Musliu: Përkujdesja për pastërtinë e Vitisë po vazhdon, falënderon punëtorët për angazhimin e tyre
Viti – Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjenca në Komunën e Vitisë po vazhdon aktivitetet për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe kujdesin ndaj mjedisit në hapësirat publike të qytetit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Arton Musliu, ka bërë të ditur se angazhimi për një ambient të pastër dhe të mirëmbajtur po vazhdon, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për punëtorët që janë të angazhuar në këto shërbime.
Musliu ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e tyre, veçanërisht për faktin se, pavarësisht vështirësive objektive me të cilat përballen, ata po vazhdojnë të kontribuojnë në mirëmbajtjen e pastërtisë së qytetit.
Ai ka theksuar rëndësinë e angazhimit të punëtorëve në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të pastër, duke vënë në pah kontributin e tyre të përditshëm në shërbim të qytetarëve.
Përkujdesja për pastërtinë publike mbetet një nga përgjegjësitë e rëndësishme të shërbimeve komunale, ndërsa angazhimi i punëtorëve të mirëmbajtjes është pjesë thelbësore e përpjekjeve për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm në Komunën e Vitisë./rajonipress/


