Njëmbëdhjetë Qershori përherë na e sjell ndërmend Ditëlindjen tënde…
Me lulekuqet e Kosovës do të dal o shumë më i ri, A është kjo dëshirë edhe kur zogu fluturon, Në qiell edhe kur lulja në dimër nis frymon, Verën e vet e unë në gjak kala do të ngre përsëri.
Beqir Musliu
VDEKJA E POETIT
Me lulekuqet e Kosovës do të dal o shumë më i ri
A është kjo dëshirë edhe kur zogu fluturon
Në qiell edhe kur lulja në dimër nis frymon
Verën e vet e unë në gjak kala do të ngre përsëri
Në pikëllim s’kemi ditur t’i vizatojmë brigjet e detit
Por deri në dekje të këngës është edhe një dëshirë
Për t’u kthyer në epokën e gurit të fortë martirë
Që të kuptoet ajo verë e lules dhe Vdekja e Poetit
E tash si ta shëroj prej fjalëve gjakun tim
Që po ndizem i tëri kur jam në të parin varg
Që s’po mund të më kthejë as deri te emri im
Prej gjakut më duhet të udhëtoj edhe më larg
Ta vizitoj verën e humbur nëpër këto zbrazëti
Prej kohës të ndaj për vete një kohë e histori
(SYTË E ZEF SEREMBES)
Shikojnë apo shikohen në një pikë nëpër natë e errësirë
Zgjohet pluhur e historia e legjenda nëpër këto metafora
Mbas mbeten gërmadhat varret emrat e pluhuri në muzé
Koha ruan urtësinë mendimin e shpata shekullin e verdhë
Këmbët udhëtimin që filloi në zanafillë të botës
Horizontet mbeten vetëm e udhët shndërrohen në Oqean
Mbi natën që të gjithë e kanë në lëkurë sytë e trillojnë
Shikimin për atë Pikë ku çelën edhe në dyll e në hi
Vallë, a e vërteta mbeti të luhatet në luhajën e vjetëruar
Nëse s’e kapërdinë aventurat me një hurbë atë valë të kuqe
Gjithçkah e ndanë deti mbeten zgavrat e zbrazëta për varkën
Për të depërtuar matanë natës që është edhe pafundësi
Gjithçka mbete e afërt në sytë që Pikën e Shndërrojnë në Arbëri
(VARRI I ZEF SEREMBES)
Nata përsëri kërkon shtegtarë të rinj të fortë
Se në pjesën tjetër të natës bishat pinë gjak
Matanë vdekjes e dashura këndon në kroin më të bukur
Ende zgjasin ëndrrat e Polifemëve dhe Bajlozëve
Përkundër muzave që me flijime e gdhijnë këtë natë
Zemra qëndron mbi të gjitha simbolet madhështore simbol
Kjo natë përsëri kërkon shtegtarë të rinj të fortë
Që do ta përbironin flakën nëpër gishta
Pra, më kot bie shi kur zjarret mbeten të ndezura
Kalorësit e çalë nëpër planet kërkojnë vend të lirë
Në atdheun e lulkuqeve duke ëndërruar një shtegtar
Varri mbeti të shikojë vetëm atë pikë drithëruese kah qielli
A do të më njohë mua së paku në metaforë Arbëria


