Një monografi dokumentare për rrugëtimin e shkollës shqipe…

Gjilan – Ditë më parë, autorët e monografisë së Shkollës Fillore “Skënderbeu” të fshatit Përlepnicë, Blerim Mehmeti dhe Fidan Shaqiri, botuan librin monografik me titull “Monografi 1942-2012 e shkollës fillore “Skënderbeu” të Përlepnicës.
Që në fillim autorët e kësaj monografie i qasen me vullnet përkushtimit të punës së tyre me moto: “U kushtohet atyre që punuan për dritën e syve tanë”. Pse jo? Nuk ka institucion më të vlefshëm se shkolla. Shkolla është dritare e botës. Është dritare e jetës së njerëzimit. Ku ka shkollë, ka përparim. Ku hapet një shkollë, mbyllet një burg! Dhe, këto thënie ia vlejnë.
Ia vlejnë sepse, institucioni arsimor në fjalë, Shkolla Fillore “Skënderbeu” e fshatit Përlepnicë, është vatër e dije që ka një traditë të hershme të fillimit të punës edukativo-arsimore. Nga kjo vatër e arsimit të fillor dolën me qindra e mijëra mësues, arsimtarë, profesorë, pedagogë, juristë e profile të tjera, të cilat, sot janë krenarë për shkollën e tyre dritë.
Siç dihet, kontributi i mësimdhënësve është i madh dhe i pazëvendësueshëm, i cili, në rrugëtimin e shkollës shqipe, ndonëse me sakrifica të mëdha, nuk u gjunjëzuar, por edukoi dhe arsimoi shumë gjenerata të të rinjve në frymën e shëndoshë kombëtare. Kjo monografi e shkollës në fjalë ngërthen në vetë të dhëna që nga themelimi i shkollës.
Mandej, në këtë libër dokumentar i gjejmë të shënuar emrat e personelit arsimor, udhëheqjen e shkollës, numrin e shkollarëve sipas viteve shkollore, aktivitetet jashtëshkollore të të rinjve, fotografi të shumta dokumentare, të cilat paraqesin një kronikë të tërë të një kohe të hershme të kësaj vatre arsimore të këtij lokaliteti në komunën e Gjilanit. Siç vërehet, kjo vatër e arsimit dhe e dijes e nisi punën nga vitit 1912.
Por, këto kohëra janë përplot me batica e zbatica të jetës së popullit shqiptar. Andaj, autorët e monografisë në fjalë, materien e kësaj monografie e kanë ndarë në disa pjesë të zhvillimit të arsimit të këtij fshati. Janë paraqitur periudhat kohore 1942-1944, 1945-1974, 1975-1990, 19991-1999 dhe 1999-2012.
Autorët e monografisë për Shkollën fillore “Skënderbeu” të fshatit Përlepnicë nuk kanë hezituar pa e shënuar biografinë e kryetrimit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, emrin e të cilit e mbanë me krenari shkolla e këtij lokaliteti. Siç dihet, ky libër dokumentar është një lloj kronike e “ngjarjeve” të hershme të shkollës shqipe, të cilat ngjarje nuk duhet të harrohen, por ato duhet të përkujtohen e të çmohen te gjeneratat e reja të kësaj kohe e te tjerat që vijnë pas. Në monografi shtohet për historikun e shkollës së Përlepnicës.
Kjo “punë” është bërë nëpërmjet një retrospektive të shkurtër të këtij institucioni arsimor. Sepse, dëshira për tu arsimuar dhe edukuar ishte e madhe e popullit. Për shqiptarët, shkollat ishin “oda” të njerëzimit, në të cilat masa është informuar dhe edukuar për historinë e popullit tonë nëpër shekuj. Kështu, populli ynë, që është ndër popujt më të vjetër, ai historinë dhe traditën e tij e ka mësuar nëpër shkolla. Këtu është kultivuar tradita, zakonet dhe kultura e tij.
Andaj, ka të dhëna të shumta që e kanë dokumentuar fort dhe bindshëm jo vetëm ekzistencën e popullit tonë, por ka argumente e dëshmi për kulturën tonë shpirtërore, si librat e hershëm, dokumentet e vjetra dhe shumë “sende” që janë pasuri e hapjes së dijes në kohët e hershme të jetës së popullit tonë. Kështu, sipas autorëve, në Kosovë, në vitin 1942/43, me urdhër të Ministrisë të Arsimit në Tiranë, është hapur shkolla shqipe në Përlepnicë dhe Kmetoc.
Mësuesi i parë ishte Mulla Shaip Ismajli, i cili mbajti kurs të Gjuhës Shqipe gjatë verës së vitit 1942 në Kmetoc. E, pas kësaj date janë edhe shumë të dhëna të tjera, të cilat flasin për shkollën shqipe të këtij fshati. Mësuesit e parë ishin Dilaver Haliti, Abdullah Ukshini nga Përlepnica, Ibrahim Shabani, e shumë të tjerë. Por, Kuvendi Komunal i Gjilanit, shkollën fillore në Përlepnicë e themeloi më 25 tetor të vitit 1945.
Mësimi në këtë kohë është zhvilluar në lokalet e mejtepit të xhamisë së fshatit dhe mësues ishte Ferid Berisha. Pra, monografia në fjalë e dy autorëve, padyshim është një përpjekje serioze e një pune të vullnetshme për ta ndriçuar rrugëtimin e shkollës shqipe të kësaj pjese të Kosovës. Libri ka fotografi, dokumente shkollore: dëftesa, fotografi të gjeneratave të para të shkollarëve e të mësimdhënësve të këtij lokaliteti, mandej ka mbledhje të banorëve me mësimdhënës të kësaj shkolle, foto të objektit të hershëm shkollor, por ka edhe foto të dhunës barbare serbe të datës 30 qershor 1999, kur çdo gjë shkollor demolohet dhe shkatërrohet.
Një pjesë e monografisë i është kushtuar biografive të mësimdhënësve dhe të shkollarëve nëpër periudha të caktuara. Me fjalë të tjera, monografia është një tekst që flet me argumente të kaluarën e shkollës shqipe në këtë anë të Anamoravës së Gjilanit. Autorët: Blerim Mehmeti dhe Fidan Shaqiri, sikur e kanë përmbushur një obligim që e kanë pasur ndaj këtij institucioni për ta ndriçuar “jetën” e përgjithshme të kësaj vatra të dijes. Monografia ka 175 faqe dhe është e botuar më 2013./Tefik Selimi/rajonipress/