KKVITI

Një përmendore si provokim

/ 4 minuta lexim

Në Jugun e Serbisë të dominuar nga shqiptarët një përmendore, që nderon rebelët shqiptarë, ka krijuar shqetësim. Qeveria serbe e konsideron monumentin si provokim dhe kërkon largimin e saj të menjëhershëm.

Guri i ngatërresës qëndron i vendosur në qendrën e qytetit jugor serb Preshevë, në një vend prominent, menjëherë para ndërtesës së Këshillit. Sado e padukshme e bërë nga mermeri i lëmuar të duket përmendorja e ngritur në nëntor të vitit 2011, guri paraqet një provokim për qeverinë serbe, bile një shpallje lufte. Në gur janë rreshtuar emrat e 27 rebelëve shqiptarë të së ashtuquajtures Ushtri Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit (UÇMPB). Këta rebelë ranë në luftimet kundër forcave serbe në vitet 2000 dhe 2001.

Terroristë apo heronj ?

Sipas mënyrës serbe të të lexuarit shqiptarët e nderuar në monument s’janë gjë tjetër veçse terroristë, përgjegjës për vrasjen e një numri të konsiderueshëm policësh serbë. T’u ngritet përmendore terroristëve të tillë në tokën vendore konsiderohet harbutëri. Kryeminsitri serb, Ivica Dacic, kërkon heqjen e monumentit. Poqëse administrata lokale nuk i përgjigjet kërkesës deri më 17 janar, çështja do të mirret vetë në dorë. Pushteti qeverisës i Beogradit vlen për të gjitha pjesët e vendit përfshirë edhe Luginën e Preshevës në jug të banauar me shumicë nga shqiptarët.

Admisitrata lokale e kundërshton direktivën. Historia e çdo kombi meriton respekt, thotë prefekti Ragmi Mustafa; kjo vlen edhe për historinë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Përmendorja përkujton vitet turbulente pak pas luftës në Kosovë, kur UÇMPB-ja, sipas shembullit të UÇK-së, përpiqej që nën dhunën e armëve të arrinte të realizonte shkëputjen nga Beogradi dhe bashkimin me Kosovën e pavarur. Përmes ndërmjetësimit ndërkombëtar konflikti përfundoi me arritjen e një armpushimi, me shuarjen e UÇMPB-së, me amnesti për luftëtarët dhe me garanci për të drejta më të mëdha minoritare të popullësisë lokale.

Pakicë e izoluar

ARKATANA

Dymbëdhjetë vjet pas konfliktit ka ndryshuar pak në jugun e varfër, të izoluar në aspektin social dhe ekonomik. Investime mezi ka, turistët serbë rrallë kuturisin në regjion, papunësia është më e larta në tërë vendin dhe të ardhurat e popullësisë lokale rrjedhin jo së fundmi nga të afërmit në botën e jashtme. Shumë banorë – që pjesërisht nuk e zotërojnë gjuhën serbe – ndihen edhe më tej të trajtuar si trup i huaj nga Beogradi. Të rejave dhe të rinjve regjioni mezi se ju ofron perspektivë. Për të studiuar udhëtojnë kryesisht në universitetet e Kosovës, edhe pse diplomat e arritura atje deri sot nuk njihen nga Serbia.

Duke pasur parasysh lidhjen e ngushtë të popullësisë lokale me Kosovën dhe Shqipërinë, konflikti rreth përmendores po regjistrohet me vëmendje edhe në botën shqiptare jashtë. Kështu në këtë disput të dielen u përzie edhe kryemisnitri shqiptar, Sali Berisha. Ai e akuzoi qeverinë serbe për “mungesë respekti ndaj martirëve shqiptarë”. Edhe politikani i lartë kosovar dhe udhëheqësi i mëhershëm i rebelëve, Ramush Haradinaj, i cili, që nga lirimi nga Tribunali për Krime Lufte në Hagë, aspiron sërish postin e shefit të qeverisë, i tërhoqi vërejtjen palës serbe mbi largimin e përmendores.

Kërcënimet

Nuk mungon solidariteti nga bota e jashtme. Edhe disa veteranë të UÇMPB-së, të cilët jo së fundi qëndrojnë në Zvicër, e shohin se ka ardhur ora e tyre. Në ueb-faqet e bujshme ata kërcënohen me rrokje të sërishme të armëve dhe me atakimin e kishave ortodokse serbe në Kosovë, poqëse Beogradi e ka seriozisht me largimin e përmendores. Autoritetet lokale distancohen nga këto kërcënime dhe drojën e eskalimit të dhunës e kosiderojnë si të paarsyeshme. Për të evituar destabilizimin në ditën e caktuar të 17 janarit kërkohet finesë veprimi si nga partitë në Beograd, ashtu edhe nga ato në Preshevë.

NZZ, 8 janar 2013. Përkthimi: Nexhmedin Gerguri .