Nuk meritojmë të na tredhet truri?

Nga Nexhat Hajrullahu – Diagnostifikimi i LDK-së dhe i elektoratit të saj nga një pushtetar si Riad Rashiti është një rrëshqitje e madhe ku nuk do të duhej të binte ky ekspert i gjithëdijshëm në të gjitha fushat shkencore, që do t’ia kishte lakmi edhe Frojdi, edhe Ajnshtajni apo Kejnsi.
Gjuha plot helm e përdorur jo vetëm kësaj here, por në shumë prononcime publike nga një pushtetar është një tallje e madhe me qytetarin gjilanas, i cili nga një drejtor që ka si detyrë zhvillimin ekonomik të komunës së Gjilanit, punësimin e shumë të papunëve, me rastin e politikave ekonomike që gjenerojnë vende të reja të punës, ky zyrtar në mënyrë të paskrupullt denigron rëndë qytetarët me fyerje, në vend që të ofrojë alternativa zhvillimore, detyrë të cilën e ka marrë nga padroni i tij sa për t’i shërbyer oborrit të shefit.
Pra, në vend që të flasë për rezultatet e Drejtorisë që ai drejton, për numrin e vendeve të reja të punës të cilat i ka hapur në këto dy mandate sa është në pushtet partia e tij, dhe planet për të ardhmen, ai shet kopalla dhe denigron në mënyrën më të vrazhdë, thua se ekspertiza e tij multidiciplinare është garanci se ky ekspert ka vendosur ta lulëzojë Gjilanin, por së pari i duhet ta shërojë popullin e sëmurë, dhe pastaj të kryej detyrat e tij për të cilat thirret dhe paguhet, pra zhvillimi ekonomik.
Edhe pse nuk do të isha marrë me dëshirë me këtë kategori denigruesish, sepse nuk është në natyrën time të komunikoj në këtë mënyrë, dëshiroj t’ia tërheq vërejtjen këtij zyrtari që ta ndal këtë gjuhë dhe të kryej detyrat e tij, edhe pse ka shumë argumente se ai është një nga shkelësit e shumtë të ligjit mbi konfliktin e interesit dhe shkeljeve të tjera të cilat përmenden vazhdimisht në konferencat e LDK-së, opinionet e ndryshme të qytetarëve dhe organizatave të tjera politike dhe OJQ-të.
Pas fyerjes së rëndë ndaj zëdhënëses së LDK-së, duke e quajtur me një term të gjuhës së fëlliqur, dhe tani edhe me terapinë e tij psikoanalitike, i apeloj kryetarit Mustafa që të merr masa disiplinore ndaj tij, sepse ky lloj komunikimi nuk i bën nder askujt. Në konferencat e ndryshme të LDK-së janë ofruar argumente për ngecjet e ndryshme, shkeljet e ligjit, dukuritë tjera devijante që kanë sjellur Gjilanin në një depresion të vërtetë, duke ngulfatur perspektivën edhe në nivel rajoni, dhe në këtë rast aty ku ka argumente që shkojnë në favor të pushtetit, i mbetet pushtetarëve që ato të arritura ti paraqesin, por nuk i takon pushtetit që të komunikojë në këtë mënyrë, sepse ky nuk është një pushtet i armikut, por është pushtet i popullit, dhe qytetari nuk meriton që t’i tredhet truri nga paraqitje të tilla publike nga një pushtetar që paguhet nga djersa e tatimpaguesit tonë.
Nëse kthehemi në retrospektivë, nuk është e largët koha e fushatës së fundit të zgjedhjeve të fundit lokale, ku kandidati i atëhershëm I PDK-së dhe kryetari aktual i komunës z. Mustafa kishte premtuar mase 120 milionë euro investime kapitale për këtë mandat, dhe për punësimin e 4000 të rinjve gjilanas, le të del Drejtori i tij, z. Riad Rashiti me shifrat e tij, se sa përqind është realizuar premtimi elektoral, sa vende të reja të punës janë hapur gjatë këtij mandati, në cilët sektorë, sa biznese të reja janë hapur dhe sa të tilla janë mbyllur, e mos të shet kopalla pa kripë përmes fyerjeve të shfrenuara. Sepse, jo më kot thuhet se ai që nuk ka argumente din vetëm të fyej, për të larguar vëmendjen nga një temë e caktuar.
Nëse i marrim të gjithë parametrat ekonomikë, del se trendët janë negative, numri i të papunëve vetëm sa vjen e shtohet, pakënaqësitë sociale vijnë gjithnjë duke u rritur dhe me to edhe dukuritë e ndryshme negative janë në shpërthim e sipër. Nga një analizë shumë e thjeshtë, del rezultati i përqindjes së realizimit të atyre premtimeve, ku në investime kapitale lirisht mund të themi se kemi vetëm 15% realizim dhe 85% dështim, ndërsa sa i përket punësimit, jo vetëm që nuk ka pasur përmirësime, por përkundrazi është përkeqësuar gjendja, ku me rastin e mbylljes së Fabrikës së Duhanit janë mbyllur mbi 1500 vende të punës, që përfshin afër 500 punëtorë prodhues, dhe mbi 1000 familje që janë marrë me kultivimin e duhanit.
