Një president aspak paqësor
Nga Imer Mushkolaj – Hashim Thaçi bën thirrje për paqe e tolerancë, por në diskursin e tij publik promovon të kundërtën e këtyre vlerave. Ai vazhdon të shfaqet përçarës, e jo unifikues. Mesazh fort emocionues dha Hashim Thaçi nëpërmjet Facebookut me rastin e Ditës Ndërkombëtare e Paqes. Qytetarëve ua kujtoi se ata e dinë më së miri se sa e shtrenjtë është paqja dhe iu bëri thirrje që për një moment të reflektojnë mbi ato vlera që kultivojnë dhe forcojnë paqen. “Le të na shërbejë kjo ditë për t’u vetëdijesuar për nevojën që kemi për të refuzuar dhunën, jotolerancën, diskriminimin, gjuhën e urrejtjes e të tjera sjellje të ngjashme të dëmshme që kërcënojnë paqen dhe harmoninë mes nesh”, shkroi presidenti.
Por, ky postim i tij “paqësor” është i rrallë dhe veç një ndër dhjetëra të tjerë, të publikuar në vazhdimësi që nga koha kur LDK’ja e bëri president në një situatë të tensionuar.
Pavarësisht se kushtetuta e obligon që roli i tij të jetë unifikues, Hashim Thaçi gjatë gjithë kohës në krye të shtetit nuk është treguar fare i tillë. Përkundrazi, ai është shfaqur përçarës e grindavec, ashtu çfarë është në të vërtetë, duke mos mundur madje as të shtiret si president i të gjithëve.
Për dy çëshjet problematike, demarkacionin dhe Asociacionin…, përgjegjësia për të cilat i faturohet atij, Thaçi nuk ka ngurruar që me një gjuhë aspak të denjë për pozitën që mban t’i fajësojë partitë opozitare, duke i dhënë zjarr edhe më shumë situatës edhe ashtu të tensionuar. Në vend se të tregojë maturi dhe të provojë që ta bëjë bashkë spektrin politik, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje, ai ka provuar ta heq përgjegjësinë nga vetja, duke i fajësuar të tjerët.
Në vend se të ofrojë zgjidhje, Thaçi është marrë kryesisht me vizita nëpër lokalitete të banuara me serbë, në tentim për të fituar poenë politikë – madje duke i fyer shqiptarët.
* * *
Të gjithëve na kujtohet se në çfarë situate Hashim Thaçi u zgjodh president. Me çdo kusht dhe me çdo mjet në dispozicion.
Me ardhjen e tij në postin e të parit të vendit, ai po synonte të rehabilitohej nga keqqeverisja disavjeçare dhe, po ashtu, të “mbrohej” nga Gjykata Speciale. Duke e konsideruar postin si një azil për bëmat e tij, ai gjatë gjithë kohës është shquar për qasje prepotente e arrogante, duke bërë që të shihet si përçarës, e jo unifikues.
Gjatë gjithë kohës si president ai më shumë është marrë me liderët opozitarë, sesa me çështje që i ka në përgjegjësi, ndërkohë që pataten e nxehtë të qeverisjes ia ka lënë në dorë Isa Mustafës, i cili ende luan rolin e patericës së tij.
Që nga koha kur është rehatuar në post, Hashim Thaçi iu ka shmangur takimeve me gazetarë, duke mos organizuar as konferenca me ta. Ka zgjedhur komunikimin virtual, të njëtrajtshëm, e jo ballafaqimin. Sepse, me siguri ka drojë se gazetarët do të kërkojnë përgjigje për shumë çështje të pakëndshme, e për të cilat ai nuk dëshiron të flasë. Për demarkacionin e Asociacionin…, për Gjykatën Speciale, për dështimin në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit, për dështimin në politikën e jashtme, për dështimin në forcimin e subjektivitetit shtetëror të vendit.
* * *
Para pak ditësh, protestën e studentëve para objektit të papërfunduar të kishës ortodokse në kryeqytet, Hashim Thaçi i quajti të turpshme. Madje tha se objekti nuk guxon të cenohet
pa marrë parasysh rrethanat dhe kohën në të cilën është ndërtuar. Tamam deklaratë prej presidenti!
Në vend se të tregohet racional, ai tregohet kërcënues. Në vend se të provojë që të ul gjakrat, ai e bën të kundërtën. Sepse, me siguri mendon se në këtë mënyrë do të fitojë poenë politikë tek ndërkombëtarët. Nuk do të befasohesha po që se do të angazhohej personalisht për përfundimin dhe fuksionaizimin e kishës në kampusin universitar, madje edhe të merrte pjesë në përurimin e saj.
Hashim Thaçi është në gjendje të bëjë gjithçka për të përfituar vetë. Ai është në gjendje të bëjë gjithçka për të shpëtuar veten e tij. E këto nuk janë vlera të një presidenti. Por, janë tipare të një të ashtuquajturi president, i cili nuk është në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.
Ata që kanë menduar se Thaçi do të ndërrojë kanë gabuar, sepse nuk ka se si. Atë as posti i të parit të vendit nuk e bën tjetër. Mund t’ia ndërrojë formën, por jo përmbajtjen. Dhe, ashtu siç është zgjedhur president në një situatë aspak paqësore e unifikuese, asi presidenti edhe është.
* * *
Në prag të zgjedhjeve presidenciale të 4 dhjetorit në Austri, shumë austriakë i konsiderojnë ato të panevojshme. Ndërkohë, sipas një sondazhi, gati 70 % nga ta besojnë se shteti do të mund të funksiononte mirë edhe pa president. A do të mund të funksiononte Kosova pa Hashim Thaçin president?


