GRANDEMALL

Një vit pezull, Specialja pret aktakuzat e para

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Ende nuk ka data për proceset gjyqësore dhe emra për të akuzuarit e mundshëm.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) janë duke punuar dhe janë plotësisht funksionale në aspektin gjyqësor që nga korriku i vitit të kaluar, me hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave. Që atëherë DHSK-ja është e gatshme për të pranuar çdo parashtresë, përfshirë aktakuzat e mundshme”, thotë zyra për informim e Gjykatës Speciale

Askush me saktësi për momentin nuk e di se kur pritet që të fillojë punën intensivisht Gjykata Speciale e Kosovës. Nuk dihet se kur do të ndodhin arrestimet e para ndaj të dyshuarve. Shih për këtë, gazeta është munduar të mësojë se çka thonë avokatët dhe çka zëdhënësja e Gjykatës Speciale.

Nga ata, por edhe nga analistët, gazeta ka provuar të mësojë se a është e politizuar edhe Gjykata Speciale dhe a ka gjasa që prapaskenat që po luhen me dialogun me Serbinë, kanë ndikuar tepër edhe në Gjykatën Speciale.

Në përgjigjen e tyre, nga zëdhënësit e Zyrës për Informim të Gjykatës Speciale të Kosovës që përmes adresës elektronike e kanë dhënë për gazetën “Kosova Sot”, thuhet se Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) janë duke punuar dhe janë plotësisht funksionale në aspektin gjyqësor që nga korriku i vitit të kaluar, me hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave.”Që atëherë DHSK është e gatshme për të pranuar çdo parashtresë përfshirë aktakuzat e mundshme. Siç e dini, Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë dy institucione të ndara. Sa i përket punës së tyre, Dhomat e Specializuara kanë mandatin për të implementuar procese gjyqësore të drejta, të pavarura dhe të paanshme. Ato i përkushtohen plotësisht zbatimit të mandatit të tyre, i cili është në vazhdim e sipër dhe do të vazhdojë, pavarësisht çdo zhvillimi të jashtëm”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

Gjykatë politike

Avokati Tomë Gashi, për gazetën “Kosova Sot”, tha se fillimi punës së kësaj gjykate nuk mund të dihet saktësisht, sepse nuk ka aktakuza dhe ato bëhen nga zyra e prokurorit special, e cila zyrë e ka lokacionin në Hagë. “Por në punën e saj nuk pa peshë ndërrimi i kryeprokurorit, Xhek Smith, sepse zyra ka edhe prokurorë të tjerë dhe kjo nuk është arsyeja e vonesës së fillimit të punës”, u shpreh ai.”Gjykata Speciale është gjykatë politike, me konotacion ndërkombëtar dhe nën ombrellën e ligjeve të Kosovës. Kjo gjykatë është krijuar nga raporti i Dik Martit, ngase nuk pati komandant të zëshëm dhe të zellshëm të ishgueriles së UÇK-së që u dënuan nga ish-Tribunali i Hagës për Jugosllavi, ngase Serbia ka mbetur asokohe e pakënaqur me gjykimet në Hagë”, shpjegoi Gashi. “Edhe ky tribunal është gjykatë politike, sepse edhe shtyrja jashtë mase e fillimit të punës së saj e humbi kuptimin dhe mbetet si e tillë politike”, vijoi më tej ai.”E veçanta është se puna e avokatëve nuk do të varet nga interferimet politike, ngase ne jemi të pavarur dhe 100 për qind persona privatë në punën tonë dhe se kemi për obligim të punojmë për klientët dhe ndikimi i politikës është në gjykatë e prokurori, por jo edhe në avokatët”, potencoi avokati Gashi.

