Njohjet dhe njohuritë e Enver Hoxhajt
Nga Naser Sertolli -“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal ju lutem Shkelqësia Juaj, pranoni mirënjohjen dhe falënderimin tim për vendimin e Qeverisë tuaj për ta njohur subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë”, shkruan, ndër të tjera, në letrën falënderuese që ministri Enver Hoxhaj ia ka dërguar ministrit të Jashtëm të vendit që na ka njohur menjëherë pas paralajmërimit që kryediplomati ynë e bëri në një konferencë për shtyp në Tiranë, më 15 mars.
Letra të ngjashme, ministri Hoxhaj u ka dërguar edhe katër prej pesë homologëve vendeve të BE-së, të cilat ende nuk e kishin njohur pavarësinë tonë.
Sa për sqarim, Spanja nuk është në mesin e katër vendeve të BE-së që na njohën pak ditë pas paralajmërimit nga ministri Hoxhaj, po më 15 mars, se njohja prej këtyre vendeve, të cilat sipas tij ishin në procedurë e sipër, do të vinte shumë shpejt, meqë ato nuk kanë më arsye për ta vonuar atë, duke pasur parasysh faktin se edhe vetë Serbia po lëviz drejt pranimit të realitetit të Kosovës së pavarur.
E sa i përket mosnjohjes nga Spanja, sikur ministri edhe populli i Kosovës ka mirëkuptim, meqë e ka të qartë situatën në të cilën gjendet vendi iberik, sidomos me shtimin e kërkesave për pavarësi nga rajone të ndryshme atje, në krye me Kataloninë, ani pse njohja nga Madridi do të mund të na hapte dyert për njohje nga vendet që kanë qenë koloni spanjolle, sidomos nga ato të Amerikës Qendrore dhe Jugore.
I gjithë ky sukses diplomatik i javëve të fundit vjen pas realizimit të qindpërqindtë të parashikimit të shefit të diplomacisë të bërë në konferencën e fundit për vitin 2012, kur kishte premtuar se pesëvjetori i pavarësisë Kosovën do ta gjejë me numër treshifror të njohjeve.
Natyrisht, kjo është meritë e një diplomacie dinamike dhe koherente të drejtuar nga Enver Hoxhaj, i ndihmuar prej miqve ndërkombëtarë, si dhe nga ndonjë prej kolegëve qeveritarë. Dhe, për dallim prej herave të tjera, ministri është treguar modest, duke mos marrë për vete të gjitha meritat, ani pse ka shqyer sa e sa palë këpucë në udhëtimet e tij në dhjeta vende anëkënd globit.
Me sukseset e fundit, numri një i diplomacisë kosovare po ua mbyll gojën përditë e më shumë vlerëmohuesve, të cilët me cinizëm thonë se veprimtaria dhe e arritura më e madhe e Enver Hoxhajt është t’ua lëshojë në dorë “kërkesën për njohje” ndonjë diplomati a burrështetasi të vendeve, që për një arsye a tjetër, ende nuk i janë bashkuar listës së atyre që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. E edhe atyre që Ministrinë e drejtuar nga z. Hoxhaj e quajnë çerdhe të punësimit të motrave, kunatave, dajave e nipave të bashkëpartiakëve të tij.
Nga këtu del se suksesi i Enver Hoxhajt me njohjet është rezultat i angazhimit të tij të pashoq si kryediplomat dhe i njohurive të thella të diplomacisë, të fituara në studimet në institucione prestigjioze universitare. Dhe se ai assesi nuk është, siç pretendojnë ata që nuk ia duan të mirën, kuadër i shkollave dhe i mentaliteteve “demode”, të cilat e ngrenë në qiell lartmadhërinë e saj – Rrenën.


