Nuhiu: Mund të luaj për Kosovën
Edhe një sulmues i spikatur mund të jetë nën urdhrat e trajnerit të Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, më pesë mars në ndeshjen ndaj Haitit.
Sulmuesi nga Presheva, Atdhe Nuhiu, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të vijë të luajë për Kosovën, por këtë gjë pritet ta konfirmojë brenda javës kur do ta ketë edhe një bisedë me përzgjedhësin Albert Bunjaku. Në një bisedë për Arenën vetë lojtari i ka pranuar se ka pasur biseda me Bunjakun, ndërsa pritet që të bisedojë edhe njëherë për ta konfirmuar nëse do të vijë më pesë mars apo jo.
“Krejt çka mund të them momentalisht është se unë kam biseduar me trajnerin Albert Bunjaku. Nuk e di nëse do të jem më pesë mars apo jo. Do të bisedojmë edhe një herë gjatë kësaj jave dhe do të konfirmohet nëse do të luaj. Gjasat janë të mëdha të luaj, por nuk i dihet”, u shpreh fillimisht Nuhiu.
24-vjeçari ka luajtur më parë me grupmoshat e Përfaqësueses së Austrisë U19, U20 dhe U21, ku në 22 ndeshje ka realizuar nëntë gola për bardh e kuqtë. Ish-lojtari i Rapidit të Vjenës ka treguar dëshirën e tij për të luajtur, por kjo nuk varet vetëm nga ai, pasi mendon se do të ketë probleme me pasaportën austriake nëse paraqitet me Kosovën…(Tribuna – Arena).


