Njohjen e mbi një mijë diplomave kontestuese MASHT-i ia lë në dorë Tiranës
Më shumë se një mijë ish-studentë kosovarë kanë marrë diploma nga institucionet e arsimit të lartë privat në Shqipëri, kryesisht në universitetin “Kristal”, por ato prej vitesh nuk janë nostrifikuar në Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.
MASHT-i dhe Agjencia e Akreditimit kanë kontestuar marrjen e tyre.
E tani ato krejt këtë proces ia kanë lënë në dorë një mekanizmi të huaj vlerësues, të angazhuar nga Shqipëria.
MASHT-i pritet që kah fundi i qershorit të marrë vendim përfundimtar për njohjen, ose jo, të tyre dhe këtë do ta bëjë varësisht nga rezultatet që do të dalin nga një vlerësim që po u bëhet këtyre institucioneve nga një mekanizëm ndërkombëtar i akreditimit.


