Një LDK e re është utopi
Nga Imer Mushkolaj – Është e humbur lufta për reformimin dhe ndryshimin e LDK’së. Prandaj Vjosa Osmani dhe të tjerë që mendojnë si ajo duhet të largohen sa më parë nga kjo parti. Është mëkat të mbetesh peng i fosileve që nuk e dinë dhe nuk duan ta dinë ç’është ndryshimi. Ata duhet lënë në mjerimin e tyre. Rrugë të tjera ka dhe duhet shfrytëzuar. Kur Isa Mustafa fliste për reformimin e LDK’së dikujt edhe mund t’i ketë ardhur në mendje se ky proces vërtet mund të ndodhë. Por, as skeptikët më të mëdhenj nuk e kanë besuar se vite më pas, LDK është po ajo e vjetra, me një strukturë udhëheqëse që nuk ka lidhje me reforma.
Tash sa vjet flitet për një LDK të re, një LDK e cila do të duhej të ishte krejt tjetër prej kësaj që është sot – një parti e kapur dhe në shërbim të një grupi të vogël njerëzish, e jo një parti e hapur, që ndryshon dhe zhvillohet për të mirë.
Të tillë partinë e themeluar gati 27 vjet më parë e dëshiron edhe elektorati besnik i saj, elektorati i cili u shfaq i zhgënjyer e mosbesues sidomos pas vendimit të Isa Mustafës për t’u bërë bashkë në koalicion me PDK’në, edhe pse votat i kishte fituar duke premtuar se kjo nuk do të ndodhte kurrë.
Në LDK nuk kanë munguar asnjëherë zërat që kanë kërkuar ndryshime në parti, ndryshime në mënyrën e funksionimit, ndryshime në qasjen karshi proceseve të rëndësishme. Nuk kanë munguar as përpjekjet për ta nxjerrë nga letargjia ku ka rënë me vite, pavarësisht se qysh në start janë konsideruar përpjekje të dështuara – jo shkaku i mungesës së vullnetit të disa individëve për të ndryshuar për mirë partinë, por shkaku i mungesës së vullnetit të fosileve të partisë për t’i dhënë shans ndryshimit.
Të atillët që kanë provuar të ndryshojnë diçka janë anatemuar e përjashtuar, janë konsideruar njerëz që nuk ia duan të mirën partisë, njerëz që duan ta shkatërrojnë partinë, ndërkohë që shkatërruesit e vërtetë kanë zënë vend në krye të strukturave vendimmarrëse.
* * *
Isa Mustafa fliste të enjten se si LDK’në e paska forcuar, se si partia shquhet për demokraci të brendshme dhe respekton fjalën e lirë, mendimin ndryshe. Se sa është forcuar partia nën udhëheqjen e Mustafës tregojnë rezultatet e saj në zgjedhje, e për demokracinë e brendshme dhe respektimin e fjalës së lirë tregojnë veprimet e fundit, sidomos rasti i Donika Gërvallës.
Disa deputetë dhe zyrtarë të tjerë të LDK’së nuk kanë hezituar kohën e fundit që të artikulojnë kërkesa për ndryshime të nevojshme brenda partisë. Por, idetë e tyre është provuar të heshten, të injorohen, të refuzohen. Sepse, njerëzit që e kanë kapur LDK’në nuk dëshirojnë që ajo të ndryshojë. Ata duan që LDK të vazhdojë kështu si është, të përfitojnë nga ajo çfarë munden, siç kanë përfituar deri tash. Dhe kaq.
Ata i frikëson çdo tendencë për ndryshim, sepse iu lëkundet karriga, iu rrezikohen përfitimet, privilegjet. Ata janë aty për të mos lejuar që partia të ndryshojë, e jo të marrin pjesë në ndryshim, aq më pak ta inicojnë atë.
Andaj, me njerëz të tillë nuk ka shans që të krijohet një LDK e re, pavarësisht vullnetit të mirë të disave. Me këta njerëz shansat janë reale që LDK të vazhdojë teposhtëzen që e ka marrë. Me këta njerëz, transformimi në një LDK të re është utopi. Siç është utopike të pritet se ata do të ndërrojnë mendje një ditë dhe gjithçka do të ndryshojë. Pritja është e kotë, sepse ata janë aty për të mos ndryshuar. Ndryshimi nënkupton fundosjen e tyre, fundin e tyre.
* * *
Një ndër më të zëshmet që po kërkon refomim të LDK’së është deputetja Vjosa Osmani. Por, beteja e saj është një betejë donkishoteske me mullinjtë e erës. Osmani vetëm sa harxhon energji dhe nerva kot në përpjekje për të ndryshuar diçka, në partinë që veç ndryshimin nuk e njeh.
Ajo tashmë nga njerëzit që vendosin në LDK shihet si rebele dhe jashtë kësaj partie, vetëm pse po kërkon diçka normale. Osmani e di se çështja e ndryshimeve në partinë që i takon më tepër se sa çështje e moshës është çëshje e mendësisë politike.
Në një intervistë së fundi ajo u shpreh se do të jetë në LDK deri në ditën që elektorati e përkrah. Tha, po ashtu, se nuk do të heq dorë nga lufta për ta rikthyer demokracinë në parti.
Por, Osmani e di se lufta e saj është e humbur qysh tash. Ajo e di se edhe bashkëmendimtarë të saj, të cilët mund të mos jenë të paktë brenda partisë, hezitojnë ta përkrahin publikisht dhe të ndërmarrin iniciativa konkrete.
Andaj, e vetmja gjë që iu mbetet asaj dhe të tjerëve që mendojnë si ajo është që ta braktisin LDK’në dhe të përpiqen që synimet e veta t’i realizojnë në një tjetër organizim politik. Në këtë mënyrë, Osmani dhe të tjerët do t’iu jepnin përgjigjen e merituar njerëzve që e kanë kthyer LDK’në në feud, që e kanë privatizuar dhe bëjnë me të çfarë t’iu teket.
Vjosa Osmani nuk ka më vend në LDK – jo pse ajo nuk e meriton këtë, por për shkak se të tjerët nuk e lejojnë, nuk e duan. Ajo iu prish punë, andaj është e padëshirueshme.
Sa më herët që ajo largohet nga aty, aq më mirë. Braktisja e LDK’së nuk do të thotë fund i karrierës politike, por hapje e një rruge të re, e një alternative të re të aktivitetit politik.
Është mëkat që të harxhohet energji brenda një partie që nuk reformohet dhe nuk zhvillohet. Është mëkat të mbetesh peng i fosileve që nuk e dinë dhe nuk duan ta dinë ç’është ndryshimi. Rrugë të tjera ka dhe duhet shfrytëzuar. E ata që e kanë kapur LDK’në dhe e duan veç për vete, për t’i shëruar kompleksest dhe për t’i përmbushur apetitet, më mirë është të lihen në mjerimin e tyre. Askush nuk ka kohë për të humbur. Dhe nuk është kurrfarë humbjeje të largohesh nga ta.


