UBT

Njerëzorja si natyrshmëri poetike

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Nga Sherafedin Kadriu – Për vëllimin poetik “Ungëshimë”, të botuar nga “Jeta e Re”, Prishtinë, 2014 të Edi Shukriut, me rastin e marrjes së Çmimit Letrar “Beqir Musliu”.

Poetja Edi Shukriu, për herë të parë para lexuesit u paraqit me librin Sonte zemra ime feston, botuar nga Rilindja (Prishtinë 1972). Pastaj në vijimësi botoi (deri në vitin 2014) shtatë përmbledhje poetike, pa përmendur këtu krijimet letrare në prozë dhe në dramaturgji.

Vëllimi poetik Ungëshimë (botuar në vitin 2014 nga edicioni i revistës letrare “Jeta e Re” e Prishtinës), ka një titull të prejardhur metaforik që shenjëzon blunë e errët ose të kaltrën e nxirë, që nënkupton zbehjen e dritës në ditët e lirisë. Në mos ka një metatezë fonemash, ku gjen shprehje zëshmimi i një bashkëtingëlloreje dhe ylberimi gjinor përkundër traditës!

Poezia e këtij vëllimi ka një specifikë gnoseologjike për shkak se poetja është njëkohësisht arkeologe, e njohjet e saja për etnikumin prehistorik nëpërmjet argumentit arkeologjik që përfundon si dokument historik, janë jo vetëm arritje individuale, po i dedikohen një shkence të një kombi të tërë dhe më gjerë. Në këtë kontekst, njohja e funksionit të një objekti në shkencë dhe art përplotësohet. Një artefakt për shkak të vjetërsisë edhe mund ta ndërrojë funksionin e tij, p.sh. pasi të jetë vjetruar, të zërë vend në muze; me poezinë ndodh e kundërta: poezia s’ka vend në muze, poezia nuk vjetrohet, poezia nuk e humb funksionin e saj, e sipas poetes sonë, shprehur me gjuhën poetike, jo si definicion teorik, poezia është rrita, vetë rrita hap rrugë për të lëvizur guximshëm në ciklin e jetës (poezia-Fjala).

Poezisë së Edi Shukriut mund t’i japësh atributin e një poezie të natyrshme, si për mënyrën e strukturimit të vargut, për rrjedhën e tij si dhe për mesazhet poetike, vlera e së cilës përjetohet si unike për shkak të vetëqenies së vet, për shkak të kënaqësisë që të ofron:

Tej xhamave të turbulluar
Mendja ikën valëve të mbijetesës

(Kur dielli vonohet)
ose
Kur bëhesh refugjat
Ke një strajcë asgjë
Mbi shpinën e përkulur
(Kur bëhesh refugjat)

ose
E pashë jetën me sy
sa u përvëlova deriçkës kangjellore
(Lindja e sërishme)

Poezive të këtij vëllimi s’ka nevojë t’u predikosh për modernizmin e as postmodernizmin, pse ato vetë janë moderne teksa shpeshherë ngjallin antikën, pse vetë ato kanë për tendencë përjetshmërinë, duke sjellë trashëgiminë përtej kohëve historike, drejt së ardhmes, edhe kur duket se është pa cak.

Aty pellazgët na e lanë peng Demin
Si e lanë në Kretë

E kishim para hundës të mjerët
E nuk e pamë të verbër.
(Demi i Gjolit)

Si të tilla, këto krijime poetike i shquan përmasa etike e shpërfaqur si mesazh njerëzor që ndikohet nga veprimtaria atdhetare e poetes, ndonjëherë veshur me ironi, a thënë më mirë, veshur me sarkazëm:
………
trojet lamë
të na marrin
detin e tokën,
të na marrin gjuhën
e të na lënë
me gisht në gojë
të pagojë

Na shitoftë toka
që na bëri
e ç’i bëmë
(Vargan i përmotshëm)

