Një muaj paraburgim për Arijetë Ibrahimin

Gjilan – Me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan , departamenti për krime të rënda, gjykatësi i procedurës paraprake Hasan Sadiku i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Arijetë Ibrahimit nga Tërrnoci i Madh , Komuna e Bujanocit.
Arijetë Ibrahimi dyshohet për veprën penale “kontrabandimi me migrantët”. Të premten gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Gjilan, Hasan Sadiku pasi ka dëgjuar kërkesën e përfaqësuesit të Prokurorisë Themelore dhe të avokatit mbrojtës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurës Arijetë Ibrahimi.
Sadiku tha për rajonipress se e ka refuzuar kërkesën e avokatit mbrojtës për caktimin e ndonjë mase tjetër alternative më të butë, me arsyetimin se dalja e saj në liri mund të ndikojë te dëshmitarët dhe të dëmtuarit.
Ndryshe sipas aktvendimit për zhvillimin e hetimeve Arijetë Ibrahimi dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar të holla në vlerë të 400, 1000 dhe 1500 eurove duke kontrabanduar viktimat Erkan Emini dhe Muharrem Selimi të cilët i ka transportuar përmes Serbisë e Hungarisë në shtetet perëndimore, por që të njëjtit janë kapur dhe janë kthyer sërish .
Ibrahimi sipas aktvendimit për zhvillimin e hetimeve dyshohet edhe për falsifikim të pasaportave me viza të ndryshme të shteteve si Zvicër, Belgjikë e Gjermani.
Viktimat e këtij rasti kanë thënë në hetuesi se i kanë dhënë të holla të dyshuarës dhe kanë tentuar të dalin në shtetet ku e kanë pasur destinacionin, mirëpo janë kthyer nga policia e atyre shteteve mbrapshtë pasi kanë pasur viza false.
E dyshuara ndërkaq ka mohuar veprën penale dhe përmes avokatit të saj mbrojtës ka kërkuar që të mbrohet në liri meqë ajo banon edhe në Gjilan./rajonipress/