Fundamenti

Një moment që nuk duhet humbur

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj – Nuk ka moment më të mirë për t’i dhënë fund dialogut me Serbinë sesa tash, në kohën e administratës së Joe Bidenit. Kryeministri Albin Kurti duhet ta kuptojë se vendi nuk ka kurrfarë përfitimi nga zvarritja e dialogut. Kosova ka nevojë të përmbyll këtë çështje sa më shpejt.

Kryeministri Albin Kurti mund të krehohet me vizitën në SHBA dhe takimin me sekretarin e Shtetit. Edhe militantët mund ta ngrenë në qiell liderin e tyre dhe t’i japin epitete mitologjike. Por, sfidë kryesore i mbetet përmbyllja e dialogut me Serbinë. Mesazhet e marra në Washington janë të qarta dhe Kurtit i mbetet që ato t’i kuptojë qartë dhe drejt, por edhe të ndërmarrë veprime që çojnë drejt përmbylljes së problemit me Serbinë.

Ka kohë që amerikanët kërkojë që dialogu të përmbyllet shpejt, por mesazhet e tyre nuk janë marrë seriozisht deri tash.

Albin Kurti është lideri me përkrahjen më të madhe elektorale në Kosovë dhe ky fakt duhet ta bëjë edhe më të përgjegjshëm atë karshi obligimeve që ka si shef i ekzekutivit. Në anën tjetër, Alesandër Vuçiq ka fuqi të madhe politike në Serbi, që t’i jep fund problemit të Kosovës. Natyrisht, për zgjidhje nevojitet vullnet politik, që deri më tash në masë të madhe ka munguar.

Për shkak se nuk ka përfunduar dialogu me Serbinë, Kosova tash sa vjet vuan mosnjohjen nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Europian, po vuan mungesën e anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, po vuan rrumbullakësimin e shtetësisë. Andaj është e domosdoshme që dialogu të përmbyllet sa më shpejt dhe ky duhet të jetë një ndër prioritete e rëndësishme të qeverisë.

Lufta në Ukrainë ka ndryshuar shumëçka dhe situata duhet shfrytëzuar në të mirë të Kosovës. Siç duhet shfrytëzuar edhe qasja e Serbisë karshi Rusisë për vendosjen e sanksioneve.


Edhe nëse Serbia nuk është e interesuar që dialogu të vazhdojë, Kosova duhet të tregojë hapur vullnetin për një gjë të tillë. Sa më shpejt që kryhet dialogu, aq më mirë për vendin.

Nëse i kthehemi retorikës së Albin Kurtit gjatë kohës sa ka qenë në opozitë sa i përket jo vetëm dialogut por edhe çëshjeve të tjera, atëherë Kurti kryeministër është krejt tjetër. Ai gjithsesi do të gjykohet dhe duhet të gjykohet për ndryshimin e qasjes tash kur është në pushtet, por përtej kësaj duhet parë cili është interesi i vendit në raport me dialogun me Beogradin.

Procesi i dialogut duhet të përfundojë gjithsesi gjatë mandatitt të presidentit amerikan Biden. Përndryshe, vendi hyn në një rrugë qorre për një kohë të gjatë dhe gjithçka do të vazhdojë të mbetet e bllokuar.

Hidromorava

Tashmë nuk mund të flitet më për raporte jo të mira të Albin Kurtit me SHBA-të dhe kjo duhet të shërbejë si një pikë kthese për të në raport me nevojën për t’i dhënë fund dialogut.

Kjo nuk nënkupton se ai duhet të nënshkruajë çfarëdo zgjidhje që ofrohet, por duhet të veprojë bazuar në kushtetutë dhe brenda kornizave të sovranitetit dhe integritetit të vendit.

Tashmë edhe qasja e Brukselit karshi zgjerimit të Unionit ka ndryshuar, gjë që mund të konsiderohet përparësi shtesë në drejtim të zgjidhjes së problemit me Serbinë.


Përderisa nevoja për përfundimin e dialogut është urgjente, ende vazhdon debati nëse Kurti është ose jo antiamerikan. Vizita e fundit në SHBA duhet t’iu shërbejë të gjithëve si një momentum për të reflektuar karshi përgjegjësive që duhet t’i ketë vendi dhe shoqëria në përgjithësi për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Vizita në SHBA hap një kapitull të ri për Kurtin por, po ashtu, edhe një kapitull të ri në kuptim të përçimit të mesazheve për të dhe politikën kosovare në përgjithësi, që t’i japin fund procesit të dialogut.

Pavarësisht se në postimin publik të presidentes Vjosa Osmani para udhëtimit drejt SHBA-ve nuk përmendej fare dialogu si pjesë e agjendës së takimit me sekretarin e Shtetit, Departamenti ishte mjaft i qartë dhe këtë çështje e konsideron lart në agjendë. Krejt çka duhet të bëjnë liderët kosovarë është që t’i “përkthejnë” si duhet këto mesazhe në praktikë dhe t’i grahin punës.

Interesi i SHBA-ve është që rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë stabil. Ky duhet të jetë interes edhe i Kosovës.

Nëse Albin Kurti në të kaluarën ka kundërshtuar pa hezitim gjithçka që është arritur në dialog, tash e ka rastin që të bëjë me të mirën në këtë proces. Natyrisht, duke pasur parasysh përgjegjësitë institucionale që i ka Kosova si shtet kur nënshkruan marrëveshje ose kur jep zotime të ndryshme.

Për qëndrimet që i ka ndryshuar në raport jo vetëm me dialogun, Albin Kurti do të ballafaqohet në procesin zgjedhor, kurdo që mbahet ai. Më i rëndësishëm se fati politik i Albin Kurtit është që procesi i dialogut me Serbinë të përfundojë shpejt. Momentumi i përkrahjes amerikane nuk duhet humbur.