Pra, ky është vetëm një rast, ndërsa nëse flasim për kompanitë private, qasja ka qenë gjithashtu shumë e pafavorshme për zhvillimin e aktiviteteve afariste, dhe shumica e kompanive ndërtimore janë buzë kolapsit të tyre nga ngulfatja që i ka bërë pushteti në të dyja nivelet.
Sa i përket punësimeve në sektorët publikë, dihet mirëfilli mënyra klienteliste e punësimit, ku partia në pushtet edhe rojet e shkollave i ka punësuar aktivistët e saj, e mos të flasim për pozita të tjera, që dihet haptas se kjo është një dukuri që nuk mund të fshihet e kamuflohet. Kjo quhet ndryshe edhe kapje e shtetit nga parapolitika (state capture) që i zbeh të gjitha shpresat se ky vend mund të udhëhiqet si duhet nga një pseudoelitë me pseudoekspertë dhe matrapazë që përveç zhvatjes dinë edhe të jenë agresiv ndaj kritikëve, thuaj se ky është vend vetëm i tyre, dhe të tjerët nuk kanë të drejtë as frymë të marrin pa e pyetur qiftin e Riadit, sepse edhe ajri është pronë e pushtetit. Ajri jo që është bërë pronë e pushtetit, por ky ajër është ndotur shumë nga kjo kastë e pameritë, që ka ndërtuar një sistem klientelist, ku thuaj se çdo pikë uji duhet të shkojë në mullirin e tyre, dhe ne si qytetarë e kemi humbur çdo të drejtë njerëzore, dhe jemi bërë pronë e kësaj kaste sikur të ishim një kope delesh a bagëtish, që gjithçka do të varet nga pronarët e kësaj kopeje, edhe cilësia e ushqimit, kollosave e edhe cilësia e ujit dhe e ajrit që duhet ta thithim.
Si duket, edhe durimit të popullit i ka ardhur fundi, dhe kjo tallje djallëzore duhet të ndëshkohet, sepse kur dinjiteti qytetar është në pyetje, nuk duhet lejuar që të nëpërkëmbet në këtë mënyrë të paskrupullt. Turpi nuk duhet të mbulohet me turp apo siç përdoret në popull ‘nuk duhet larë m.. me shu…’! Në vend që të kryej detyrat e tij ai po merret me diagnistifikime dhe terapi, të cilat do të duhej ti bënte për vehte sigurisht, pasi që nuk është një ekspert i asaj fushe për të bërë diagnistifikime të pacientëve, por këto trauma të tij mund edhe të vijnë si rezultat i frikës se humbjes së pushtetit dhe privilegjeve që i ka ofruar atij.
Me shpresë së ky lloj dialogu do të përmbyllet, dhe në të ardhmen do të flasim vetëm për zhvillime pozitive, zbutje të krizës ekonomike dhe politike, zvogëlim të papunësisë, krijim të një perspektive më të mirë, ambient më të mirë për biznese dhe çlirim të tyre nga kthetrat e pushtetit, përmirësime të prekshme në arsim (mësimdhënie dhe mësimnxënie), investime në projekte të tjera që e ndryshojnë jetën e qytetarit, si për të rinjtë ashtu edhe për të moshuarit. Kur këto ndryshime të vërehen nga vet qytetari, atëherë mund të flasim se vërtetë gjërat po përmirësohen dhe këto të mira i prekin të gjitha shtresat e shoqërisë, e jo vetëm pushtetarët, ata që gjithmonë janë nën dardhë.
Në njërën nga konferencat e saj, Murat Hoxha, nënkryetar i LDK-së, Dega në Gjilan ka thënë se në komunën e Gjilanit implementimi i projekteve përfshirë edhe i atyre kapitale fillohet pa një strategji dhe një plan të veprimit, pa procedura te planifikuara te prokurimit, pa zotim të mjeteve, e që është reflektuar në rritjen e borxheve”.
Sipas tij, në bazë të raportit të auditimit për 2011 shihet se Komuna në vitin 2012 ka hy me mbi 2,5 milion euro borxhe e në 2013 sigurisht qe pritet që ky trend i shtimit të borxheve te vazhdohet edhe pse viti 2012 ka qenë vit i fillimit të disa projekteve shumica e te cilëve nuk kanë vazhduar për shkak te mungesave financiare.
Pra, futja e Komunës në borxhe kaq të mëdha është një shkelje e madhe e ligjit, ku dihet mirë se askush nuk ka të drejtë të hyjë në aranzhmane të tilla pa u zotuar mjetet dhe pa u shpallur tenderët. Nga një mënyrë e tillë e qeverisjes pasojat i bartin të gjithë, dhe kjo reflekton një anarki të vërtetë në qeverisje. Ndërsa nëse e dëgjoni zërin e pushtetarit, del se një parajsë të tillë vetëm këta kanë ditur ta bëjnë, por se të tjerët nuk paskan sy për ta parë, veshë për të dëgjuar dhe shqisa për të nuhatur.