Një takim që ia ndryshon jetën

Jo më kot thuhet rasti është mbret i botës. Mjafton një moment, një fjalë, një rrugë për diku dhe jeta ndryshon përgjithmonë. E tillë është historia e Edon Hasanit, 24 vjeç nga Mitrovica, i cili prej vitit 2000 jeton në Prishtinë pasi që shtëpia e tij ka mbetur e ngujuar, sikur shumë shtëpi të shqiptarëve në pjesën veriore të qytetit.
Ai është një nga studentët më të mirë të Universitetit Webster në Gjenevë, i cili sot punon në IATA (International Air Transport Association) Asociacionin Ndërkombëtar të Transportit Ajror në Gjenevë. Mirëpo, ai nuk do të kishte ardhur asnjëherë deri te kjo punë sikur një ditë të mos dilte për të vrapuar në parkun e Gërmisë.
Sikur po atë ditë të mos merrte autobusin rrugës për në shtëpi. E në veçanti sikur po në atë autobus të mos ishte tashmë ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku. Takimi me Çitakun, për Edonin ishte sikur takimi me “Peshkun e Artë”, i cili të ndihmon të plotësosh dëshirat e tua. Rastësia ndodhi deri në atë moment, pjesa tjetër është histori./zeri/