Njëzëri për transferimin e të burgosurve në Kosovë
Marrëveshja për transferimin e personave të dënuar vlen në të njëjtën masë sikur për kosovarët në Zvicër ashtu dhe për zviceranët në Kosovë.
Shtetasit kosovarë që kane kryer vepra penale në Zvicër, në të ardhmen do të mund të vazhdojnë vuajtjen e dënimit në Kosovë. Siç qe paralajmëruar edhe më parë, Dhoma e Kantoneve e Parlamentit të Zvicrës, në mbledhjen e tij që ka përfunduar në orët e vona të mbrëmjes, ka votuar të hënën për këtë çështje.
Ashtu sikurse kishte vepruar edhe Dhoma Nacionale në mbledhjen e saj në muajin shtator, edhe Dhoma e Kantoneve, si dhomë e dytë, ka qenë unike duke votuar njëzëri marrëveshjen e arritur në mes të Zvicrës dhe Kosovës që rregullon këtë problematikë.
Marrëveshja për transferimin e personave të dënuar vlen në të njëjtën masë sikur për kosovarët në Zvicër ashtu dhe për zviceranët në Kosovë. Ajo mbështetet në një marrëveshje të përbashkët të lidhur nga Këshilli i Evropës me shtetet përkatëse. Por, pasi që Kosova ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet e BE-së si shtet i pavarur, për të ka qenë e domosdoshme një marrëveshje e mëvetësishme.
Parimisht, delinkuentët e dënuar duhet të japin pajtimin e tyre për tu transferuar në ndonjë burg në vendin e prejardhjes. Por ka edhe situata në të cilat ata mund të transferohen atje edhe kundër vullnetit të tyre. Kjo e dyta vlen sidomos për ata të cilët, pas vuajtjes se dënimit, edhe ashtu duhet të dëbohen. Ndërkohë, mbetet e hapur çështja e procedurës së ankesës së atyre që transferohen kundër dëshirës së tyre. Për transferimin e të burgosurve duhet të japin pëlqimin të dy shtetet., shkruan news.ch
Ajo që Qeveria Federale synon të arrijë me këtë marrëveshje është mundësimi i riintegrimit të të dënuarve në vendin e prejardhjes dhe kursimi i shpenzimeve për mbajtjen në burg të të huajve, që është barrë e kantoneve. Sipas marrëveshjes, përgjegjës për sigurimin e strehimit të tyre do të jetë shteti pritës, në këtë rast, Kosova.
Në miratimin e marrëveshjes që është bërë në shtator nga Dhoma Nacionale, janë ngritur disa shqetësime sa u përket rasteve të pakicave rome ose personave me pasaporta serbe. Por, ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga i kishte siguruar deputetët se secili rast do të trajtohej në mënyrë të veçantë./albinfo/


