Nuk u cilësua rastësisht ky shekull si shekull i Rugovës

Nga Sabit Rrustemi – (Në përvjetorin e kalimit në amshim të Presidentit historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës). Në kalendarin e datave dhe ngjarjeve kombëtare, muaji Janar ishte dhe mbetet muaji i dhembjes dhe njëkohësisht muaji i krenarisë dhe mburrjes shqiptare.
Që nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Isë Boletini, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka e deri te Enver Maloku, Ismajl Hajdaraj e Tahir Zemaj martirët më të vonë të demokracisë, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
S’do mend, tash edhe data e 21 Janarit, për çdo vit, shënon dhembjen dhe krenarinë më kulmore të kombit, sepse pikërisht në këtë datë, në vitin 2006-të, shkoi në amshim, edhe i madhi e Prijësi Ynë, Dr. Ibrahim Rugova, i zgjedhur dhe i mbetur në kujtesën dhe arkivin e popullit si Presidenti historik i Kosovës.
Ai hyri në jetën publike të Kosovës dhe, veçanërisht të kulturës shqiptare si njëri ndër intelektualët më të moderuar të kohës, në fundin e viteve gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar.
Trasoi bujshëm rrugën e intelektualit duke u pajisur me dije dhe atdhetari, në qarqet më përparimtare të kohës, Universitetin e Prishtinës, atë të Sorbonës dhe të Institutit Albanologjik të Prishtinës, duke krijuar dhe lënë trashëgimi thesarit kulturor shqiptar një serë veprash nga fusha e kritikës, të cilat mbetën shkollë e shumë brezave që erdhën e do vijnë në ndërkohë.
Kah fundi i viteve të tetëdhjeta, dr. Ibrahim Rugova, meqë më pare përmes kritikës letrare në një mënyrë kish shpaluar edhe vizionin e tij humanist dhe atdhetar, u vu në ballë të Shoqatës së atëhershme të shkrimtarëve të Kosovës, përmes së cilës, në vitet më të rënda për shqiptarët e Kosovës, u vu edhe në ballë të aspiratave për liri, demokraci e pavarësi, aspiratë kjo që, shumë shpejt u bë jo vetëm program politik i një lëvizjeje të madhe dhe më masivet ndonjëherë që kishte Ballkani, Lidhjen Demokratike të Kosovës, por, u shndërrua dhe u pranua si Vizion i një populli të robëruar.
Nga 23 Dhjetori 1989 e deri më 24 Mars 1999, Dr. Ibrahim Rugova, si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe, njëkohësisht si President i Republikës së Kosovës, i zgjedhur dy herë radhazi me votën e drejtpërdrejtë të popullit, zgjodhi dhe ndoqi rrugën më të vështirë në jetësimin e këtij vizioni, për të cilin kishte bekimin e një populli, rrugën e një rezistence aktive e të pa dhunshme, ku, përmes mjeteve politike si armët më të forta të kohës, demokracisë, paqes, urtësisë dhe durimit, ta arrijë atë që breza e breza e gjakuan dhe për të u flijuan, Lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Përmes mjeteve demokratike, një politike të urtë dhe të pandalshme dhe orientime properëndimore, Presidenti Rugova e shkëputi Kosovën nga ideologjia komuniste dhe e riktheu atë në familjen e vendeve më të përparuara dhe më të zhvilluara të Kohës, në familjen euroatlantike, aspiratë kjo e trashëguar nga vetë Skënderbeu, nga ideatorët dhe prijësit e Lidhjes së Prizrenit si dhe nga intelektualët shqiptarë të viteve tridhjeta të shekullit të kaluar, të cilët, fatkeqësisht , përkundër angazhimit të madh, nuk e arritën këtë,të cilën si duket Zoti e kishte gatuar për vetë Rugovën, që ta kthente popullin e tij atje prej nga e kishin shkëputur me dhunë dhe e mbanin nën kthetra përmes mjeteve të dhunës.
Bota demokratike, para se gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e shteteve të Bashkimit Europjan në krye me Paktin NATO, e pranuan dhe e ndihmuan këtë çasje që tashmë njihet si filozofi rugoviane që, aspiratat politike mëton t’ i arrijë me mjete paqësore.
S’do mend, duke pasur gjithnjë mbështetjen e pamohuar të popullit të tij, Dr. Ibrahim Rugovës, ju hapën dyert kudo që trokiste. Madje edhe duke e ftuar e nderuar si dhe mbështetur pa rezervë, si në Shtëpinë e Bardhë, në Selinë e Shenjtë, në Paktin NATO, në Parlamentin Europian, në Bon, Paris, Londër e Romë, pa e anashkaluar as Vjenën e Gjenevën.
