Një vepër poetike e këndshme arti…

Gjilan – Nuk ka më bukur se fjala. Fjala e ëmbël i shëron njerëzit. Përkundër, fjala e rëndë, s’ka përdihet dhe e zbeh jetën e njeriut. Edhe Jerinë Maliqi është nisur të shkruajë për bukurinë e fjalës. Titulli i veprës është “Bukuria e fjalë”.
Një titull provokues dhe shumë joshës për të gjithë. Andaj, mund të shtojmë se, fjala e ka bukurinë saj. Është “pjesë” e shenjtjë e njeriut. Është vlera më e bukur e njeriut. Bukuria e saj s’ka çmim. Njeriu flet dhe e shpreh dëshirën me anë të fjalës së bukur. Fjala ka peshë. Pesha e saj matet nga bukuria e saj. E para e “shenjtë” e njeriut është fjala. S’ka më bukur se fjala. Pse jo? Andaj, dje, në praninë e shumë artdashësve gjilanas, është promovuar vepra e parë poetike “Bukuria e fjalës” e Lerinë Maliqit, poete nga Gjilanit.
Ky promovim është organizuar në lokalet e Shkollës fillore “Thimi Mitko” të qytetit, Gjilanit. Me këtë rast, në këtë manifestim kulturor morën pjesë afro 80 artdashës të librit, por mori pjese edhe Bujar Nevzadi, drejtori i arsimit në Gjilan. Ishte ky një manifestim mjaft i larmishëm, për faktin se, jo vetëm që u fol mjaft për librin, por, disa na moshataret e autore deklamuan edhe poezi nga libri në fjalë.
Por, ajo që është me rëndësi e këtij manifestimi kulturor ishte fakti tjetër, sepse në këtë përurim folën disa nga vështruesit e librit, si: Ardiana Abdyli, Sabit Rrustemi, krijues dhe Juksel Gjinolli, drejtoresha e shkollës fillore “Thimi Mitko” në Gjilan. Ardiana Abdyli tha se, të këtilla libra, si kjo e Lerinë Maliqit, na zgjon kurreshtjen ta lexojmë sa më parë, për faktin se, janë poezi të “lehta” dhe janë të dala natyrshme nga krijuesja e re gjilanase. “Poezia është shpërthim i brendshëm. Është shpërthim momenti për botën që na rrethon. Gati të gjitha këto poezi lexohen me një frymë, por edhe janë frymëzime rreth dashurisë ndaj prindërve, shoqeve, shokëve, natyrës, jetës së fëmijëve dhe lojërat e ndryshme të të rinjve.
Ndërkaq, Juksel Gjinolli, tha se, nuk është hera e parë e këtij suksesi që po vërehet sot në këtë përurim libri të kësaj krijuesjeje të re. Në shkollën tonë ka talentë të shumtë, të cilët, jo vetëm shkollën, por edhe të arriturat tona kulturore po e begatojnë dhe po e shtojnë dashurinë e të rinjve ndaj librit, shokut më të mirë të jetës.
Ky libër na gëzon shumë, sepse është shkruar nga një poete e re, e cila në të ardhmen premton shumë. Urime dhe shumë suksese autores së re, Lerinë Maliqit! Sabit Rrustemi, krijues gjilanas, tha se, libri i Lerinë Maliqit është një vepër e kësaj moshe, e cila i ka bërë hapat e parë të hartimit të poezive më të ndryshme. “Ishte hera e parë që u “takova” me librin e Lerinë Maliqit “Bukuria e fjalës”, e cila vepër ka 54 poezi dhe ndahet në katër kaptina.
Me fjalë të tjera, duke lexuar librin e kësaj poeteshe të re, sikur po i “hetoj” leximin e poezive të shumë autorëve të tjerë, të cilët janë frymëzuar dhe kanë shfaqur dashurinë ndaj atyre dukurive për të cilat ka shkruar edhe Lerina Maliqi. Bota poetike Lerinë Maliqit është e larmishme, e cila ka shkruar poezi për 17 shkurtin, për Shqipërinë, Kosovën, borën, prindërit, varfërinë, macën, gënjeshtrën, dashurinë, gjuhën shqipe, për librin, nënën, babain, motrën, pranverën, flamurin kuq e zi, xhaxhai, jetën, stinët, mësimi, ylberi, buzëqeshjen, mjekun, biçikletën, klasën, majmunin, poezinë, vitin e ri, kutia magjike, 7 marsi, 8 marsi, datëlindja e motrës, Çamërinë, karafilin 100 vjet shtet e tema të tjera. Me këtë përvojë të “njomë”, Llerinë Maliqi së shpejti do të jetë ajo që do të na dhurojë edhe vepra të tjera më të mira e më të përsosura”.
Pos 54 poezive, vepra në fjalë ka edhe disa ese ose tregime të shkurtra, të cilat flasin për botën e saj të pasur artistike e letrare. Këto hartime shkollore Lerina i ka tubuar në kaptinën e katërt me titull “tregime”, të cilat, në një mënyrë a tjetër, janë vërtetë hartime artistike. Këto tregime janë: “Bora e parë në qytetin tim”, “Pushimet dimërore”, “100 vjet shtet” dhe tregimi i saj i fundit “Shoqet dhe miket”.Vepra është e botuar nga Pika 5 A. Ka gjithsejtë 74 faqe. /Tefik Selimi./rajonipress/