Librin Ungëshimë e cilëson një zgjerim tematik i dukshëm, duke i dhënë dorë universales, si vlerё e lirisë për të shtypurin që është jeta, ndërsa vlerë e dashurisë për lirinë është vdekja, sepse vetë vdekja ka vlerë dhe do ta dish nëse e prek ndonjëherë (Prekja e vdekjes). Vdekjen nuk duhet parë si fund frymëmarrjeje, por si fillim shndritjeje që nis në flakën e qirinjve, që me të drejtë e “lexojmë” si skepticizëm në trajtë kërkese.
Skepticizmi vjen jo si mëdyshje, por si zhgënjim, jo për vendnumërimin, por për prapakthimin, i cili zhdavarit edhe iluzionet më të pakapshme, si te poezia Fjalë koti, Vargan i përmotshëm, Nga zonë mugëtire, Armiqtë e mallkuar etj.
Gjithsesi që ka dhe poezi që shpërfaqin entuziazmin e poetes pas lirisë së fituar, edhe pse mendimin poetik e përfundon me pikëpyetje:

Jeta më bart në krahë shtigjeve të mia
e lumturohem
se liria më udhëheq

Me dashurinë e jetshme hije
Qiejt mund t’i arrij
Apo ndoshta jo?
(Koha e lirisë)

Artistikja është e mbrujtur me sublimen që përjetësohet si magji dhe shijohet si ëmbëlsirë e hidhur. Kjo është e bukura e së trishtës në të cilën do ta gjesh një të zezë patjetër, do të thoshte poeti gjilanas, Beqir Musliu.

Një përvojë e tillë, e gjatë, ka sjellë motive temash nga më të ndryshmet, ku secila prej tyre është një vlerë vrojtuese, që shpërfaqet si cilësi estetike gjithsesi.
Edhe vetë libri hapet me poezinë Njerëzorja, titullit të së cilës i prin dhe i pranëngjitet parashtesa Jo e vendosur në paranteza, sa për të tingëlluar si kundërshti e bazës, aq për të tërhequr vëmendjen për bashkëjetesë të dy koncepteve përvojash sociale, filozofike e etike njëkohësisht:

Nëse shihni
një burrë
që bredh udhëkryqeve
duke kërkuar vetën e humbur

Ta dini
është ai
që ia masakruan fëmijët në luftë

Mobi Casa

Është mirë ta lini të qetë
nëse nuk mund t’i ndihmoni

Aty është edhe gruaja e përdhunuar, së cilës nuk i dolëm në ndihmë, aty është edhe një tjetër grua nënë, vajza e së cilës kërceu nga kati i shtatë, është edhe një burrë tjetër duke bredhur plehrave, teksa gërmon hedhurinat për t’i ushqyer fëmijët e tij. Këtyre hallexhinjve, të tjerët nuk ua kanë për borxh t’ua gërgasin plagët, nëse nuk mund t’i ndihmojnë. Edhe kaq është njerëzorja! Tjetërkund i ka rrënjët jonjerëzorja. I ka tek ata që krekosen për luks të pamerituar, para të cilëve nuk duhet përkulur, bile edhe duhet të mos lihen të qetë, parafrazojmë vargjet e fundit të poezisë, para thirrjes lutje, para thirrjes këshillë, nëse doni t’i ndihmoni / vetes.

Reflekset poetike të Edi Shukriut janë dhembjet bashkë me krenarinë për të djeshmen, mbase dhe shqetësimet dhe zhgënjimet për të ardhmen. Ndjenja e dhembjes nuk është vetëm personale, ajo përshkohet nga e përgjithshmja, ndërsa të dyja dalin të ngjizura në atë mënyrë sa nuk mund t’ua përcaktosh kufijtë ndarës. Po, prandaj, mund të flitet për unin kombëtar si një rrafsh arbitrar. Të tilla janë poezitë e ciklit Refugjati: Kur bëhesh refugjat, Pasuria e refugjatit, Lindja e sërishme, Shpëtimtarët e qiellit, strukturuar në tri këngë (Prolog, Duke shikuar kah qielli dhe Për shpëtimtarët e Qiellit), si dhe Bija e Dedalit, një poezi kushtuar pilotes shqiptaro-amerikane, Faruza Kallaba.