Pas dhjetë vitesh rezistencë aktive, me mjete politike po, më pas edhe përmes rezistencës së armatosur si dhe ndërhyrjes ushtarake nga Pakti NATO në krye më SHBA-të, Kosova fitoi lirinë dhe mundësinë për ta ndërtuar pavarësinë si dhe për ta funksionalizuar demokracinë.
Figura më markante dhe më prijatare, natyrisht ishte vetë vizionari dhe strategu i Lëvizjes paqësore shqiptare, dr. Ibrahim Rugova, të cilin, populli sërish e shpërbleu me besimin e tij, duke e zgjedhur dhe dy herë të tjera përmes Kuvendit të Kosovës, President të Kosovës meqë kishte bindjen e palëkundur se përmes Tij më shpejt do pranohej edhe formalisht pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës nga ana e Bashkësisë ndërkombëtare.
Presidenti Rugova, deri në momentet e fundit të jetës së Tij, punoi dhe s’pushoi në jetësimin e këtij Vizioni.
Atëherë kur po bënim përgatitjet e fundit si institucione të zgjedhura të Kosovës bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare për rikonfirmimin e vullnetit të popullit të Kosovës për shtet Sovran dhe të pavarur dhe, bisedat veç kishin filluar nën drejtimin e Tij për përgatitjen dhe gjetjen e një date për këtë Akt Solemn, vdekja nxitoi më shumë se gjithë të tjerët. Presidenti ynë historik, kaloi në amëshim
duke u lëshuar thellësive të shpirtit dardan, nga Maja e Bregut të Diellit.
Një botë e tërë thuaja u përkul para emrit dhe veprës së Tij. E cilësuan me epitetet më të nderuara të kohës, duke e shtyrë dhe Kosovën pandalshëm drejt ëndrrës që e kish gjakuar me shekuj.
Data e 17 Shkurtit 2008, kur sapo e kishim përkujtuar dyvjetorin e Kalimit të Tij në Amshim, solli edhe përmbushjen e Vizionit, autori i të cilit ishte vetë dr. Ibrahim Rugova. Kosova u bë shtet i pavarur dhe demokratik, i njohur edhe ndërkombëtarisht dhe, shtet i mbështetur nga fuqitë më të mëdha të kohës.
Pavarësisht mungesës së Tij fizike, filozofia e frymës rugoviane si dhe synimet e tija nacionale, mbetën edhe më tutje aktuale dhe, janë inspirim jo vetëm për Lidhjen Demokratike të Kosovës por, edhe për shumicën e spektrit politik të Kosovës, të cilët kush më herët e kush më vonë, u bindën se rruga dhe mjetet që zgjodhi Ai si President i Kosovës, mbeten edhe mëtutje arma më e fuqishme për ta paqësuar dhe vendosur Kosovën në familjen e shteteve auro-atlantike dhe në vetë Kombet e Bashkuara, duke konsoliduar më fuqishëm, demokracinë, duke trasuar njëkohësisht edhe rrugën e zhvillimit ekonomik për të arritur pa vonesa në rrugën e këtyre integrimeve, kuptohet me miqësinë dhe mbështetjen e miqve ndërkombëtarë, të cilët na u gjendën në çastet më të rënda si popull, ndaj të cilave mbesim përherë obligativ dhe të përgjegjshëm.
Populli i Kosovës, institucionet e saja dhe në veçanti Lidhja Demokratike e Kosovës, përkundër humbjes së madhe që pësoi me Kalimin e Tij në Amshim, mund të mburret dhe të brumoset edhe mëtej me veprën e tij intelektuale dhe politike, vepër kjo që me tërë jetën e tij u bë themeli i shtetit dhe pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Ynë historik, ishte shembull unikat dhe autokton që buroi edhe nga fisnikërimi dhe shenjtërimi i veprimtares së madhe të humanizmit botëror, Nënë Terezës, duke dëshmuar se në Ballkan është një popull, sa i lashtë, aq edhe fisnik, sa paqësor aq edhe vital që i dhuron botës figura me përmasa ndërkombëtare, siç ishte dhe mbetet edhe Dr. Ibrahim Rugova.
Pikërisht për këtë dhe, të vetëdijshëm për përmasat shkëlqyese të kësaj filozofie politike në qarqet brendashqiptare dhe ato ndërkombëtare, obligohemi edhe më shumë dhe çdo ditë e, jo vetëm në përvjetorë përkujtimesh, që të punojmë në Frymën e Tij.
Pa dilemë, edhe do punojmë e angazhohemi për ta jetësuar në tërësi veprën e tij politike, duke konsoliduar demokracinë, duke hapur perspektivën për zhvillimin ekonomik dhe, duke punuar me ngulm drejt integrimeve, si synim dhe vizion rugovian për Kosovën e shekullit njëzetenjë.
Sepse dhe nuk i cilësua rastësisht ky shekull, si Shekulli i Rugovës .