Një monografi për 65 vjet të punës së shkollës fillore të Muhocit
Gjilan – Nuk ka më bukur se të shkruash për një tempull të dijes për 65 vjet të saj të fillimit të punës edukativo-arsimore. Andaj, do të ishte mirë që secila shkollë fillore apo e mesëm ta ketë ndonjë dokument apo histori të saj. Pse jo? Kësaj here, tre intelektualë të Muhocit, që janë edhe autorë të monografisë, si: Shefik Haliti, Adem R. Ademi dhe Begzad Ademi, botuan ditë më parë monografinë për Shkollën fillore “Migjeni” të Muhocit (1945-2010).
Është një projekt i qëlluar dhe tejet më rëndësi, për faktin se, po ndriçohet trasimit dhe rrugëtimi i shkollës sonë kombëtare shqipe. Kjo monografi është botuar në 65-vjetorin e themelimit të shkollës fillore të këtij lokaliteti, e cila shkolloi dhe edukoi me qindra të rinj, të cilët sot janë doktorë shkencash, profesorë e mësimdhënës të profileve të ndryshme në Kosovë e më gjerë.
Siç dihet, Shkolla fillore “Migjeni” e Muhocit ka pasur një rrugëtim të gjatë të punës edukativo-arsimore. Kjo rrugë e kësaj vatre të arsimit fillor ka qenë me shumë peripeti e me shumë sfida jete. Por, falë vullnetit të mirë të prindërve e të stafit edukativ të shkollës, por edhe të organeve kompetente të arsimit në nivel komunal, “problemet” të kësaj natyre janë eleminuar dhe procesi mësimor këtu nuk është ndalë. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, shkollës në fjalë i kanë munguar kushtet e para për punë normale. Në radhë të parë, stafi edukativ i pakualifikuar. Mandej, ka munguar hapësira shkollore, kanë munguar tekstet dhe materiali tjetër harxhues për fillim të punës.
Në këto kushte të rënda pune, më tepër u punua me mungesë të konkretizimit të mësimit. Kryesisht mësimi u zhvillua në mënyrë verbale. Prandaj, në këto kushte, Shkolla fillore e Muhocit e filloi procesin mësimor me vullnetin e arsimdashësve, të cilët ishin të frymëzues dhe të motivues për të përhapur dije e dituri tek gjeneratat e reja të kësaj ane që do të vinin pas. Këta pishtarë të parë, që nisen punën në këto kushte, nuk kanë kursyer asgjë nga vetja vetëm e vetëm për ta nxjerrë popullin nga prapambeturia e injoranca shekullore. Mu nga kjo punë e pakursyer e mësimdhënësve të devotshëm, kjo shkollë arsimoi dhe edukoi me qindra shkollarë, të cilët, sot janë krenaria e shkollës së tyre. Nga kjo shkollë fillore kanë dalë kuadro të profileve të ndryshme, si: mësues, ekonomistë, juristë, agronomë, inxhinierë, gazetarë, shkrimtarë, poetë, profesorë, madje dhe doktorë shkencash.
Duke ndjerë mungesën e një monografie të historikut të këtij tempulli të dijes, autorët e lartpërmendur nuk kanë hezituar dhe ia kanë dalë botimit të këtij “projekti”, i cili pasqyron e ndriçon rrugëtimin e kësaj vatre të dijes nga fillimi i vitit 1945 e gjer më 2010. Është një rrugëtim i gjatë e me sakrifica, por i rëndësishëm për shkollën kombëtare shqipe, e cila, edhe në kushte të rënda, ajo ka mbijetuar dhe kurrë nuk është gjunjëzuar.
