Nuhiu: Buxheti nuk planifikohet me hamendje dhe dëshira
Gjilan – Ndaj deklaratave të Zijadin Maliqit rreth buxhetit të vitit 2013 ka reaguar Nuhi Nuhiu drejtor për buxhet dhe financa sipas të cilit planifikimi i buxhetit nuk bëhet me hamendje dhe sipas dëshirave. Kjo kritikë për buxhetin nuk i rrinë mirë Maliqit ngase ai veten e konsideron ekspert të një lëmie siç është ekonomia.
Nuhi Nuhiu nuk e ka kursyer Zijadin Maliqin këshilltar nga radhët e LDK-së i cili të shtunën tha se buxhetit i vitit 2013 më së paku mund të jetë i qytetarëve. Nuhiu thotë se Maliqi më së paku ka të drejtë të jep një vlerësim të tillë.
Arsyet pse e themi këtë bazohen në argumente që janë shumë kokëforta. Drejtori për Buxhet dhe Financa, Nuhi Nuhiu i rikujton Maliqit se në qeverisjen e tij kur ishte u.d kryeshefit ekzekutiv të Gjilanit buxheti i planifikuar pikërisht nga ai dhe stafit te tij ishte ky: Për paga e mëditje 6.237.869.00, Mallra e shërbime 1.344.943.00, Komunali 367.204.00, Investime Kapitale 1.611.364, Subvencione 96.000.00, Të hyrat vetanake 2.000.000.00. Totali i buxhetit të planifikuar ishte 9.653.380.00
Këtë mund ta krahasoj qytetari shumë lehte me planifikimin e viti 2013 ku sipas Nuhiut ka këtë renditje – Paga e mëditje 11.529.100.00, Mallra e shërbime 2.804.919.00, Komunali 481.580.00, Investime kapitale 3.040.583.00, Subvencione 562.500.00, Te hyrat vetanake 3.600.00.00. Totali i buxhetit të planifikuar është 18.418.682
Pra le të bëhet një krahasim se çfarë planifikimi kishte bërë Maliqi atë botë. Pra në vitin 2007 në kategorinë për mallra dhe shërbime kemi 14 %, në vitin 2013 sipas planifikimit në këtë kategori për shpenzim është 15 %. Te Investimet kapitale në vitin 2007 në tërësinë e planifikuar të buxhetit pjesëmarrja e investimeve kapitale është 16%, ndërsa në buxhetin e planifikuar për vitin 2013 është 16.50% ka sqaruar Nuhiu.
Sipas tij Maliqi dhe krerët tjerë të LDK duhet ta kuptojnë se jemi në vitin 2013, ku rriten kërkesat për mallra e shërbime, ku ka ndërtime të shkollave të reja, rritje të hapësirave nëpër institucionet shkollore dhe natyrshëm del se ato hapësira kërkojnë mirëmbajtje. “Para se ne të fillonim qeverisjen me Gjilanin ju e dini se në çfarë gjendje e keni lënë Arsimin si në mirëmbajte , por edhe në hapësira” e ka përkujtuar Nuhiu, Maliqin.
Ndërsa sa i përket të hyrave vetanake, Maliqi duhet ta kuptoj se të hyrat e një qeverie komunale kryesisht do të ndërtohen dhe do të jenë bazë për një zhvillim të qëndrueshëm vetëm nga tatimi në pronë. “Nëse është ngarkesë për qytetarin një tatim mesatar prej 50 euro në vit për familje atëherë le të jep alternative se nga të kemi të hyra vetanake. Vallë edhe kjo tani qenka një barrë e rëndë për qytetarin?
Sa i përket politikave zhvillimore dhe investimeve nga qeveria në qendër, vlerësimi i Maliqit është i pabazë, sepse formulën për Gjilanin Maliqi e kishte dhënë që atëherë kur ishte në pushtet.
“Le ta rrit ai numrin e banorëve, nxënësve, etj, me siguri edhe formula e planifikimit të buxhetit do të ndryshoj” ka ironizuar Nuhiu.
Sipas Nuhiut planifikimi i buxhetit nuk bëhet me hamendje dhe sipas dëshirave. Kjo kritikë për buxhetin nuk i rrinë mirë Maliqit, ngase ai veten e konsideron ekspert të një lëmie siç është ekonomia./rajonipress/