Mobi Casa

Një skenar kriminal

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj – Skenari i abuzuesve ishte i njëjtë, si në marsin e para dy vjetësh: të krijohej përshtypja se mund të ketë mungesë ushqimesh në treg, të shkaktohej frikë e panik dhe, më pas, produktet të shiteshin me çmime astronomike. Skenarët e tillë kriminalë duhet ndalur, e tregtarë tuxharë e mashtrues duhet ndëshkuar dhe bojkotuar

Fiks dy vjet më parë, kur pandemia sapo kishte nisur në Kosovë, nisi rrufeshëm edhe ngritja e çmimeve të produkteve bazike ushqimore. Njerëzit në panik nisën të blejnë miell, vaj, sheqer e çka jo tjetër, për t’i grumbulluar në shtëpitë e tyre, nga frika se do të mund të kishte krizë për to. Atëbotë, një qese supë pule që kushtonte 30 centë, nisi të shitej 90 centë. Tregtarët matrapazë u vunë në lëvizje, duke përfituar në kurriz të qytetarëve, duke shfrytëzuar frikën dhe panikun e tyre. Çmimet u shumëfishuan madje që nga maskat e dezinfektuesit. Kjo gjendje nuk zgjati gjatë shumë. Çmimet u stabilizuan dhe njerëzit sikur e kuptuan se nuk kishte nevojë për kurrfarë paniku as grumbullim produktesh nëpër shtëpi.

Dy vjet më vonë është rikthyer paniku, bashkë me abuzimin e tregtarëve, kompanive që shesin produkte ushqimore. Brenda një dite, një litër vaj nga 1.6 u rrit në 3.5 euro. Raftet e marketeve u zbrazën dhe tek qytetarët nisi të mbillej frika për mungesë ushqimesh. Në rafte u vendosën mbishkrimet “sasi e kufizuar”, me qëllim që të shkaktohet terror psikologjik mbi qytetarët.

Çmimet, sidomos ai i vajit, nisën të lëvizin me shpejtësi të frikshme, e bashkë me to rritej edhe pasiguria në mesin e njerëzve. Tingëllon e pabesueshme, por në një market në Gjakovë brenda jo më shumë se 19 minutash çmimi i një litre vaj u rrit hiç më pak se 90 centë.

Kësaj radhe arsyeja e frikës dhe panikut nuk ishte pandemia, por kriza që mund të shkaktohej nga lufta ndërmjet Rusisë e Ukrainës. Paraprakisht u rrit çmimi i derivateve të naftës dhe i plot produkteve të tjera, për të kulmuar me vajin që po ngarkohej me litra të tëra në karroca marketesh, thua se është gjëja më e vlefshme në jetë për të cilën ia vlen të sakrifikohet.

Një litër vaj 3.5 euro po e shiste e njëjta kompani, e cila para dy vjetësh një supë e shiste 90 centë. Kështu po vepronte kompania, e cila në kohën e qeverisjes së Avdullah Hotit, bashkë me plot kompani të tjera – rrjete marketesh, ishin ndihmuar me miliona euro, edhe pse kishin punuar pandërprerë gjatë gjithë kohës së mbylljes shkaku i pandemisë. Por, rasti nuk duhej lëshuar as tash. Skenari ishte i njëjtë: të paralajmërohej rritja e çmimeve, të fshiheshin produktet në mënyrë që të krijohej përshtypja sikur ato mungonin dhe, më pas, të nxirreshin në rafte me çmime astronomike. Natyrisht me paralajmërimin “sasia e kufizuar”. Një skenar kriminal, pre e të cilit bijnë qytetarët e frikësuar.

KKVITI

* * *

Çdo luftë sjell frikë, njësoj si kjo në Ukrainë. Por, po ashtu, çdo luftë nxjerr në sipërfaqe matrapazë e dallaverxhinj. Të tillë u treguan një numër biznesmenësh ditët e fundit. Në një situatë si kjo, arsyetimi për rregulla të tregut të lirë duket jo fort i besueshëm, sepse ashiqare vërehet se ngritja e çmimeve është bërë jashtë çdo logjike të shëndoshë dhe me qëllim të qartë përfitimin e shpejtë. Dikush llogariti se veç për dy ditë, nga rritja e çmimit të vajit, përfitimi kaloi shumën e dy milionë eurove.

E në të tilla situata është e domosdoshme që institucionet të mos sillen si spektatorë, por të veprojnë, të ndërmarrin masa për të gjithë ata që vërtetohet se shkaktuan krizë me qëllim, që shkaktuan panik me qëllim, që keqpërdorën me qëllim.

Qeveria mund të mos e jetë përgjegjëse në rregullimin e çmimeve, por e ka përgjegjësinë për reagimin e duhur, në mënyrë që qytetarët të mos dëmtohen. Është i domosdoshëm reagimi i shpejtë, në mënyrë që njerëzve t’u hiqet frika dhe t’u kthehet besimi. Por, përveç ndëshkimit, tregtarët tuxharë e meritojnë edhe bojkotimin nga qytetarët. Ata që i frikësojnë konsumatorët, duke iu thënë se mund të mos ketë produkte të mjaftueshme në treg, duhet bojkotuar. Ata janë abuzues, jo biznesmenë. Ata janë keqpërdorues, autorë dhe kreatorë skenarësh kriminalë.

Është e gërditshme që të njëjtit t’i shohësh se si pas reagimit qytetar e institucional ulin çmimin e vajit automatikisht, duke u përpjekur të shiten në sy të qytetarëve si të përgjegjshëm e humanë, ndërkohë që edhe me çmimet aktuale ata përfitojnë më shumë se që duhet. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Sakip Imeri, tha të premten se, sipas të dhënave të fundit të Doganës, importi i vajit është bërë me çmim 1.46 euro.

Në të njëjtën mënyrë duket se po abuzohet edhe me çmimin e miellit dhe produkteve të tjera. Shteti duhet të mbrojë qytetarin e mbërthyr në skenarë kriminalë.