Poezitë e cikleve të tjera mund të konsiderohen si reflekse personale, që nuk është se ngurtësohen të tilla, përkundrazi teksti poetik i tyre ka universalizuar mesazhin që nxit reflektime nga më të ndryshmet.
E tillë është poezia Valët e jetës që përfaqësohet nga dy këngë: Gjyshja dhe Maula, që rikthejnë kujtesën e zbrazjes së Kosovës dhe mallin e atyre që kanë ikur për të mos u kthyer kurrë më. Në anën tjetër, poezia për Nënën Gitë është refleksi poetik i strukturuar me dashurinë më të madhe, si për më të dashurën, nënën, të cilës më në fund i rrëfehet:

Nuk di a arrite t’m’i kuptosh
thellësitë e ndjenjave-

Mbase nuk t’i thash të gjitha,
nuk i sajova as vargjet që prite –

kisha frikë të madhe, nënë
se fjala do ta zbehte ndjenjën
(Nënës Gitë)

Secili do t’i zgjidhte fjalët më të mira për nënën e vet, por është më ndryshe për një nënë veprimtare të çështjes kombëtare, siç ishte Margaritë Mjeda-Shukriu që si anëtare e NDSH-së lidhet prangash e qelia s’ia nxjerrë fjalët as me darë:

Ende nuk e kuptoj
ku gjete energjinë e pashtershme
që ta jetosh jetën
e të na e përcjellësh ëndrrën
(Nënës Gitë)

Të veçanta janë poezitë e ciklit Përgjatë bregdetit shqiptar. Ato (Deti i trazuar, Në kufi të detërave, Në përqafim të Jonit, Në brigjet e detit Jon etj.),lirika të mirëfillta, kryesisht të tipit meditues, dallohen për vargun e lehtë e melodik njëkohësisht:

Përkëdhel Jonin
me dorën e majtë,
të djathtën e miklon Adriatiku

Dielli përqafon të dyja-
me to
edhe mua
(Në kufi të detërave)

Një refleks për dashurinë që duket se asnjëherë s’ka tretur, vjen si frymëzim i kushtëzuar, jo ndoshta nga thëniet, sa nga premtimet e pa mbajtura (Lindja si Athena), mbase lajtmotiv për poezinë Ti nga një botë, unë nga një tjetër, ku shpërfaqet me individualitet artistik si ndjeshmëri që buron nga zemra e vuajtur dhe jo vetëm pse nuk arritën të krijonin një univers shqiptarie, pse zhgjëndrra e rrethanave ishte më e shpejtë, por edhe për më shumë vuajtje, ashtu siç e thonë vargjet e fundit të përshkuara me ironi: Eja në mundsh, eja të shohësh /ç’i bënë themeleve tona…
E strukturuar si antonim i shtrirë, si një realitet jo vetëm artistik, poezia qysh në fillim të zgjon asociacione nga më të ndryshmet, si kureshtje medoemos. Bukuria e poezisë nuk është pohimi, as kallëzimi, po të shprehurit figurativ:

Ndriçove nga terri
duke mësuar me qirinj,

isha më me fat
se drita në Prizren
erdhi më herët

Këto vargje, duket se diellzohen nga bukura e së trishtës, e cila e arsyeton ekzistencën e vet (Emerson) nëpërmjet personifikimit si kërkesë për rikujtim a mbamendje:

Të kujtohet kur kërkoje bri Drinit në Nashec,
e kur ngjiteshe Gradinës së Gadimës
e unë ta vështroja hapin
nga themelet pesëmijëvjeçare

Të kujtohet gëzimi i lindjes së vajzës
e kur bëri hapat e parë
tri ditë para se të burgosnin përjetë

Hapi burrëror në themelet pesëmijëvjeçare, nga aty ku shpërfaqet kultura e traktit të pakët që rrëshqet nën humusin e ri dhe hapat e gëzimit për rriten e bukurisë përqasen mes vete më shumë se me burgimin e përjetshëm. Kështu, besnikëria ndaj natyrës së ndërtimit të vet, s’ka nevojë për vërtetësi, sepse vetë poezia është fytyrëzim vërtetësie. Ajo lind nga dashuria e për dashuri, ndërsa dhembja është pasojë e saj, diçka e ngjashme me Krishtin: Krishti vdes për dashurinë, siç vdekja e tij është pasojë e dashurisë, dashurisë ndaj njeriut medoemos.

Në fund po theksoj se vëllimi poetik ruan atë kërkesën për thesarin nëntokësor, që mund të lexohet si kërkesë për thellësinë e thesarit shpirtëror, për njerëzoren e davaritur, të cilën e shohim brenda secilit varg, të mbëltuar si natyrshmëri poetike, e cila ia shton kureshtjen lexuesit që të jetë më kërkues se zakonisht./rajonipress/