Një i vrarë me thikë në Mitrovicë

Mitrovicë – Një person, mashkull i përkatësisë etnike shqiptar, rreth 23 vjeç , banor i Mitrovicës, ka vdekur dje si pasojë e plagëve të marra nga një armë e ftohtë, thikë, ka njoftuar policia.
Një përleshje në mes disa personave është shndërruar në vrasje, pasi një person ka humbur jetën ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur, si pasojë e përdorimit të mjeteve të mprehta.
Incidenti besohet të ketë ndodhur në orët e vona të natës së mbrëmshme në rrugën “Ahmet Selaci”, në Mitrovicë, ndërsa për motive ende të pasqaruara tërësisht, besohet se personat ishin përfshirë në përleshje me ç’rast kanë vënë në përdorim edhe armë të ftohta, thikë.
Pas therjes me thikë, palët janë munduar të largohen nga vendi i ngjarjes me veturë, duke shkaktuar edhe një aksident trafiku pasi u përplasën në njërin nga semaforët e qytetit, në udhëkryqin e rrugës “Shemsi Ahmeti”.
Policia e Kosovës është informuar lidhur me rastin përmes njoftimit nga personeli i Spitalit të Mitrovicës, të cilët kanë njoftuar për prezencë të tre personave të moshës në mes 18 dhe 27 vjeç, me lëndime trupore, të shkaktuara me mjete të mprehta.
Dy nga tre të lënduarit janë dërguar në QKUK Prishtinë, në repartin e kirurgjisë torakale, për shkak të lëndimeve të rënda të shkaktuara kryesisht në pjesën e parme të gjoksit, ndërsa i lënduari i tretë është trajtuar në repartin e emergjencës në Mitrovicë, me plagë të lehta në dorë.
Ndërkohë Policia e Kosovës ka pranuar konfirmimin nga QKUK Prishtinë për vdekjen e viktimës F.M., rreth 23 vjeçar.
Hetuesit policorë të Drejtorisë rajonale të hetimeve në Mitrovicë së bashku me teknikët e kriminalistikës, nën udhëheqje të prokurorit të shtetit, kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe inicimin e procedurave të rastit të vrasjes.
Së paku një armë e ftohtë, thikë, është sekuestruar si pjesë e provave materiale, që besohet se është përdorur nga njëra palë, ndërsa do të ndiqen procedurat e mëtejme ekzaminuese laboratorike.
Trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të prokurorit publik, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion.
Hetuesit policorë janë duke punuar në identifikimin e rrethanave të plota të rastit të kualifikuar si “vrasje” në bazë të nenit 178 të Kodit Penal të Kosovës.
Policia nuk saktëson nëse janë kapur autorët ose autori i kësaj vrasjeje.(koha)