Mobi Casa

Nuk i kalojmë vijat e kuqe

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se pala kosovare do të shkojë më 2 prill në Bruksel me besimin se do të arrihet marrëveshja me Serbinë. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Hoxhaj ka thënë se pala kosovare në ditët e fundit më shumë është fokusuar se si do të shkojë implementimi i marrëveshjes nëse arrihet më 2 prill.

Hoxhaj ka përsëritur se Kosova nuk do t’i tejkalojë vijat e kuqe, Kushtetutën e Kosovës, ligjet e saj dhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës. “Qëndrimi ynë është i qartë dhe i prerë: nuk do të ketë ‘Republika Srpska’ në veri të Kosovës, nuk do të ketë autonomi territoriale në Republikën e Kosovës dhe nuk do të ketë status të veçantë”, ka thënë Hoxhaj.

UBT

Ai ka treguar se normalizimi me Serbinë nuk do të ndodhë vetëm me shpërbërjen e strukturave ilegale në veri, por kur Kosovës i mundësohet anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe kur Serbia do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kosovës “Vetëm atëherë mund të flasim për marrëdhënie të plota, të normalizuara në mes të dy shteteve, të cilat kanë qenë në armiqësi shekullore”, është shprehur Hoxhaj.

I pyetur se kush do ta nënshkruajë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, Hoxhaj ka thënë se dialogu udhëhiqet nga dy kryeministrat e të dy shteteve. “Kemi pasur një takim të presidentëve, i cili ka qenë simbolik dhe përmbajtjesor. Ky takim i presidentëve ka qenë shtetëror në mes të dy vendeve. Aktualisht akterët kryesorë të dialogut janë të dy kryeministrat dhe në një të ardhme do të firmosin marrëveshje”, ka thënë Hoxhaj.