ARKATANA

Nuk ka zgjedhje nga tryezat e partive

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

LDK-ja pati filluar të kërkonte tryeza të partive politike për të diskutuar për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, megjithatë tryezat që tani po organizohen me rotacion nga partitë politike nuk pritet t’i kenë zgjedhjet si epilog, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Dita e sotme pritet t’i mbledhë për të dytën herë partitë politike në një tryezë të përbashkët në Kuvendin e Kosovës.

Pas LDK-së, e cila mblodhi partitë më 25 prill, PDK-ja është ajo që ka iniciuar takimin e radhës, i cili do të nisë duke filluar në orën 13:00.

Por ndonëse nikoqirët e këtyre takimeve thonë se qëllimi i tryezave është arritja e konsensusit politik për agjendën shtetërore të Kosovës, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se takimet e tilla janë krejtësisht të kota dhe pa kurrfarë rezultati, shkruan më tutje “Zëri”.

Hidromorava

Madje, ata shprehen të bindur se nga këto tryeza nuk mund të dalë assesi as ndonjë dakordim për zgjedhje të parakohshme, siç ishte paralajmëruar para takimit të parë nga LDK-ja.

Skeptikë se takimet e tilla do të jenë frytdhënëse shprehen edhe vetë përfaqësuesit e partive politike, të cilët megjithatë i konsiderojnë pozitive takimet e llojit të tillë.

Ndërkohë, përderisa deputetët e partive në pushtet mbeten të sigurt se tryezat e tilla nuk do të prodhojnë zgjedhje të parakohshme, nga opozita deklarojnë se zgjedhje do të ketë detyrimisht, ndonëse jo së shpejti.