Një vend pune për “Godonë”
Nga Milaim Shefkiu – Një “Vox pop” i bërë në fillim të vitit 2015 me qytetarët në Kosovë, se çka dëshirojnë ata në këtë vit, gati të gjithë kanë kërkuar: një vend pune. Ndërsa vitin 2014, shumica prej të intervistuarve e shohin si më të “ziun” gjatë gjithë viteve të pasluftës, kurse shpresojnë se ditët e mira do të vijnë, por gjithnjë duke pritur si “Godo”, një vend pune.
Statistikat e fundit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale tregojnë se numri i punëkërkuesve, me letra, është 273 mijë veta, ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar Kosovës i janë shtuar 6500 të diplomuar të papunë. Këto shifra janë dukshëm më të larta, sepse ka shumë qytetarë që nuk janë të lajmëruar në Entin e Punësimit.
Armata e të papunëve duhet t’i shqetësojë liderët institucionalë, të cilët si kryetarë të partive politike, gjatë fushatës zgjedhore, kanë premtuar hapjen e qindra mijëra vendeve të punës. Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Albin Kurti…të gjithë e kanë përdorur “punësimin” si marionetën më të fuqishme zgjedhore, për arkëtim votash.
***
Sondazhi që është mbajtur në fillim të vitit është “Hermesi i fundit” që ua rikthen në memorie shqetësimin më të madh të qytetarëve të Kosovës dhe i njofton për sfidën më të madhe të viti 2015.
Nëse në këtë segment vërehet përparim, atëherë si zinxhir, punësimi i tërheq pas sukseset edhe në liberalizim vizash, në zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, etj.
Dikush mund të pyesë se çka ka lidhje liberalizimi i vizave me punësimin ose në integrimin e Kosovës?
Mirëpo, përgjigjja është e konceptueshme për faktin se mungesa e punësimit humb shpresën për një të ardhme më të mirë në Kosovë. Kur s’ka punësim, shtohen ambiciet për migrim drejt Bashkimit Evropian, në kërkim të një jete më të mirë. Shumë kosovarë kanë pranuar të sakrifikohen nën urat e Francës apo llogoret e Hungarisë, vetëm të mos qëndrojnë në Kosovë, ku nuk kanë parë shpresë se një ditë do ta gjejnë një vend pune. Prandaj, kur të rriten shpresat për punësim, ndalen ikjet masive për azil, dhe në kundërvlerë, vjen liberalizimi i vizave dhe shtohen ambiciet për integrim në BE. Deri sa këtu çalojnë institucionet e Kosovës, atëherë dështimet vijnë varg dhe vendi dezorientohet në të gjitha proceset.
***
Aktualisht, për një vend pune konkurrojnë 30 ose edhe më shumë qytetarë, ndërsa pranohet ai që është militant i partisë ose i afërm i ndonjë politikani. Ose ka edhe më keq, një konkurs që ka qenë më herët në Polici, ka nxjerrë shifra shqetësuese, ku për një vend kanë konkurruar 100 veta. Ai që pranohet në punë, nuk ka shumë rëndësi nëse është i determinuar për pozitën që mban, është me rëndësi që të jetë i dëgjueshëm për “shefat”
Ndërsa këta 6500 të diplomuar, që i janë shtuar për një vit armatës së të papunëve, duhet të presin edhe disa vite për një vend pune, derisa të ndërgjegjësohet klasa politike dhe nepotizmi, si dozë korruptive, të zvogëlohet.
Hapja e vendeve të reja të punës, gjithashtu, kthehet në kundërvlerë edhe në aspektin social. Sa më shumë që ka të punësuar, aq më pak ka raste sociale. Sërish, sipas statistikave të Ministrisë së Punës, në Kosovë janë mbi 29 mijë familje që jetojnë me asistencë sociale, të cilat janë barrë e vazhdueshme për shtetin. Pra, në secilin aspekt punësimi është çelësi i zhvillimit të vendit, jo vetëm ekonomik, por edhe politik, edhe në domenin integrues dhe mbi të gjitha, në përmirësimin e imazhit të Kosovës në botë.
Derisa Kosova i ka të gjitha resurset për të qenë vendi më i zhvilluar, pse duhet gjithmonë ta mbajmë epitetin e shtetit më të varfër dhe më të korruptuar në botë?
“Vox popi” i fundit i bërë me të rinjtë e vendit, është treguesi më i mirë se cili duhet të jetë prioriteti i Qeverisë së Kosovës për vitin 2015. Derisa viti 2014 ka qenë vit i mbivalencës qeveritare, ky duhet të jetë vit i punësimit dhe i zhvillimit.
Justifikim nuk ka…


