Nuland do t’ua tërheqë “veshin” liderëve kosovarë

Analistët kosovarë vlerësojnë se kjo vizitë do të jetë e dobishme, sepse do të nxisë dialog konstruktiv ndërmjet palëve për të tejkaluar çështje, si Demarkacioni etj.
Në prag të vizitës së nënsekretares amerikane të shtetit
Ndërhyrja nga jashtë, opsioni i vetëm për dalje nga kriza
Analistët kosovarë vlerësojnë se kjo vizitë do të jetë e dobishme, sepse do të nxisë dialog konstruktiv ndërmjet palëve për të tejkaluar çështje, si Demarkacioni etj.
Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analistët politikë po e presin me interesim shumë të madh vizitën e Nënsekretares Amerikane të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë në Kosovë, në këtë verë të nxehtë të krizës politike, e cila tani arrin kulmin njëvjeçar të bllokimit të jetës normale institucionale.
Është një paravlerësim i njohësve të diplomacisë se vizita radhës e Nënsekretares Amerikane Nuland është shansi i fundit i zgjidhjes së krizës dhe mosmarrëveshjeve mes pozitës dhe opozitës për temën e Demarkacionit, që është bërë pengesa kyçe, ngase deri më tani është dëshmuar që në traditën e lidershipit të papërgjegjshëm politik të Kosovës, vetëm me ndërhyrjen ndërkombëtare arrihet deri te një lloj improvizimi i pajtimit “konsensual” dhe jo për shkak të përgjegjësisë që kanë para shtetit dhe votuesit të tyre.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe fushës së diplomacisë, Adlum Ramadani, konsideron se si pasojë e nivelit të ulët të kulturës politike të aktorëve tanë politikë, nevoja e ndërhyrjes së një pale të tretë, në veçanti ndërkombëtare, është kthyer në një domosdoshmëri për arritjen e konsensusit dhe zgjidhjen e çështjeve më të ndjeshme, prandaj është e pritshme që ajo të ndodhë gjatë dhe pas kësaj vizite të diplomates amerikane.
Efektet e vizitës
Sipas Ramadanit, nevoja për t’i bërë presion klasës politike është kthyer tashmë në zakon të përvetësuar, në veçanti nga zyrtarë të Departamentit të Shtetit Amerikan, të cilët e përdorin edhe si mjet diplomatik, përmes së cilit synojnë të zgjedhin çështje delikate. “Vizita e Nënsekretares Amerikane për Evropë dhe Euroazi, Nuland, pa dyshim se do të mbartë pas vetes mesazhin e përmirësimit të raporteve mes krerëve të subjekteve politike kosovare, duke përfshirë gjithashtu, por pa u kufizuar në çështjet, si: demokracitë e brendshme politike, arritjen e konsensusit për Demarkacionin dhe nisjen e procedurës për fillimin e asociacionit të komunave në mënyrë që të hapet rruga për krijimin e Forcave të Armatosura (FAK)./kosova sot/