë, badihavgji, edhe viti i ri si një ditë e zakonshme. Për fëmijë kemi bërë diçka, kemi bërë, por për ne kështu të papunë keq, për këto festa, unë personalisht, kam mundësi, por populli, në përgjithësi, nuk ka mundësi, sepse, unë nëse gënjej, dikush më sheh në televizor dhe thotë ky po flet jo drejtë. Mirëpo, populli është keq se unë nuk e kam atë prob,lem mund t’i harxhoj edhe 200-300 euro për Vit të Ri se nuk çojnë peshë, për për atë arsye thash çdo ditë e kam Vit të Ri. Mirëpo, për pjesën dërmuese është gjendje e keqe, e mjerueshme, këtë e them, sepse kam jetuar 18 vjet jashtë vendit e që 2 vjet jam këtu dhe e shoh që është keq, më dhimbet ky vend, por politika e ka dërguar në humnerë. Them ishalla bëhet më mirë se për kështu duhet prapë me ik nga kam ardhë”, shprehet Jupolli.

Mirëpo, se qytetarët e Kosovës nuk kanë mundësi të shpenzojnë për festat e fundvitit, nuk tregojnë edhe statistikat e Doganës së Kosovës.

Sipas zyrtares për informim në këtë institucion, Fllanza Mezini, vetëm këtë vit, Dogana e Kosovës ka regjistruar importim të fishekzjarrëve në vlerë prej mbi 3 milionë eurove, të cilat kryesisht janë importuar në fund të vitit me qëllim të përdorimit të tyre për ndërrimin e moteve.

“Nëse merret mesatarja vjetore nga vitit 2004, importimi i mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve brenda një viti, është 1.1 milion kg. mjete piroteknike dhe fishekzjarrë. Vetëm gjatë vitit 2012 importi i mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve ka kap sasinë diku 1.8 milion kg. Ndërsa, gjatë këtij viti, gjatë vitit 2013 sasia e tyre është 2.2 milion kg”, ka thënë Mezini për Kosovapress.

Ajo ka shtuar se gjatë tërë vitit ka pas import të këtyre produkteve, por më i theksuar ka qenë në fund të vitit.

Fidanishtja

“Edhe pse kompanitë, fillimisht, janë të obliguara të licencohen për importin e tyre, mirëpo nuk i’u caktohet ndonjë periudhë e caktuar për import të tyre, por dukshëm vërehet import i tyre afër festave të fundvitit. Po ashtu, edhe afër muajit shkurt, pra për pavarësi”, është shprehur ajo.

Mezini ka shtuar se gjatë vitit 2013, vlera e mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve është mbi 3 milionë euro, ndërsa në vitin 2012 vlera e importit ka qenë 2.7 milionë euro.

Megjithatë, importimin e këtyre produkteve nga kufiri i Kosovës e deri në depotë përkatëse, të cilat janë të licencuara, e ka bërë edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka thënë se departamenti përkatës në Policinë e Kosovës, i cili merret me përcjelljen e materieve të rrezikshme, i ka përcjellë të gjithë importuesit e licencuar që nga hyrja e tyre në shtetin e Kosovës e deri në depotë e tyre.

Kelani ka thënë se kjo është bërë me qëllim të sigurisë së këtyre produkteve si dhe qytetarëve që të mos jenë pjesë e involvimit të ndonjë incidenti të mundshëm.

Mirëpo, një nga tregtarët dhe shitësit e dekorimeve dhe mjeteve piroteknike, Gëzim Ajupi, ka thënë për Kosovapress, se sivjet, krahasuar me vitet e kaluara, ka shumë pak shitje të këtyre produkteve.

“Kryesisht sivjet është shumë rënie e madhe, domethënë, nuk ka shumë shitje, nuk e di nëse është herët, po vitet e kaluara e kemi nis shumë më herët, domethënë, ka pas ngapak, sivjet është shumë dobët, dekorimet siç po e shihni këtu janë, nuk ka shitje shumë, punë, pazarllëqe ka shumë pak, fishekzjarrët vetëm fëmijët janë duke i ble, kurse të mëdhatë nuk ua shesim fëmijëve nën moshën 14 vjeçare, por shitja është jashtëzakonisht e vogël për të gjithë tregtarët, jo vetëm për mua, por për të gjithë tregtarët”, ka theksuar ai.

Ai ka thënë, derimëtani, kryesisht, po shiten fishekzjarrët e vogla, me çmim kryesisht 50 cent, kurse ato të mëdhatë nuk kanë filluar ende, edhe pse, sipas tij, çmimet janë më të lira.

Ajupi është shprehur se blerjet e fishekzjarrëve, kryesisht, bëhen nga fëmijët e moshave më të reja, 12 dhe 13 vjet, derisa ata 18 dhe 19 vjet nuk po kanë interesim për blerjen e produkteve piroteknike.