Prandaj, në këtë monografi janë përfshirë mësimdhënësit të cilët kanë punuar në shkollën në fjalë, por duke i llogaritur edhe shkollarët, punëtorët administrativë, punëtorët ndihmës etj. Siç dihet, gjenerata e parë e semimaturantëve të kësaj shkolle kanë dalë në vitin 1956. Atëkohë, sipas autorëve në fjalë, shkolla pati gjithsejtë 21 nxënës, por asnjë të gjinisë femërore. Këta shkollarë vijonin mësimet e rregullta nga këto mese: 6 vinin nga Muhoci, 2 nga Breznica, 3 nga Ramabuça, 2 nga Gjergjeci, 2 nga Qarri, 3 nga Karaçeva, 2 nga Zarbinca dhe 1 nga Bilinica. Por, si shtojnë autorët e monografisë, nga fillimi e gjer vonë, numëri i shkollarëve ishte në rritje. Të shtojmë edhe këtë se, evoluimi i arsimit dhe shkollës shqipe në komunën e Bujanocit, e veçmas në fshatrat e banuara me shqiptarë ka kaluar nëpër sfida e probleme të ndryshme të jetës.
Megjithatë, forcat progresive të këtij fshati dhe të kësaj komune, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, edhe në këto anë u hapën shkolla me mësim në gjuhën shqipe. Meritë e veçantë për hapjen e shkollës fillore të fshatit Muhovc i takon arsimdashësit Muharrem Kadriut, i cili, në kontakt me Ismet Dërmakun, një personalitet i shquar i kësaj ane, jo vetëm e ndihmoi dhe e përkrahu në përgatitjen e hapjes së shkollës qysh në vitin 1944. Dhe, në janar të vitit 1945 fillon punën shkolla fillore e Muhocit.
Fillimisht, mësuesi i parë i kësaj ane ishte Ismet Dërmaku nga Shipashnica e Kamenicës. Atë kohë, shkolla e Muhocit numëronte 17 nxënës të moshave nga 10 gjer në 12 vjeç. Në fillim nuk pati asnjë vajzë. Nxënësit e parë të kësaj shkolle ishin: Sabit Haliti, Ismet Aliu, Sulejman Kadriu, Metali Xhemaili etj. Të shtojmë edhe këtë se, 27 vjet me radhë shkolla nuk pati emërtim. Por, me 22 dhjetor të vitit 1973, me vendimin e Këshillit të punëtorëve, në krye të Rexhep Rexhepi, mësues, shkolla në fjalë emërtohet me emrin e njohur të letërsisë sonë, Migjeni.
Mandej, në vitin 2006-2007, shkolla fiton objektin e ri shkollor falë fshatarëve dhe kreut të Bujanocit, Nagip Arifit. Tash për tash, shkolla ka kuadër të fortë mësimor. Është me rëndësi të shtojmë se, pas Luftës së UÇPMB-së, gati të gjitha shkollat e fshatrave të Malësisë së Bujanocit, edhe pse me numër të vogël të nxënësve, punojnë dhe edukojnë gjenerata të reja për dije e dituri. Kohës së fundit, siç shtojnë autorët e monografisë, ka filluar kthimi i popullatës, ku vërehet edhe shtimi i numrit të shkollarëve nëpër shkolla të kësaj ane. Kjo monografi e parë e Shkollës fillore “Migjeni” nga fshati Muhoc paraqet një arritje të mirë, për faktin se, me disa të dhëna, ngjarje, njerëz, shkollarë, personalitete etj., “rrëfen” për një të kaluar të nisur me vështirësi, por që kjo gjendje ka rezultuar me fitore dhe me arsimimin e shumë gjeneratave të reja e të shkolluara, të cilat sot janë krenar për shkollimin e tyre.
Një pjesë e monografisë është kushtuar plejadës së mësimdhënësve nga fillimi e gjer në ditët e sotme. Po ashtu, ky dokumentar ka disa fotografi, por ajo që flet më shumë është e dhëna tjetër, se ky libër ka tabela dhe regjistra të klasave nga fillimi e gjer më tash. Kjo është një statistikë e bollshme, e cila flet për numrin e nxënësve, kuadrin mësimor, aktivitetet e lira shkollore dhe dokumente të ndryshme të një kohe të kaluar të kësaj ane. Monografinë e botoi Shtypshkronja “Blendi” në Prishtinë, 2015. /tefik selimi/rajonipress/

