Një hap prapa?

Nga Blerim Shala – Nuk mund të nisë normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë pa shpërbërjen e strukturave të sigurisë të Serbisë në Kosovë, pa vendosjen e rendit kushtetuese në Veri të Kosovës, dhe pa Marrëveshjen legalisht obligative në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Dykuptimësia e dobishme, fjalori i matur, i kujdesshëm, përpjekja që të mbahen të angazhuara palët e involvuara në një ndërmarrje, synimi që disi në fund të mos ketë humbës, përbëjnë disa prej elementeve të rëndomta në një proces që ka nisë tash e dy muaj në dialogun politik midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë.
Kështu ka qenë zaten, nëse këtu i kthehemi prapa përvojës politike dhe historike të Kosovës, që prej vitit 1998 e këndej, edhe në ndërmarrjen e madhe ndërkombëtare të çlirimit të Kosovës, pastaj, edhe në atë të bërjes së shtetit të Kosovës.
Politika dhe diplomacia nuk njohin precizitet të madh në qasje, në organizimin e një procesi, veçmas kur ata janë të ndjeshëm, çfarë gjithmonë është dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ketë qartësi sa i përket synimeve finale të këtij procesi. Mund të ketë dy opsione si epilog, por nuk duhet të mos dihet fare se cili është caku, apo, çka dëshirohet të arrihet në ndërmarrje të kësisojta.
Ta zëmë, si në Konferencën e Rambouilletit, ashtu edhe në Procesin e Vjenës, dykuptimësia e domosdoshme në qasje, ka qenë një mjet i domosdoshëm për sendërtimin e qëllimeve të negociatave në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë.
Drejtimi i këtyre negociatave është artikuluar dhe kodifikuar me Parimet e Panegociueshme të Grupit të kontaktit (në fillim të Konferencës së Rambouilletit), apo me Parimet Prijëse, poashtu të Grupit të Kontaktit (para nisjes së Misionit të Presidentit Ahtisaari).
Askush nuk ka pasur dilema se ku do të mbërrihet, në fund, në Rambuillet apo në Vjenë. Çështja ka qenë vetëm se si dhe kur do të arrihet në epilogun e paralajmëruar dhe të kodifikuar me këto Parime.
Bisedimet e nisura së voni në mes të Qeverisë së Kosovës dhe të Qeverisë së Serbisë, po udhëhiqen prej Catherine Ashton, Përfaqësueses së Lartë të BE-së, kryediplomatës evropiane, e cila gjithsesi dëshiron të jetë e suksesshme në këtë detyrë, e cila mund të jetë, po qe se do të ketë Marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit, një arritje e madhe për te.
Pozicioni i Ashton, si i tillë, është tej mase i ndërlikuar karshi rastit të Kosovës, për shkaqe të njohura që lidhen me pesë anëtarët e BE-së që vazhdojnë të mos e njohin Republikën e Kosovës.
Sidoqoftë, synimi për të pasur sukses në dialogun e nisur tashmë, domosdoshmërisht duhet të përcillet me një qartësi në pikarritje në bisedimet midis Kryeministrit të Kosovës Thaçi dhe të Serbisë, Daçiq.
Ky synim pastaj, siç ndodhi më parë, në rastet e Rambouilletit dhe Vjenës, mund të dyzohet me qasjen e matur dhe me dykuptimësinë procedurale.
Mes se ku duhet të mbërrihet dhe kur, nuk mund të ketë. Pastaj duhet thënë troç që gatishmëria e politikanëve shqiptarë për të biseduar me politikanët serbë, ka mbërritur në kaptinën e shterjes së durimit, e cila edhe po shfaqet hapur. Kosova nuk mund të mbetet përjetë e mot penge e politikës së mbrapshtë dhe të gabuar të njëri-pas-tjetrit udhëheqës të Serbisë, dhe të mungesës së qartësisë së Brukselit për synimet finale të dialogut pas-GJND-së në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Këto dyshime, shqetësime dhe dilema dalin në shesh me të lexuar të Draft-Konkluzave për Kosovën të BE-së që do të miratohen së shpejti në Bruksel.
Ato shënojnë një hap mbrapa në qasjen e Brukselit zyrtar ndaj dialogut të Prishtinës dhe Beogradit.
Me të parën, natyrisht, vërehet mungesa e një formulimi për ruajtjen e integriteti territorial të Kosovës, i cili jo më larg se dy muaj më parë u gjet në dokumentet shumë të rëndësishme të Komisionit Evropian. Ky formulim e ka pasur gjithsesi vendin në këto Konkluza, mbi të gjitha, sepse është një praktikë e njohur në diplomaci që qëndrimet e artikuluara një herë, nuk zhbëhen, pos nëse nuk ka përparim të ri në trajtimin e një çështjeje. S’ka dyshim që mungesa e këtij formulimi do të mundësojë ri-shfaqjen në tregun e ideve dhe të modeleve politike në Serbi të opsionit për ndarjen territoriale të Kosovës.
Pastaj, në këto Draft-Konkluza kanë zënë fjalitë që janë kontribut për spekulime të reja se çfarë në të vërtetë dëshirohet të mbërrihet me këtë dialog. Këtu thuhet: ‘Një përmirësim i dukshëm dhe i qëndrueshëm i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm, në mënyrë që të dyja të vazhdojnë rrugën e tyre përkatëse drejt BE-së, duke evituar që ndonjëra të mund të bllokojë tjetrën në këto përpjekje. Ky proces gradualisht duhet të rezultojë në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë me perspektivën që të dyja të jenë në gjendje të ushtrojnë në tërësi të drejtat dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre brenda BE-së’.
Fundi i këtij formulimi është gjithsesi inkurajues, sepse paralajmërohet që Kosova dhe Serbia do të jenë brenda BE-së si shtete të veçanta. Por fjalitë që i paraprinë këtij përfundimi, lënë të hapur mundësitë e interpretimeve që parathonë një tjetër proces të gjatë të krijimit të rrethanave të mirëfillta për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Natyrisht, normalizimi i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, si i tillë merr kohë, por ai nuk mund të nisë pa një Marrëveshje të mirëfilltë, legalisht detyruese për Kosovën dhe Serbinë, e cila do të duhej të konkludonte në gjysmën e parë të vitit 2013 dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Beogradi mori statusin e shtetit kandidat për inkuadrim në BE, në këtë vit, me një mashtrim që ia bëri Brukselit dhe Prishtinës për Marrëveshjen IBM. Diçka e tillë assesi nuk duhet të ndodhë në dialogun që tani po zhvillohet në Bruksel.
Nuk ka dhe nuk mund të ketë lansim të procesit të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, pa shpërbërjen e strukturave të sigurisë të Serbisë brenda Kosovës, pa vendosjen e rendit kushtetuese në Veri të Kosovës dhe pa Marrëveshjen legalisht obligative në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)