Mobi Casa

Noyes: Në Shqipëri nuk ka ndodhur transplantim i organeve

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Specialisti amerikan i kirurgjisë, Willard L. Noyes, duke u ndalur te akuzat dhe pretendimet për transplantim të organeve në Shqipëri, ka deklaruar për KosovaPress, se në bazë të përvojës së tij është e pabesueshme që në atë realitet dhe me ato kushte mund të ndodhte transplantimi i organeve.

Madje, ai thotë se edhe sot një gjë e tillë është vështirë e realizueshme sepse janë disa procese që duhet bërë.

Doktori i UÇK-së, tregon se si ka marr pjesë në vjeljen e organeve nga njerëz që kishin nënshkruar marrëveshje për të dhuruar organet e tyre pasi të vdisnin gjatë praktikës sime si kirurg në Pensilvania.

Ai rrëfen edhe procesin e transplantimit të organeve, duke thënë se është e paimagjinueshme se si mund të kishte kohë dhe fuqi, dhe se ajo nuk ndodhi.

Noyes ka shtuar se do të kontribuonte shumë më shumë poqëse do ta dërgonin në vijën e frontit, aty ku luftohej dhe kishte më shumë të plagosur.

“Them se isha shumë i lumtur që mu dha mundësia të bëja atë që bëra por gjithashtu kur vajta aty mendova se do të kisha qenë më i dobishëm po të më kishin çuar më pranë vijës së parë të luftës sepse mendoj se do të kisha mjekuar shumë më tepër të plagosur nga UÇK-ja që u sollën plot plagë nga fusha e betejës dhe aty ku isha unë, spitali ishte i mbrojtur dhe i sigurt, aty ku silleshin ushtarët, ndoshta rreth 35 kilometra larg vendeve ku shumica e tyre ishin plagosur, pra, mendoj dhe do të doja të kisha mjekuar shumë më tepër ushtarë. Megjithatë, ne u kujdesëm për ushtarët që na sollën me plagë shumica të vogla, disa nga ata bile vazhduan të plagosen edhe pasi u nënshkrua pakti i paqes më qershor 08, 1999. por ata vazhdonin të kishin plagë prej plumbave erdhe shrapneleve, shpërthimeve etj”, ka thënë ai.

Ai thotë se ishte i fortë nga ana shpirtërore dhe i përgatitur për ato që përjetoi në Spitalin e Kukësit, megjithatë thotë se ndjente keqardhje për ushtarët e plagosur.

Noyes ka përmendur edhe kontributin e familjeve në Shqipëri, të cilat pritën kaq shumë refugjatë dhe u kujdesën për ta, duke i strehuar në apartamentet e tyre të vogla.

Megjithatë, kujtimet më të vështira për ta janë fëmijët e plagosur nga forcat serbe.

FIDANISHTJA

“Kur sheh fëmijë, fëmijë të plagosur ose nga aksidentet ose nga lufta, si plagët nga minat dhe shrapnelet etj, është shumë e vështirë, shumë e vështirë, shumë emocionale dhe disa nga kujtimet e mia më të vështira janë me fëmijët që vuajtën të këqijat e luftës me ato që u ndodhën. Ata nuk do ta harrojnë kurrë luftën dhe ato që kaluan, pavarësisht nëse ishin 3 ose 6 vjeç ose 10 vjeç. ajo nuk do t’u fshiihet nga kujtesa, do ta mbajnë mend gjithë jetën. pra plagët e tyre janë dhe ato që nuk mund të shihen, i mbajnë brenda ato, por janë aty dhe do të jenë gjithmonë aty”, është shprehur ai.

Kurse, lidhur me pretendimin për trafikim organesh në Shqipëri, ai thotë se sot është hera e parë që ka dëgjuar qoftë edhe një fjalë rreth kësaj çështje.

“Më duket komplet e pabesueshme. Në atë kohë dhe në këtë kohë, në atë realitet dhe me ato kushte që mund të ndodhë diçka e tillë. Unë kam marrë pjesë në vjeljen e organeve nga njerëz që kishin nënshkruar marrëveshje për të dhuruar organet e tyre pasi të vdisnin gjatë praktikës sime si kirurg në Pensilvania. Procesi që ndodh gjatë vjeljes së organeve, përgatitja e organeve, ftohja dhe ngrirja e organeve dhe koha e transportit që nga aty ku kryhet operacioni deri tek aty ku duhet të shkojë, është e pabesueshme për mua që mund të ndodhë në atë vend për të cilin po më flisni ju, në Shqipëri, nga ushtarët e UÇK-së. Së pari, unë nuk njoh asnjë mjek tjetër përveç një ose dy që ishin të përfshirë në luftën e shqiptarëve të Kosovës, në vende të tjera përveç atij ku isha unë, në zonën e luftës. Është e paimagjinueshme që edhe nëse kishte mjek aty gjatë luftës, si mund të kishte kohë dhe fuqi ai që të mundej ta bënte këtë gjë që po më thoni ju. Është e pabesueshme, nuk e besoj dot! Pra, jam plotësisht i mendimit që ajo gjë nuk ndodhi”, ka thënë ai.

Duke u bazuar në përvojën e tij dhe atë që ka parë, ai thotë se ka nevojë për mjeshtëri në këtë punë dhe nuk e sheh si mund të ndodhte atëherë.

“Unë i njoha njerëzit e UÇK-së, njoha ushtarët e saj, e dija për çfarë luftonin, ata nuk luftonin për para, por për atdheun dhe pavarësinë e tyre dhe kundra masakrave që po kryenin serbët etj. Nuk ishin aty për të bërë ndonjë lekë”, ka thënë ai.

Ai flet edhe për ndihmën që ka bërë për spitalet në Shqipëri dhe Kosovë.

“Unë mendova për këtë gjë gjatë luftës, kur isha aty, kur pashë sa pak pajisje mjekësore dhe vegla mejkësore kishte, që nga fashot, medikamentet dhe patericat, karriget me rrota të gjitha këto që duheshin por ata nuk i kishin. Prandaj, që para se të kthehesha në shtëpi e dija që sa të kthehesha do të përpiqesha të mblidhja pajisje mjekësore. U ktheva dhe tre herë të tjera, në vitin 2000, 2001 dhe 2005 dhe solla 44 kontenierë me pajisje mjekësore në spitalin e Kukësit dhe disa prej tyre shkuan në spitalin e Tiranës dhe disa në atë të Prishtinës”, ka thënë Noyes.

Sipas tij, ajo që ka ndodhur në Kosovë nuk duhet harruar dhe duhet sjellë në dritë librat që ekzistojnë për këtë luftë në anglisht në mënyrë që njerëzit t’i lexojnë e ta konsiderojnë njësoj si ato që ndodhën në luftën e dytë botërore.