Eko Higjiena

Një vepër me frymëzime të çiltërta poetike

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Poetët dallohen nga të tjerët. Janë me një gjuhë tjetër. E para, se jetojnë me artin magjik. E dyta, se gjuha e tyre është art joshës. Është këngë e jetës. Pra, ata këndojnë dhe artikulojnë vargje dhe i joshin të gjithë artdashësit.

Njëkohësisht, janë edhe krijues “delikatë” të artit letrar. Jetojnë me vargje, strofa, tinguj, rima e “ligje” të tjera të teorisë së kësaj fushe të dijes. Poezia, sipas tyre, është shpirti i poetit apo poeti është shpirti i saj.

Nuk ka poezi të bukur pa frymëzime. Vetëm frymëzimet e mëdha, rezultojnë me vepra të mëdha arti. E, poezia për fëmijë është “problemore” për hartimin e saj. Këtë e kanë thënë edhe shkrimtarët e mëdhenj, të cilët, më shumë kanë shkruar për të rritur, se sa për botën e të vegjëlve.

Është Botë interesante! Autori duhet të hyjë në psikologjinë e “përrallave” të të vegjëlve. Aty duhet të mendojë të ulej e të flasë me fëmijët e kësaj moshe. Ta dijë jo vetëm gjuhën e tyre, por edhe të luajë e të “bashkëjetojë” me ta.

Vërtet, është botë interesante, por edhe e begatshme dhe e larmishme arti. Po në këtë rrugë “delikate” të artit, ka herë është nisur edhe Tefik Selimi, krijues gjilanas, i cili, belbëzimet e para i filloi në moshën e re, kur ishte shkollar në një shkollë të Malësisë së Karadakut.

Shkrimet letrare autori në fjalë i filloi t`i botojë nga viti 1968 e më vonë. Andaj, këto shkrime (vjersha) i ruajti me xhelozi dhe, ditë më parë i përmblodhi në veprën e parë poetike me titull “Lule prilli”.

Kjo është vepra poetike e katërt e tij. Siç dihet, ky autor ka botuar edhe këto vepra: “Gjaku i pragjeve” (2002), “Flijimtarët e plëngjeve” (2010) si dhe “Bota e yjeve” (intervista me këngëtare) (2011).

Ky krijues nuk është i panjohur për lexuesit e artit letrar. Kjo vepër e tij është një tufë vjershash që e ka pagëzuar me titull: “Lule prilli”, e cila vepër sheh dritën e botimit në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, më 1912.

Për këtë përvjetor të Madh Shqiptar, janë shkruar shumë poezi, tregime e libra të tjerë për këtë ngjarje një shekullore të kombit tonë. Me këtë vepër poetike, autori ka bërë përpjekje të bëj një tufë vjershash të kësaj natyre për të lënë një gjurmë shkrimi në jetën e artit letrar. Janë po ashtu frymëzime të çiltërta artistike, të cilat janë shkruar në moshën e jetës së hershme shkollore e më vonë.

Hidromorava

Vepra ngërthen në vete vjersha me motive të ndryshme që i kushtohen luleve, stinëve të vitit, figurave atdhetare e të tjera, si: Skënderbeut, Pavarësisë së Shqipërisë, Nëntorit të Madh, Adem Jasharit, Agim Ramadanit, Idriz Seferit, shkollës së parë shqipe në Stubëll, lapsin, shkollën, fshatin, zogun e plagosur, poetin, stinët e vitit, mërgimtarit, por edhe motive të tjera për të vegjlit.

Siç vërehet, një numër i madh i vjershave janë botuar në gazetën “Rilindja” për fëmijë e revista tjera në gjuhën shqipe. Por, autori, si entuziast i artit të shkrimit, ai ka botuar edhe shkrime të tjera publicistike për jetën shkollore, që nga bangat e shkollimit fillor të vitit 1964 e më vonë.

Këto vjersha autori i ka botuar në faqet e revistave e gazetave, si janë: “Rilindja për fëmijë”, “Zëri i rinisë”, “Pionieri”, “Gëzimi”,“Flaka e vëllazërimit”, “Bota sot” e të tjera. Vjershën e parë e ka botuar në vitin 1968, në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, të cilën ia ka kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Atë kohë, viti 1968, ishte 500-vjetori i vdekjes së trimit legjendar, Skënderbeut, vit ky është frymëzuar autori i veprës Tefik Selimin për të shkruar vjershën e parë për heroin tonë legjendar, Skënderbeun. Janë këto cicërima të para të autorit, të cilat i ka ruajtur me xhelozi nëpër fletoret shkollore, ku, si shton në parathënien e librit, se mezi i ka shpëtuar librat dhe dorëshkrimet e shumta nga barbaria serbe e vitit 1999.

Ndërsa, Nuhi Ismajli, studiues e redaktor i librit, shton se, “Vepra me poezi për fëmijë “Lule prilli” e Tefik Selimit, e ngjizur që nga mosha rinore e poetit e gjer më sot, përbën mozaikun e perceptimeve e përjetimeve jetësore të poetit. Si një mozaik jetësor i frymëzimeve të poetit, vepra “Lule prilli” jep lloj-llojshmërinë e perceptimeve e përjetimeve të shumta jetësore të poetit, të cilat, në poezinë e veprës së përmendur, janë manifestuar në temat e motivet e larmishme të saj.

Pra, vepra “Lule prilli” e poetit në fjalë, na ofron përjetimet e zgjuara të poetit nga situata, gjendje, gjëra, dukuri e vlera nga më të ndryshmet jetësore. Frymëzimi tejet spontan, i natyrshëm e ndjenja e çiltër dhe mendimet e poetit, në momente të ndryshme të jetës, zgjohen për t’i kënduar me ndjenjat më të ngrohta, heronjtë e shquar kombëtarë, njerëzit më të dashur e më të çmuar, momentet dhe veprimtaritë më të rëndësishme të jetës, natyrën dhe dukuritë e saj, vlerat më të çmuara të njeriut etj.

Karakteristikë dalluese e botës së poezisë së veprës “Lule prilli” është prirje e poetit për t’u frymëzuar nga gjërat e mira e të bukura dhe për vështrimin e anës pozitive të realitetit. Të gjitha gjërat, sipas poetit, kanë anën pozitive”. Andaj, lexuesi i zellshëm do ta ketë në dorë një vepër poetike jo aq voluminoze, por të “këndshme” me vjersha të bukura, të cilat krijime janë të dala spontanisht nga thellësia e shpirtit të poetit krijues.

Këto vjersha të veprës “Lule prilli” janë “këngë” të dala nga jeta e fëmijërisë, të cilat janë të shkruara me një gjuhë të rrjedhshme letrare e artistike. Prandaj, në pjesën dërrmuese të rasteve, ai frymëzohet nga dashuria dhe respekti i madh që ka për gjërat e dashura e të çmuara në jetë, por edhe për gjërat tjera, të cilat ai i shikon nga ana pozitive e tyre./rajonipress/