Fidanishtja

“Njeriu i kërpudhave” hap ekspozitë fotografie

/ 4 minuta lexim

Prishtinë – Në dymbëdhjetë vjetët e fundit ai thotë të ketë ecur mbi 10 mijë kilometra në kërkim të një bime. Kjo bimë në Kosovë përpos nëpër pica dhe për të përgatitur sos për ndonjë ushqim nuk përdoret edhe aq.

Ka udhëtuar nëpër gati gjithë malet e Kosovës e ka dalë edhe pak përtej tyre. Gjithmonë me një aparat në dorë. Me një të tillë ka qenë edhe të martën mbrëma në një galeri arti. Shpëtim Vokshi, i cili ka hapur ekspozitën e tij “Kërpudhat e Kosovës” në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, është i bindur se kjo bimë është një botë më vete.

Kur e pyesin se cila është lidhja e tij me kërpudhat, ai parashtron gjithashtu një pyetje: “A je i dashuruar?”. Pasi e quan mëkat “mosrënien në dashuri”, përgjigjen e tij e jep pak në mënyrë mistike.

”Njerëzit që dashurojnë e kuptojnë”, thotë ai. “Por është edhe pasion”. Me fotografitë e tij, të cilat janë pjesë e ekspozitës që do të mbahet e hapur deri më 15 gusht, janë pasqyruar mbi 30 lloje të kërpudhave. Disa janë të parat edhe nëpër livadhet e arat e ndryshme nëpër vend. Disa prej tyre, siç shihen për nga forma dhe ngjyra, duken sikur disa pemë tropikale.

”Por gjenden në Kosovë”, thotë Vokshi. Disa prej kërpudhave të cilat ai i ka fotografuar kanë ngjyrë komplet të kuqe. Disa janë të ngjyrës së portokallit. E disa duken sikur fleta apo sikur ndonjë lis i vogël. Tepër i vogël ama. Ndonëse me pak njerëz në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, Vokshi dukej rehat me ata të cilët i kishin ardhur në hapje të ekspozitës. Shumica e tyre ishin familjarë e miq të autorit i cili për kërpudhat ka shkruar edhe dy libra. Njëra prej tyre është edhe enciklopedi për kërpudhat e ngrënshme dhe helmuese. Aty janë të përfshira 400 lloje kërpudhash.

”Në total janë mbi 3 mijë lloje të ndryshme”, thotë ai. Teksa flet për kërpudhat ai nis t’i cilësojë ato si qenie.

KKGJILAN

“Kërpudhat janë një botë e tretë, e cila gjendet gjithandej, por të cilën nuk e shohim apo nuk kemi sy për ta parë”, thotë Vokshi.

“Po të shihet koloriti ato janë qenie të cilat përpos shtazëve dhe bimëve janë në mbretërinë e tyre”. Por sipas tij, kjo botë njihet shumë pak në trojet shqiptare.

“Kërpudhat në shtete të tjera çmohen shumë dhe konsumohen shumë e këtu përpos në pica kurrkund tjetër”, thotë ai.

Ekspozita “Kërpudhat e Kosovës” është rezultat i një kërkimi shumëvjeçar për këtë bimë i Vokshit. Por ajo çfarë ka arritur të paraqesë në këtë ekspozitë është vetëm një pjesë e vogël e gjithë arkivit që ka Vokshi. Në ekspozitë janë paraqitur mbi 30 lloje kërpudhash dhe janë përzgjedhur në bazë të kritereve që të jenë artistike dhe kreative si fotografi.

“Të kenë kolorit, forma dhe përmbajtje të ndryshme”, thotë Vokshi. “Ideja është që të prezantojë një opus interesant të kërpudhave”. Me fotografitë e kërpudhave Vokshi kishte hapur kohë më parë edhe një tjetër ekspozitë personale, në “Galerinë A” të kryeqytetit, ndërsa është pjesëmarrës edhe në konkursin më të madh të fotografisë në vend, “Ekspozita Gjon Mili”, e cila organizohet nga Galeria e Arteve e Kosovës.(koha)