Eko Higjiena

Një festim i mjerë

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Blerim Shala – Kush do ta paramendonte, në verën e vitit 1999, që 14 vjet më vonë do ta përkujtojë në mënyrë të mjerë çlirimin e Kosovës.

Në mënyrë të mjerë është shënuar në këtë qershor të vitit 2013, në Kosovë, mbi të gjitha në Prishtinë, përvjetori i 14-të i çlirimit të Kosovës. Nuk pati gjë prej gjëje që vlen të shënohet në këtë rast. Ta merr mendja që Kosova është çliruara para nja 1400 vjetëve, e jo në vitin 1999, i cili për të gjithë shqiptarët e mbetur gjallë në Kosovë, ka qenë viti i tyre i dytë i lindjes. Viti kur u lindën si shqiptarë të lirë, në Kosovën e lirë.

Politika, kultura, mediat, ne si shoqëri, dështuam edhe një herë në aftësinë tonë, në kreativitetin tonë, në mbamendjen e cila është e sinqertë, për tu kthyer si duhet në atë qershorin e madh, për të parë edhe një herë se çfarë vlere të jashtëzakonshme ka liria e Kosovës, për të kuptuar se çfarë ka ndodhë prej atëherë e deri më sot në Kosovë, për të mësuar se çfarë do të duhej të bënim tash e tutje që Kosova si shtet i pavarur, përfundimisht ta sigurojë qëndrueshmërinë afatgjatë.

Po qe se për pak kohë kthehemi në atë verën e para 14 viteve, dhe nga ai pikëshikim, nga ato ditët e papërsëritshme të qershorit i bëjmë një mori pyetjesh, me siguri që thuaja të gjithë ne që ishim shqiptarë të lirë të Kosovës së lirë, do t’i ofronim të njëjtat përgjigje. Këtu do të zënë vend këto pyetje, ndërsa edhe shumë të tjera do të mund të bashkëngjiteshin, me po të njëjtat përgjigje kategorike të gati të gjithë neve.

Nisin pyetjet pra:

A do t’ia dimë vlerën lirisë? A do t’i harrojmë ndonjëherë të gjitha të këqijat, poshtërimet, fyerjet, përbuzjet që na kanë ndodhur si popull në historinë e re, veçmas në vitet e nëntëdhjeta që kulminuan me luftën dhe tragjeditë e saj? A do ta respektojmë njeri-tjetrin, pa marrë parasysh se çfarë bëjmë në jetë, cilës parti i takojmë, etj.,etj? A do të bëjmë zullum ndaj kujdoqoftë në Kosovë, çdo metër katror i të të cilës ka një histori të veten vuajtjesh në qindra vitet e shkuara? A do të jemi në gjendje të organizojmë zgjedhjet e para të lira dhe demokratike në Kosovë, gjithmonë duke respektuar procedurat e zgjedhjeve, përherë duke njohur vullnetin e lirë të qytetarëve si kategori sipërore politike? A do të mund të na ndodhë të manipulojmë, apo edhe më keq, ta vjedhim votën dhe ta dëmtojmë thelbësisht vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës? A do të kemi të gjithë dëshirë, guxim, dije dhe vullnet për t’i bërë sa më parë institucionet e Kosovës, të cilat do të jenë themel i shtetit të Kosovës? A duhet Kosova të bëhet shtet, apo me te duhet të ndodhë diçka tjetër? A do të dimë ta ruajmë çdo cent të buxhetit të shtetit të Kosovës? A do ta harxhojmë secilin cent për të mirën e qytetarëve të Kosovës? A do të jetohet më mirë, më mirë se kurrë në fakt në Kosovë tash e tutje? A do të vazhdojmë t’i lutemi Zotit siç kemi bërë për qindra vjet? A do t’i respektojmë objektet fetare siç kemi bërë poashtu për shekuj të tërë? A do të jemi perëndimorë dhe evropianë, siç kemi pretenduar gjithmonë? A do të jemi gjithnjë pro-amerikanë, siç jemi betuar që do të jemi në qershorin e vitit 1999?

Uji Dea

Dhe kështu me radhë pra.

Secili prej nesh, pjesëtarë të atij populli të çliruar të qershorit të atij viti, do të mund të vazhdojmë me dhjetëra pyetje të tjera. Do të rrëqethemi, do të mbetemi pa fjalë, do të hidhërohemi me vetveten dhe me shumë të tjerë që i kemi përreth, kur tani, nga perspektiva e sotme, e edhe e viteve të mbrama, do t’i gatisim përgjigjet në po të njejtat pyetje që i kemi bërë atëherë.

Nuk kemi pasur pra, asnjë të vetmin dyshim në përballjen me këto pyetje në qershorin e vitit 1999. Natyrisht, kemi qenë naiv sa të duash, e në politikë, në shoqëri, naiviteti nuk është fare i dobishëm. Kemi pasur iluzione sa të duash, emocione me bollëk, një dashuri ndaj vendit, ndaj kombit, ndaj Perëndimit e cila ka qenë pasuria më e madhe që e kemi pasë në atë verë njëkohësisht të rëndë (kur dihen pasojat e luftës) dhe të madhërishme. Vera e vitit 1999 ishe stina e parë e lirisë.

Por ja që del që për shumëçka, e kemi pasur kokën më të esëllt, i kemi pasur ndjenjat më të pastra, e kemi pasur një vullnet të pashoq, e kem pasur një ndershmëri të paparë. Na duket që kemi qenë më të mirë. Çka ndodhi kështu me ne në ndërkohë? Përgjigja këtu është komplekse. Nuk është ky synim për t’i shmangur ballafaqimit me vetveten, duke u thirrur në kompleksitetin e zhvillimeve të pasluftës, duke kërkuar fajtorin më së shumti aty ku është më së lehti, tek të tjerët, e këta të tjerë hyjnë në shumësinë e shkurtesave të organizatave ndërkombëtare që janë shfaqë në Kosovë që prej asaj vere e deri më sot.

Është shumë e vërtetë, sidoqoftë, që tek ne nuk ka aspak gatishmëri për tu marrë me veten, me ndryshime për të mirë dhe për të keq në identitetin e këtij vendi dhe të kësaj shoqërie, të cilat pastaj na sjellin tek një habi e madhe e cila na i turbullon ndjenjat dhe mendjen, dhe na bënë që në vete të bëjmë pyetje tepër të rënda.

Kush do ta paramendonte, në verën e vitit 1999, që 14 vjet më vonë do ta përkujtojë në mënyrë të mjerë çlirimin e Kosovës?