ARKATANA

“Nuk e prisja ftesën për Evropian, pasi mendoja të luaja për Kosovën”, Tarashaj: Shqipëria mund të befasojë, Zvicra në gjysmëfinale nëse Shaqiri është në formë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Shani Tarashaj është një nga futbollistët shqiptarë që ka luajtur në një Kampionat Evropian dhe këtë e bëri tetë vite më parë.

Në verën e vitit 2016 Tarashaj ishte vetëm 22-vjeçar dhe u ftua nga Përfaqësuesja e Zvicrës për të luajtur në Euro 2016, ku kishte vetëm disa minuta ndaj Rumanisë.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ish-sulmuesi i Evertonit, Frankfurtit, Grasshopperit e skuadrave të tjera ka skanuar Zvicrën dhe Shqipërinë e këtij Evropiani.

Ai kujton se nuk e kishte pritur që të përfshihet në listë për Euro 2016 nga Zvicra, pasi mendjen e kishte të luante për Kosovën pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

Tarashaj ka thënë se Zvicra mund të shkoj në gjysmëfinale këtë Evropian, vetëm në rast se Shaqiri është në formë pasi i sheh helvetikët si të varur nga ylli gjilanas.

Ndër të tjera prizrenasi ka theksuar se Shqipëria mund të shkaktojë befasi, edhe pse ndodhet në një grup ferri së bashku me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

Çfarë ndjenje është të luash në Kampionatin Evropian, ti e ke përjetuar këtë në vitin 2016?

Shani Tarashaj: Është një ndjenjë e papërshkrueshme, është kulmi për një karrierë të një futbollisti të luaj në një Kampionat Evropian ose Botërorë. Unë luajta vetëm disa minuta, por atmosfera në stadiume dhe gjithçka ishte perfekt. Është momenti më i mirë në karrierën time.

Ishe në listën e gjerë fillimisht, por pastaj u përzgjodhe për Euro 2016, si ishte ai moment, si e kujton ti dhe si e prite kur e pa emrin në listën finale?

Shani Tarashaj: Në atë kohë isha në formë shumë të mirë dhe e dija që do të jem në listën e gjerë, por jo edhe në finale. Mendja ime ishte të luaja me Kosovën pas grumbullimit gjerë, por pastaj erdhi lista finale dhe shkova në Evropian pasi fjalët ishin që edhe pas Evropianit mund të luaja për Kosovën. Gjithsesi thash ka qenë një ndjenjë shumë e mirë që nuk do të harrohet kurrë.

Te Zvicra sërish janë tre shqiptarë për Kampionatin Evropian si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Ardon Jashari. A ke raporte ende me këta futbollistë?

Shani Tarashaj: Në Evropianin e vitit 2016 ishim plot gjashtë futbollistë, tani janë tre. Sigurisht që kam kontakte dhe lojtarët kryesorë te Zvicra sërish do të jenë Shaqiri dhe Xhaka pasi ata kanë barrën kryesore në Kombëtare dhe janë dy liderët e ekipit.

Cila është pika e fortë e Zvicrës dhe çka pret nga futbollistët shqiptarë?

Uji Dea

Shani Tarashaj: Pika më e fortë e Zvicrës mendoj që është grupi i bashkuar. Thash nga futbollistët shqiptarë pres që ta kapin kombëtaren për dore dhe të shkojnë para. Nuk e kanë grupin e lehtë me Gjermaninë, Skocinë dhe Hungarinë, por besoj që zviceranët dhe gjermanët kalojnë tutje. Nga Xherdani dhe Graniti pres që të shkëlqejnë si gjithmonë, ndërsa uroj që edhe Ardon Jashari të ketë hapësira pasi është një futbollist me shumë cilësi.

Zvicra gjithmonë ka paraqitje të mira në Evropian ose Botëror? Sa larg mendon se mund të shkoj kësaj radhe?

Shani Tarashaj: E vërtetë që Zvicra gjithmonë ka pasur paraqitje të mira. Mendoj që këtë vit do të arrijnë sërish në çerekfinale, vetëm në rast se Xherdani tregon klasin e tij dhe uroj që të jetë në formë pasi mund të arrijnë më shumë. Gjithçka varet nga Xherdani te Zvicra.

E ke parë listën e Shqipërisë. si tu është dukur?

Shani Tarashaj: Lista më e mirë e mundshme realisht. Futbollistët shqiptarë viteve të fundit kanë bërë karrierë shumë të mirë, pasi shumë nga ta luajnë në klube të mira dhe janë në formë shumë të mirë. Lista më e mirë e mundshme e Shqipërisë është nga trajneri Sylvinho.

Kuqezinjtë janë në grup ferri me Italinë, Spanjën e Kroacinë, çka pret nga Shqipëria në Gjermani?

Shani Tarashaj: Është mëkat që Shqipëria ndodhet në këtë grup, pasi Spanja, Italia dhe Kroacia janë tre nga gjashtë kandidatët për ta fituar Evropianin. Gjithsesi ka edhe anën e mirë, pasi ndeshjet e Shqipërisë do të shikohen shumë dhe me këtë mund të përfitojnë futbollistët pasi ndeshjet e tyre do të ndiqen nga gjitha anët. Nga Shqipëria pres lojë të fortë, pse jo edhe të befasojnë pasi ndeshjet fillojnë 0-0 dhe dy ekipet kanë nga 11 futbollistë në fushë. Mendoj që Shqipëria ka gjitha mundësitë për të shkaktuar një befasi të madhe në Grup.

Ke shumë miq nga Kombëtare të ndryshme që do të jenë pjesë e Euro 2024, na përmend disa që mendon se do të shkëlqejnë?

Shani Tarashaj: Po është e vërtetë, me shumë nga ta kam luajtur ose kam qenë kundërshtarë te Zvicra. Gjithsesi te Zvicra e thash pres shkëlqimin e Xherdanit dhe Granitit. Te Belgjika si gjithmonë pres që të bëjë më të mirën ish-shoku i skuadrës Romelu Lukaku. Ndërkohë sa i përket Shqipërisë, kam shumë miq aty si Nedim Bajrami, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti e të tjerë.

Cilën Kombëtare e sheh favorite për ta fituar Kampionatin Evropian?

Shani Tarashaj: Favoriti im për ta fituar Evropianin është Spanja. Është një miks i futbollistëve të talentuar dhe me përvojë dhe pres që të fitojnë Evropianin.

Na thuaj një parashikim të çmendur?

Shani Tarashaj: Në finale luajnë Franca me Spanjën dhe spanjollët e fitojnë Kampionatin. /Telegrafi/