Hidromorava

Zbardhja e krimeve

Ndërsa eksperti i fushës së drejtësisë dhe ish-ligjëruesi universitar i Fakultetit Juridik të Prishtinës, Riza Smaka, tha se nisur nga eksperienca me UNMIK-un dhe EULEX-in dhe Dhomat e Posaçme të Gjykatës Speciale, nuk do të kenë sukses. “Unë jam pesimist sa i përket funksionalitetit, efikasitetit dhe efiçiencës së kësaj gjykate. Edhe kjo gjykatë është e politizuar, sepse politikat dhe kuazi politikat e pengojnë funksionalizimin e saj. Pra, në punën e saj ndikojnë edhe prapaskenat e bisedimeve me Serbinë”, vlerësoi ai.”Nuk besoj se do të ketë njerëz të mëdhenj të arrestuar”, vijoi më tej Smaka. Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, për “Kosova Sot” tha se sipas parashikimeve të mundshme procedurale fillimi i punës së kësaj gjykate mund të pritet kah gjysma e shtatorit dhe fillimi i tetorit.”Por themelimi i kësaj gjykate nuk ka të bëjë me dialog, por është shumë më e thellë në pikëpamje edhe profesionale dhe e rendit dhe ligjit, por edhe çështje ndërkombëtare dhe prej kësaj gjykate do të nxirren disa mësime interesante, ngase kjo gjykatë e tipit të tillë, që e quajmë hibrid, duhet të nxjerrë në shesh shumë gjëra, prej gjoja dyshimit të trafikimit të organeve, që botërisht tashmë dihet se nuk ka pasur fare në këso tema në luftën e Kosovës, si edhe deri te zbulimi i shumë vrasjeve enigmatike edhe politike dhe njerëzve që kanë bërë sipas kësaj gjykate shtet jofunksional dhe e kanë zhvatur “, shprehet ai.”Tash tentativa është që kjo gjykatë të punojë plotësisht profesionale, por mund të ketë edhe prapavijën e plotë të pastrimit të klasës politike në Kosovë. Siç dihet në Kosovë punohet për të bërë para dhe ndikim ekonomik, nga shumë njerëz mbi rendin dhe ligjin, ku shtetin e kuptojnë si kompani e jo si pronë e qytetarëve. Nuk duhet që të harrohen fjalët e James Rubinit më mirë të shkojnë vetë nga politika sesa t’i heqin bashkësia ndërkombëtare, këtu tentativa e shumë njerëzve me vepra penale korruptive tentohen të mbeten në pushtet, duke grabitur prona të qytetarëve dhe të marrin edhe shpresën e fundi të tij për një jetë më të mirë, më dinjitoze dhe normale”, potencoi Burjani.

Aktakuzat e dobëta

Analisti politik Arsim Haziri për “Kosova Sot” tha se mjaft i vështirë do të jetë operimi i Gjykatës Speciale.”Gjykata Speciale nuk konsideroj se do të jetë e karakterit demokratik, ku paanshmëria dhe efikasiteti ligjor do të jenë në nivel të konsiderueshëm. Gjykata ka përbërjendërkombëtare dhe duke qenë e tillë legjitimon edhe më tej disa nga figurat kyçe të politikës sonë dhe falë tyre arrihen të implementohen disa nga planet e tyre, si dialogu pa kushte dhe pa qenë në nivel të barabartë të palëve. Gjykata Speciale më shumë do të jetë si shprehje ndaj krimit dhe keqpërdorimeve sesa si substancë, e cila do të ishte në gjendje të luftonte atë”, u shpreh ai. Ndërsa përfaqësuesi i shoqërisë civile, Isuf Zejna (Demokracia Plus), për gazetën “Kosova Sot” tha se integrimi i Kosovës në BE në masë të madhe varet nga niveli i sundimit të ligjit në vend. “Ne si shoqëri civile nuk na përket të themi se kush duhet që të shkojë në burg, por është performanca e prokurorisë ajo që duhet të ngritë hetimin e këtyre rasteve dhe më pas gjykimin e tyre për shkak se në Kosovë ka pasur hetime dhe shumë pak aktakuza ndaj atyre që po i cilësojmë si ‘peshqit e mëdhenj'”, theksoi ai. Sipas Zejnës, edhe atëherë kur ka pasur këso akuzash, për fat të keq, ato akuza kanë rënë në ujë, qoftë në Gjykatën Themelore apo në Gjykatën e Apelit.

Pa i ndëshkuar oligarkët, nuk ka BE

Edhe qytetarët e anketuar janë shumë të pakënaqur me lidershipin vendor, duke i fajësuar ata për izolim të vendit. Qytetari Hakif Hamiti për “Kosova Sot” tha se fati më i madh i popullit shqiptar të Kosovës, por edhe i shqiptarëve në përgjithësi, do të ishte burgosja e lidershipit shqiptar të Kosovës. “Pa i burgosur këta liderë nuk ka liberalizim vizash, as integrim të Kosovës në BE, ngase këto janë edhe kërkesa strikte të ndërkombëtarëve, që duhet t’i plotësojë Kosova në mënyrë që të jetë pjesë e BE-së. Madje këto kërkesa edhe sot ua ka përcjellë liderëve të Kosovës edhe ish-kryeministri italian, Masimo Dalema, që po qëndron në Kosovë dhe me këtë rast ai i porositi politikanët vendorë mos t’i gënjejnë njerëzit tuaj, duke u thënë se do të ketë liberalizim vizash”, potencoi ai.”Fati dhe shpëtimi i këtij populli do të jetë burgosja e këtyre pushtetarëve tanë hajna dhe të korruptuar”, theksoi Hamiti.”Kosova ka nevojë për një klasë të re politike të pakomprometuar e të shkolluar në Perëndim. Pushtetarët e tashëm që nga paslufta punuan vetëm për veten dhe interesat e tyre e në asnjë mënyrë për popullin. Vetëm shikoni se sa vite i humbën për demarkacion. Këta vetëm po mundohen të na hedhin pluhur në sy”, vijoi më tutje Hamiti. Sipas tij, Kosova në asnjë mënyrë nuk do mund të jetë pjesë e BE-së pa i futur në burg “njerëzit e fortë” dhe të inkriminuar të politikës dhe mafio-oligarkët, të cilët vendin po e mbajnë peng.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.